Panairi i shpresës për lexues të rinj

Oltion Cakolli shfleton “101 dalmatët” e Dodie Smithit, teksa lëshohet shkallëve të Pallatit të Rinisë.

Qysh para se të nisej nga shtëpia e kishte ndarë mendjen për librin që do ta blinte në edicionin e nëntëmbëdhjetë të panairit të librit “Prishtina 2017”, shkruan sot Koha Ditore.

“Doja ta lexoja këtë libër”, thekson Cakolli, nxënës i klasës së gjashtë në shkollën fillore “Meto Bajraktari” në kryeqytet. Filloristi prishtinas thotë se edhe viteve të kaluara e ka vizituar Panairin.

Cakolli tregon se prindërit dhe mësimdhënësit vazhdimisht e kanë këshilluar të blejë libra në Panair. Të premten shoqërohej nga i vëllai.

Grupe nxënësish të shoqëruar prej mësimdhënësve janë ngjitur gjatë gjithë ditës shkallëve që shpijnë te sallat e ngjarjes më të madhe të përvitshme të librit në Kosovë.

Në sy kanë rënë më fort nxënësit e “Shkollës së Gjelbër” nga Prishtina, me uniformat e tyre të gjelbra. Por ka pasur edhe mësimdhënës, si Feride Haliti, nga shkolla fillore “Ganimete Tërbeshi”, e cila ka sjellë nëntë nxënësit e klasës së gjashtë nga Ferizaj.

“Mos shfleto, lexo!”

“Është me rëndësi që nxënësit tanë ta krijojnë shprehinë për të vizituar Panairin, ku, përveçse mund të blejnë titujt e preferuar, edhe mund të shfletojnë tituj të rinj”, ka theksuar Haliti. Pasdite ka postuar një fotografi në Facebook. “Por, pse jo, edhe mund të takohen me shkrimtarë e botues. Është një rast i mirë për kontakt më të afërt me botën e librit”.

“Mos shfleto, lexo!” është slogani i shtëpisë botuese “UETPress” nga Tirana, që rrok vëmendjen e shumë vizitorëve të Panairit. Në ballë të shtandit janë titujt për historinë e re politike të Shqipërisë, por edhe libra të gazetarëve të konvertuar së fundi në politikanë në Shqipëri.

Besian Zeneli, nënkryetar i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, ka thënë se sivjet ka pasur interesim shumë më të madh në mesin e të rinjve. Madje ngulmon se ka takuar lexues të rinj që kishin lista të shkruara për titujt e preferuar.

Më Shumë

Java nis me shi dhe bubullima në Kosovë, temperaturat deri në 33 gradë nga fundi i javës

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se me hyrjen në stinën astronomike të verës, Kosova do të ndikohet nga masa ajrore relativisht të paqëndrueshme,...

Prizreni vazhdon mbështetjen për viktimat e dhunës, nënshkruhet Memorandumi i Mirëbesimit

Komuna e Prizrenit ka nënshkruar sot Memorandumin e Mirëbesimit me Qendrën për Strehimin e Grave dhe Fëmijëve në Prizren, duke vazhduar mbështetjen institucionale për...

Lajmet e Fundit