15.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Një vdekje e ëmbël

Alda Bardhyli
Simone_de_Beauvoir2Pasditen e 24 tetorit 1963 Simonë Dë Bovuar kishte vetëm një shqetësim. Të kapte sa më shpejt avionin e parë nga Roma drejt Parisit. Një telefonatë e ardhur atë ditë, kishte përmbysur gjithë axhendën e çiftit më të njohur të letrave të shekullit XX. (Simon Dë Bovuar dhe Sartri). Tashmë as darkat ku nuk mungonte Pasolini, dhe emra të tjerë të njohur të kohës nuk kishin më rëndësi sa një biletë avioni. Ajo mbërriti në Aeroportin e Parisit të nesërmen, duke i dhënë taksistit vetëm një adresë, spitalin “Busiko”. Në morinë e librave të shkruar nga De Bovuar, ka një libër në të cilin ndalem shpesh dhe ai është “Një vdekje shumë e ëmbël”, sjellë në shqip nga Edmond Tupja. Janë dy muajt e shkrimtares në hapësirën e vogël të një dhome spitali, ku i duhej të kujdesej për të ëmën e sëmurë me kancer. Janë orët ndoshta më torturuese në jetën e një njeriu, ku në fytyrën e njeriut më të dashur i duhet të shohë çdo ditë fytyrën e vdekjes. Sesi një e verdhë e lehtë nis e i pushton ngadalë gjithë trupin për t’u shndërruar më pas në një të kaltër të lehtë derisa para syve të tu, merr rrugën për në një hapësirë tjetër, dhe ti nuk mund ta mbash, dhe kur e di se ajo nuk e do këtë udhëtim.

Teksa bisedonin bashkë për kujtimet e largëta, episode në të cilat shfaqej dhe motra tjetër Marta, apo zëri i largët i babait, i cili ishte larguar nga jeta para saj, Dë Bovuar një grua që kishte provokuar shoqërinë franceze me shkrimet e saj mbi seksin, do të përballej tashmë me një tjetër të vërtetë, vdekjen. Ajo ishte aty në atë dhomë të vogël, nga ku era e morfinës i shpërndahej kudo në peliçen që ishte varur mbi karrige, dhe shumë shpejt do të largohej që aty bashkë me nënën e saj. Rrëfimet e saj të shkurtra në pauzat e ilaçeve shumë shpejt nuk do të ishin më, dhe ajo duhet ta pranonte një botë pa të. Më shumë se një libër autobiografik, ky roman i shkurtër është një shkrim i jashtëzakonshëm mbi pranimin e vdekjes. Dë Bovuar e shkroi këtë libër menjëherë pas humbjes të së ëmës. Boshllëku ishte tepër i madh, bashkë me ndjenjën e fajit se nëse do ta kishte kapur me kohë sëmundjen ajo mund të kishte jetuar më gjatë. Për më shumë se një vit ajo do të linte pas jetën e mbrëmjeve në Paris, udhëtimet, për të hedhur në libër për herë të parë jetën e saj, pa ndrojtje. Dë Bovuar pranon një raport shpesh kontradiktor nënë-bijë, fëmijërinë dhe adoleshencën e vështirë për të mbërritur te shkrimet e para.

Por ajo nuk do të flasë shumë për veten. Ky libër është për të, për një grua të thjeshtë franceze që ishte nëna e saj. Një grua jeta e të cilës ngjason aq shumë me nënat tona. Pas vdekjes të së shoqit, një veseli që ulërinte tërë ditën, ajo shiti tryezën prej druri dardhe të nxirë, orenditë e kuzhinës, të stilit Henri II, shtratin bashkëshortor, pianon e madhe e mbajti, bashkë me disa mobilie të tjera, dhe mori një studio me qira, e jetoi në një hapësirë që e mbushi plot tablo gati 20 vjet. Kur mikeshat e saj gjetën si zgjedhje azilet për shkak të pafuqisë, ajo nuk vendosi të largohej nga kjo shtëpi dhe pse mobiliet ishin vjetruar. Historia e saj është historia e një gruaje që rriti vetëm dy vajza dhe nuk u mbyll në të kaluarën e saj, por punoi për t’ia dalë.

Një grua që si mijëra të tilla në ato vite mësonin heshturazi gjuhë të huaja, punonin gjithë ditën e nuk harronin të buzëqeshnin para pasqyrës teksa krihnin flokët në darkë. I përshkruar nga një ndjeshmëri e thellë ky libër është ndoshta pamfleti më i vërtetë për feminizmin, që ndryshe nga “Seksi i dytë”, e tregon tepër thjesht seksizmin, përmes jetës së një gruaje që vdiq aq ëmbël…

Më Shumë

Përvojë unike 360 gradë, publikohen pamje nga skena gjigante e Eurovisionit

Transmetuesi suedez SVT ka zbuluar skenën mbresëlënëse në Malmö Arena, në të cilën do të interpretohen 37 këngët e Eurovision Song Contest, i cili...

Pamje nga aksidenti në Suharekë, dy personat e ndjerë shihen të mbuluar në rrugë (VIDEO)

Janë publikuar pamjet nga aksidenti i rëndë që u regjistrua pasditen e kësaj të diele (sot), në Shirokë të Suharekës, ku humbën jetën 2...

Lajmet e Fundit