2.2 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Paralajmërohen hetime ndaj bankave në Kosovë

Tash e një kohë, disa banka në Kosovë dyshohet se janë duke praktikuar mbylljen e llogarive bankare të disa Institucioneve Financiare Jobankare (IFJB) të cilat veprojnë në Kosovë, duke ua kufizuar kështu aktivitetin ekonomik.

Kjo çështje është ngritur si problematikë gjatë javës së kaluar në takimin e përbashkët që zhvilluan Ushtruesi i detyrës së Guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Bashkim Nurbojës, dhe kryetares së Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Neime Binaku-Isufit.

Gjatë këtij takimi, Nurboja ka kërkuar nga Autoriteti i Konkurrencës që t’i shikojë rastet, ku ka ankesa nga institucionet financiare jobankare për kufizimin e aktivitetit ekonomik, që po iu shkaktohet nga disa banka.

Mirëpo, nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës kanë pohuar për Buletinin Ekonomik se deri më tani të njëjtit nuk kanë pranuar asnjë ankesë nga këto institucione financiare. Megjithatë, ata shprehen të gatshëm që në rastet kur pranojnë ankesa të tilla, do të veprojnë menjëherë në bashkëpunim me BQK-në për trajtimin e këtyre rasteve.

“Ne si Autoritet deri më tani nuk kemi pranuar asnjë ankesë nga IFJB-të e licencuara nga BQK-ja. Dihet fakti se ky treg ka një rregullator pra, BQK-në, e cila si e tillë e ka për detyrë mbikëqyrjen/sjelljen e veprimtarisë financiare të operatorëve në këtë treg. Ne sapo të pranojmë informacionin nga ankuesit, në bashkëpunim me BQK-në do të fillojmë ta trajtojmë rastin sipas ligjit për mbrojtjen e konkurrencës”, kanë thënë nga AKK-ja.

Sipas Autoritetit të Konkurrencës, çdo sjellje e ndërmarrjeve në treg që mund të bie nën domenin e mandatit të Autoritetit, do të jetë pjesë e shqyrtimit dhe vlerësimit të Autoritetit, pasi siç thonë ata, detyra e Autoritetit të Konkurrencës është mbrojtja e konkurrencës së lirë në tregun financiar me anë të ndalimit të marrëveshjeve që kufizojnë konkurrencën ndërmjet subjekteve të licencuara, ndalimit të abuzimit të pozitës dominuese dhe kontrollit paraprak të përqendrimeve.

Ndryshe, gjatë takimit të lartëpërmendur, ushtruesi i detyrës së Guvernatorit, Bashkim Nurboja, kishte theksuar se mbyllja e xhirollogarive në mënyrë të njëanshme të institucioneve financiare jobankare nga ana e disa bankave nuk është praktikë e mirë, e sidomos kur nuk ka arsyetime të mjaftueshme.

Ndërkohë, kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Neime Binaku –Isufi, kishte thënë atë ditë se objektivi kryesor i politikës së konkurrencës është ruajtja e procesit konkurrues dhe nxitja e konkurrencës efektive në treg.

Sipas saj, ruajtja ose nxitja e konkurrencës efektive është e domosdoshme, duke pasur parasysh kufizimet që sektori privat apo ai shtetëror/publik mund t’i bëjnë konkurrencës.

Ndryshe, nga Autoriteti thonë se pas pranimit të kërkesës apo iniciativës për fillim të procedurës, apo ex officio, mund të veprojnë pas shqyrtimit paraprak të situatës në një treg. Në kuadër të kësaj, Autoriteti thekson se ka diskrecion të vlerësojë nëse ka interes publik apo ka kushte për fillim të procedurës ndaj një ndërmarrje, dhe pastaj e fillon procedurën ndaj ndërmarrjes. /Buletini

Më Shumë

Ylli mund Bashkimin e Prizrenit

Në një super ndeshje dhe me rikthime, Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore ndaj Bashkimit në Prizren me rezultat 69:72 (20:16, 15:16, 20:20, 14:20). Takimi...

Dy raste të sfidës ‘Superman’ në shkollat e Prizrenit, Policia dhe Komuna marrin masa

Zyrtarë të qeverisë komunale në Prizren dhe ata të Policisë së Kosovës kanë njoftuar se kanë ndërmarrë veprime për parandalimin e vetëlëndimeve të nxënësve...

Lajmet e Fundit