26.1 C
Prizren
E shtunë, 20 Shtator, 2025

Një vit e më shumë, Elvis Pista mbetet vrasje pa asnjë të dyshuar

Një vit e një muaj mbushen sot, prej kur është vrarë kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Elvis Pista nga Rahoveci, ndërsa nuk është konfirmuar se deri më tani ndonjë person është arrestuar, e për më tepër se ende nuk ka ndonjë person konkret të dyshuar në lidhje me këtë vrasje.

Zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe të Prokurorisë Themelore të Gjakovës, që merret me rastin, thonë se hetimet po vazhdojnë, ndërsa opinionit nuk i është ofruar ndonjë e dhënë qenësore për rrjedhën e hetimeve që shpijnë në zbardhjen e vrasjes së Pistës.

Ajo që është thënë deri më tani është se Prokuroria e Gjakovës ka dërguar për ekzaminim në Finlandë disa shënime të Pistës, duke besuar se mund të ndikojnë në ndriçimin e vrasjes. Ekzaminimi është kërkuar të bëhet në Finlandë, me arsyetimin se një gjë të tillë nuk kishte mundësi të bëhej as në institucionet e vendit e as në ato të Misionit të EULEX-it.

Bëhet fjalë për shënime, që sipas prokurores së Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Shpresa Bakija, i ndjeri Pista i ka mbajtur në telefonat e tij. Mendohet se çdo veprim që ka ndërmarrë Pista në punën dhe veprimtarinë e tij të përditshme e ka shënuar edhe në telefonat e tij, por ata telefona nuk kanë mundur assesi të ekzaminohen në Kosovë. Prokurorja Bakija nuk ka preferuar të flas për shënimet e Pistës në një fletore, në formë ditari, që sipas disa mediave është zhdukur.

Policia e Kosovës, për të zgjidhur rastin e vrasjes së Pistës që ndodhi në natën e 15 qershorit të vitit të kaluar, kishte ofruar një shpërblim prej 10 mijë euro për atë që ofron informacione lidhur me këtë rast, por pa rezultate deri më tani.

Ndonëse KosovaLive shprehu interesim për të mësuar më shumë detaje mbi rrjedhën e deritashme të hetimeve, nuk ia arriti madje as të mësoi se sa persona janë të hetuar dhe sa janë marr në pyetje deri më tani lidhur me këtë rast.

Në një përgjigje përmes adresës elektronike, Policia e Kosovës ka përsëritur se është duke punuar me organet e drejtësisë në zbardhjen e rastit.

“Policia e Kosovës, bazuar në detyrat dhe përgjegjësitë e saja ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore drejt hetimit dhe zbardhjes së këtij rasti, në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë edhe me organet e drejtësisë. Për informacione të mëtutjeshme referojuni organeve të drejtësisë”, thuhet në përgjigjen e policisë.

Detaje më të hollësishme nuk dha as prokurorja e rastit, Shpresa Bakija. Ajo tha shkurt për KosovaLive se hetimet po vazhdojnë ende dhe se janë duke u verifikuar të gjitha informatat për këtë rast.

“Ju informoj se në rastin ‘Pista’, hetimet janë në vazhdim e sipër. Ndër të tjera, janë duke u verifikuar të gjitha informatat lidhur me këtë rast. Tani prokurorja e rastit nga Prokuroria Themelore në Gjakovë është duke pritur raportin e ekzaminimit nga ekspertët e Finlandës”, thotë prokurorja Bakija.

Rikujtojmë se Elvis Pista, i vrarë natën e 15 qershorit, sipas informacioneve të konfirmuara edhe nga policia, ishte qëlluar me katër plumba pas shpinës, nga një largësi prej 5 metrash, posa ka dalë nga një restorant bashkë me bashkëshorten dhe një shokun e tij, i cili po ashtu ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij.

Sipas ekzaminimeve që kishte bërë policia, thuhej se vrasësi ishte fshehur pas një muri të restorantit dhe posa ka kryer vrasjen ka ikur nëpër arën që ishte e mbjellë. Sipas gëzhojave të cilat janë gjetur në vendin e ngjarjes, besohet se arma është e kalibrit të vogël dhe mund të ketë pasur edhe “shurdhues” të zhurmës.

Edhe pronari i restorantit “Jaha Petrol”, në oborrin e të cilit u vra Pista, kishte thënë se as rojet e këtij restoranti, e askush tjetër, nuk ka dëgjuar ndonjë zhurmë e as nuk është parë ndonjë person i dyshimtë.

Ai ka thënë se sipas të gjitha gjasave Pista është qëlluar nga pas, ndërsa dorasi mendohet të kenë qenë jashtë oborrit të restorantit, shumë pak metra larg Pistës./KosovaLive/

Më Shumë

Imami i fshatit Serbicë dhe ish-imami i fshatit Nashec të Prizrenit,po hetohen për keqpërdorim të donacioneve

Imami i fshatit Serbicë të Prizrenit, Sebahudin Ibrahimi, si dhe ish-imami i fshatit Nashec të Prizrenit, aktualisht anëtar i Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK),...

20-shi i LDK-së, Fejzë Kabashi, kandidat për Kuvendin e Prizrenit

Ish-drejtori i Drejtorisë për Punë dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Prizrenit, Fejzë Kabashi, garon me numrin 20 në listën e LDK-së për Kuvendin...

Lajmet e Fundit