Komisioni për Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim ka mbajtur dëgjim publik për monitorimin e Ligjit për Fshatin Hoçë e Madhe dhe Qendrës Historike të Prizrenit, ku u tha se këto ligje nuk po zbatohet për shkak se ende nuk janë formuar këshillat që zbatojnë këto ligje.
Po ashtu, anëtarët e këtij komisioni kanë kritikuar mospjesëmarrja e kryetarit të Komunës së Rahovecit si dhe atij të Prizrenit, të cilët janë përgjegjës për zbatimin e këtyre ligjeve.
Mirëpo, Vjosa Vela nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ka premtuar se brenda një jave do të hartohet drafti i Udhëzimit Administrativ i cili i këshillon Komunat se si duhet të formohen këshillat për zbatimin e këtyre ligjeve dhe se sipas saj, për një muaj e gjysmë ky dokument do të jetë i gatshëm.
Kurse, Kaltrina Drançolli nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor e cila e ka zëvendësuar ministrin, Dardan Gashi, ka njoftuar komisionin me punën e kësaj ministrie lidhur me zbatimin e Udhëzimit Administrativ për themelimin, zgjedhjen, përgjegjësitë dhe funksionimin e Këshillit për fshatin Hoçë e Madhe dhe Qendrën Kulturore të Prizrenit.
“MMPH ka mbajtur takim me akterët e përmendur ku janë shqyrtuar komentet e dërguara nga OSBE-ja, Kisha Ortodokse Serbe, Ministria e Kulturës dhe përgjegjësitkomunave, pas shqyrtimit të komentete, zyra ligjore e Ministrisë së Mjedisit, i ka inkorporuar komentet në draft udhëzimin administrativ dhe ato janë në proces të përkthimit. Pas përkthimit do të mbahet edhe një takim me përfaqësuesit e OSBE-së, të Kishës Ortodokse Serbe, Ministrisë së Kulturës dhe Komunës së Rahovecit dhe MAPL për të shqyrtuar draftin me komentet e inkorporuara dhe më pastaj drafti i UA-së do të dërgohet në konsultime paraprake dhe publike”, ka thënë ajo.
Mirëpo, Dimitri Moschepoulos, i cili është i angazhuar për mbikëqyrjen e zbatimit të këtyre ligjeve, ka thënë se zbatimi i këtyre ligjeve ka pas ngecje dhe janë bërë për shkak të stërzgjatje së zgjedhjes së kryetarit të Rahovecit.
“Keni të drejtë, ka pas vonesë në zbatimin e këtyre dy ligjeve, veçanërisht në zbatimin e Ligjit për Hoqën e Madhe. Ligjet janë miratuar në gusht të 2012. Do të thotë se jemi me vonesë për një vit e gjysmë për Hoqën e madhe, shumë pak ka ndodhur dhe zgjedhjet komunale, ajo periudhë ka zgjat më tepër se që është dashtë zyrtarisht dhe kjo ka shkaktuar vonesën e zbatimit të këtyre dy ligjeve”, ka thënë ai.
Mirëpo, ai ka thënë se pas zgjedhjes së kryetarit të ri ka sinjale pozitive për zhvillim në këtë drejtim.
Mospjesëmarrjen e kryetarëve të komunave përgjegjëse për zbatimin e këtyre ligjeve, si dhe moszbatimin e tyre e ka kundërshtuar edhe anëtari i Grupit SLS, Sasa Milosaviljevic, i cili ka thënë se këto pasuri nuk duhet të shikohen vetëm si të serbëve pasi këto janë pasuri jo vetëm e Kosovës por edhe e rajonit.
“Nuk e arsyetoj mosardhjen e kryetarëve të komunave që janë ftuar për këtë takim sepse kjo tregon mospërgjegjësinë e tyre ndaj zgjidhjes së këtij problemi, do të thotë ndaj zbatimit të këtyre dy ligjeve. E dyta, dëshiroj që të apeloj te të gjithë qytetarët që jetojnë në Komunën e Prizrenit dhe Rahovecit që së bashku të marrin pjesë në zgjidhjen e këtij problemi dhe të mos e nacionalizojnë këtë problem sepse pasuria kulturore në Prizren dhe në Hoqën e Madhe nuk është një pasuri vetëm e serbëve por është një pasuri e Kosovës dhe lirisht mund të them që është pasuri kulturore e gjithë regjionit”, është shprehur ai.
Hoqa e Madhe dhe Qendra Kulturore e Prizrenit janë në mbrojtje shtetërore me ligj.kosovapress/