0.8 C
Prizren
E shtunë, 23 Nëntor, 2024

Njeriu i Merkelit: Mustafa dhe Thaçi janë zotuar për një politikë të re

Andreas SchockenhoffAndreas Schockenhoff, nënkryetar i grupit parlamentar CDU, “njeriu kryesor i kancelares Merkel për Ballkanin”, ka thënë se koalicioni PDK-LDK, është zgjidhja më e mirë për Kosovën.

Schockenhoff, në një intervistë për Deutsche Welle, ka thënë se kjo qeveri do të sigurojë stabilitet stabilitet për vendin.

Në Kosovë u krijua të hënën koalicioni me bazë të gjerë mes PDK-së dhe LDK-së. Ju edhe vet keni qenë së fundi në Kosovë dhe kemi biseduar me palët: a është ky koalicion zgjidhja më e mirë për Kosovën në këtë moment?

Andreas Schockenhoff: Gjashtë muaj pas zgjedhjeve ky është një sinjal i qartë se partitë politike duan të bëjnë një punë konstruktive mbi bazën e rezultatit të zgjedhjeve. Bllokada është evituar dhe demokracia ka filluar të funksionojë. Në këto raporte të shumicës, kjo është zgjidhja më e mirë për Kosovën. Kjo tregon se partitë janë të gatshme t’i tejkalojnë programet e ngushta politike dhe të bashkëpunojnë në mënyrë konstruktive. Ky koalicion jep një mundësi që katër vitet e ardhshme Kosova të ketë një qeveri, e cila mund të sigurojë stabilitetin e vendit.

Zoti Schockenhoff, kjo tingëllon shumë optimiste, por fakt është që qeveria e re e Kosovës do të ketë para vetes shumë sfida të mëdha. Kjo do të thotë se kryeministri i ri Isa Mustafa do të ketë shumë punë para vetes. Çfarë pret Gjermania nga kryeministri i ri Mustafa dhe qeveria e re?

Andreas Schockenhoff: Të dyja partitë e koalicionit, PDK dhe LDK, kanë kumtuar se duan ta vazhdojnë procesin e dialogut dhe duan të kenë një perspektivë të qartë evropiane. Kjo është vendimtare për njerëzit në Kosovë. Me rëndësi është që ky vend të shohë perspektivën e vet në Evropë. Kosova do të integrohet në hapësirën tregtare evropiane dhe të jetë pjesë e hapësirës juridike evropiane, që do të thotë se duhet të vazhdohet me reformat dhe krijimin e shtetit juridik. Ju keni të drejtë, kur thoni se qeveria e re do të ketë sfida të mëdha para vetes. Por të dyja partitë e koalicionit: LDK dhe PDK, kanë bërë të ditur se janë të gatshme t’i realizojnë këto synime.

Çfarë rëndësie kanë zgjidhjet personale në qeverinë e re, pasi kryeministër i ri do të jetë Isa Mustafa, ndërsa kryeministri i deritanishëm Hashim Thaçi do të marrë postin e ministrit të Jashtëm?

Andreas Schockenhoff: Ka qenë e drejtë që Kosova të ketë një kryeministër të ri, sepse qeveria e re nuk do të thotë vetëm vazhdim i politikës së deritanishme. Të dy ata, Mustafa dhe Thaçi, janë deklaruar për një politikë të re, para së gjithash sa i takon luftës së denjë kundër korrupsionit dhe gjërave negative nga e kaluara. Ndaj është me rëndësi që ka pasur ndryshim në postin e kryeministrit. Brenda 14 muajsh do të zgjidhet edhe një president i ri, që do të thotë se skena politike ndoshta do të pësojë sërish ndryshime. Por vendimtare nuk janë personat: vendimtare janë përcaktimet e qarta në marrëveshjen e koalicionit për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Një prej përcaktimeve të qarta në marrëveshjen e koalicionit është edhe vazhdimi i dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit. Cilat janë pritjet e Gjermanisë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë?

Andreas Schockenhoff: Ne presim normalizimin gradual të raporteve. Ndaj ka qenë me rëndësi që në qeveri të mos jenë forcat nacionaliste, të cilat e refuzojnë këtë dialog. Por qëllimi i këtij dialogu është – që me siguri nuk do të shkojë tepër shpejt – që të rezultojë se Kosova është një shtet sovran dhe se duhet të jetë e pavarur edhe në marrjen e përgjegjësive ndërkombëtare. Ndaj dialogu i vështirë duhet të vazhdojë. Palët duhet të kenë parasysh edhe vështirësitë e palës tjetër, ndaj duhet të bëhen hapa të vegjël. Këtë ka dëshmuar edhe vizita e vështirë e kryeminsitrit Edi Rama në Serbi. Por besoj se zoti Mustafa dhe Thaçi si ministër i Jashtëm kanë dërguar një sinjal shumë të mençur, kur i kanë ofruar edhe minoritetit serb pjesëmarrje në qeveri.

Përfaqësuesit e serbëve dhe minoriteteve kanë qenë pjesë e Qeverisë së Kosovës edhe më parë, por tani për herë të parë do të jenë në kabinet edhe përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës. Si do të duket zgjidhja në veri të Kosovës, pasi ky është edhe më tej një prej problemeve më të mëdha të qeverisë në Prishtinë. Në Serbi ende ka forca, që shpresojnë ndarjen e këtij territori dhe bashkimin me Serbinë?

Andreas Schockenhoff: Prishtina ka ofruar qartë integrimin e kësaj pjese në institucionet e Kosovës. Ne presim që Beogradi të influencojë serbët në veri që të njohin integritetin e shtetit të Kosovës.

Më Shumë

Zyrtare: Kosova humb ndeshjen me Rumaninë

Shtëpia më e madhe futbollit evropian, ka marrë vendimin për ndeshjen Rumani-Kosovë. Me vendimin e UEFA-së, Kosova e ka humbur ndeshjen me Rumaninë me rezultat...

Prizreni ballafaqohet me reduktim të furnizimit me ujë për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve gjatë verës

Kompania Rajonale e Ujësjellësit "Hidroregjioni Jugor" ka njoftuar qytetarët e Prizrenit për reduktime të furnizimit me ujë, të cilat vijnë si pasojë e temperaturave...

Lajmet e Fundit