34 organizata joqeveritare i kanë shkruar letër të hapur vendeve të Quint-it dhe zyrës së BE-së në Kosovë për shprehur shqetësimin e tyre dhe kundërshtimin rreth miratimit të projektligjit për amnistinë në versionin aktual.
Shoqëria civile ankohet se miratimi i projekt-ligjit në këtë formë, do të minonte të gjitha përpjekjet për sundim të ligjit në Kosovë.
“Ky Projektligj për Amnisti – nëse miratohet – do t’ia jepte goditjen e fundit punës së madhe të bërë të mijëra kosovarëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtar në Kosovë të cilët kanë punuar për një shtet që është i bazuar në sundim të ligjit”, thotë letra e hapur e shoqërisë civile.
“Ne fuqimisht besojmë që ky Projektligj duhet të rishqyrtohet dhe të kthehet pas për debat dhe ekspertizë demokratike dhe procedurale, ku shoqëria civile dhe dëgjimi publik mund të jenë pjesë e saj, që të sigurohet një Ligj i ri për Amnistinë i cili do të shërbente edhe për ri-integrim të pjesës veriore të Kosovës, e gjithashtu edhe për sundim të ligjit të suksesshëm në gjithë shtetin”.
Letra e dërguar ambasadës së Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë, si pesë vendet që përbëjnë Quint-in, thotë se shoqëria civile e kupton se, në parim, amnistia është e nevojshme për të ri-integruar pjesën veriore të Mitrovicës, në kornizën juridike të Kosovës.
Megjithatë, sipas kësaj letre, amnistia për këtë pjesë të Kosovës nuk mund të jetë një amnisti e përgjithshme për 69 veprat penale në pjesët tjera të Kosovës.
Shoqëria civile thekson se projektligji aktual ndër të tjera siguron amnistinë universale në nivel vendi për shmangien nga taksat; dëmtimin dhe mbajtjen ilegale të pronave publike dhe private; aktivitetet ilegale mjekësore dhe farmaceutike si dhe kontrabandën; shkeljen e të drejtave të njeriut; nepotizmin; spiunimin dhe/apo shpronësimin e shërbimeve publike.
“Nëse ky Projektligj për Amnisti miratohet, faljet që do të bëhen përmes kësaj, seriozisht do të vështirësojë gjithë punën e bërë nga Prokuroria dhe Gjyqësia e Kosovës; nga EULEX; për të luftuar krimin e organizuar, korrupcionin, krimin financiar, gjithashtu seriozisht do të rrezikoj kriterin e specifikuar nga Udhërrëfyesi për Liberalizimin e Vizave për sundim të ligjit; Dialogun me BE-në për Sundim të Ligjit; negociatat e ardhshme për MSA-në; dhe shkurtimisht të gjithë investimin për një Kosovë të drejtë në 14 vitet e fundit”, thuhet në letrën e nënshkruar nga 34 OJQ, që funksionojnë në nivel të vendit.