9.5 C
Prizren
E mërkurë, 27 Nëntor, 2024

Pas botimit në Turqi, revista turke shkruan: Zylot janë në çdo kohë!

Romani Shkëlqimi dhe rënia e Shokut Zylo”, jo vetëm një nga veprat më të mira të Dritëro Agollit, por edhe një nga librat më të përkthyer të shkrimtarëve tanë ka bërë së fundmi që të shkruajnë edhe mediet turke. Përkthimi i tij në turqisht duket se ka ngjallur kërshërinë e kritikëve, duke folur me superlativa për librin. Në një nga shkrimet e ditëve të fundit Dritëro Agolli përmendet si një nga dy shkrimtarët më të mëdhenj që Shqipëria i dha botës, duke u konsideruar si një shkrimtar klasik. Revista “Cins” përmend faktin se Agolli është një ndër figurat qendrore të letërsisë shqipe si dhe një ndër përfaqësuesit më të rëndësishëm të viteve ’60. Një nga episodet më interesante të rrëfyera nga kritika turke është ai, kur shkrimtari pavarësisht se ishte i ndërgjegjshëm për aftësitë e tij në lëmin e letërsisë bëri kërkesë për t’u bërë zooteknik. Kërkesë që do t’i refuzohej më vonë nga ministri i Arsimit të kohës, Kahreman Ylli i cili u shpreh se: “Ky djalë ka botuar poezi. Nuk është i detyruar të jetë veteriner. Duhet të vazhdojë të punojë si letrar”….

 

Hümeyra Çali?kan

 

Me tiparin e të qenit një labirint misterioz, natyra e njeriut pa marrë parasysh se në çfarë sistemi apo vendi ai jeton, premton një aventurë universale për ata që janë të prirur. Dhe dihet, çdo shkrimtar i madh e ndjek këtë aventurë. Sa është e mundur që ne mund të hasim një karakter të Dostojevskit në jetën tonë të përditshme aq është e mundur është që të jenë personazhet si ai i  Kemal Tahirit (shkrimtari turk) ende rreth nesh. Pra qenia e lirë nga një segment kohor dhe nga një hapësirë gjeografike, e shpëton një shkrimtar nga tipari i një qenieje të zakonshme. Po ashtu shpëton një libër duke e klasifikuar universal dhe klasik. Dritëro Agolli, një nga dy shkrimtarët më të mëdhenj që Shqipëria i dha botës, është një shkrimtar që mund ta quajmë klasik. Një roman nga seria e Letërsisë Ballkanike, i cili është botuar nga Shtëpia Botuese “Ketebe” Me titull: “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, përkthehet për herë të parë në turqisht.

 

Një roman që nuk do ta humbasë kurrë origjinalitetin e tij

 

Ky roman, në një qytet siç është Tirana, në një kohë në të cilën “liria” kurrë nuk mund të përmendej, në vitin 1972 pasi qe botuar kapituj-kapituj në një revistë humoristike të asaj kohe u botua më vonë i plotë si roman. Dritëro Agolli në romanin e tij “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” ka trajtuar me një stil satirik temën të cilën e njohim të gjithë; Absurditetet e burokracisë dhe rregullat e ngurta të socializmit të asaj kohe. Tema dhe gjuha e librit është lëvruar në atë formë që kurrë nuk do ta humbasë origjinalitetin e saj, por do të mbetet gjithmonë universale dhe e kuptueshme. Shoku Zylo, është Drejtori i Politikave dhe Çështjeve kulturore në një Drejtori në Tiranë. Demka, është sekretari dhe ndihmësi i shokut Zylo njëkohësisht është edhe krahu i djathtë i tij, i cili veprimet, mendimet dhe tiparet e shokut Zylo i tregon në mënyrë objektive. Romanin e lexojmë nga goja e Demkës. Ana më tërheqëse e romanit është rrëfimi i Demkës i cili shokun Zylo e tregon në mënyre objektive.

 

Zyloja është një karakter i cili merr pjesë në burokracinë shtetërore dhe si autoritet

 

Historia e shokut Zylo, i cili na shfaqet si një personazh i lidhur përherë me pushtetin, i jashtëzakonshëm, i fortë, ndonjëherë dinak dhe tek-tuk oportunist; sipas thënies së vetë Dritëro Agollit, romani lexohet nga lexuesi si një “përgjigje ndaj botës qesharake”. Zyloja është një karakter i cili merr pjesë në burokracinë shtetërore dhe si autoritet. Për këtë personazh nuk mund të themi totalisht se, është i keq ose i mirë. Përveç kësaj Zyloja nuk del as si një njeri i tmerrshëm ose i pështirë para lexuesit. Talenti i shkrimtarit zbërthehet pikërisht këtu, sepse ai shokun Zylo ia prezanton lexuesit si viktimë. Ai është një viktimë e burokracisë, e cila ka qenë shkaku i shumë dëmeve dhe i ideologjive të pakuptimta. Në fakt Zylot janë në çdo vend dhe për ne kjo nuk është një gjë e re! Siç është shprehur edhe vet gazetari Amerikan Christopher Hitchens; “Fillimi i çlirimit të njeriut është aftësia e tij për të qeshur dhe për t’u tallur me autoritetin!” Romani “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, është një roman që është botuar në kushtet e vështira të periudhës së socializmit dhe nën hijen e autoritetit. Dritëro Agolli këtë roman e ka shkruar duke u bazuar në njerëz dhe personazhe të vërteta, dhe me një liri të kufizuar aq sa u ka lejuar regjimi i asaj kohe i Enver Hoxhës, shkrimtarëve. Ky roman përcjell tek lexuesit atmosferën e kësaj periudhe të Shqipërisë. Është jashtëzakonisht interesant që ky vend i cili ka jetuar diktaturën në një hapësirë të mbyllur dhe me një varfëri të skajshme, mund të prodhojë vepra kaq të vlefshme të cilat sjellin një zë universal. Kur shqyrtojmë shembujt e burokracisë në këtë roman, shohim se asnjë person dhe karakter nuk ofendohet dhe nuk fajësohet. Ky roman na ballafaqon, në esencë me dobësitë e botës sonë të brendshme. Alegorinë penale e cila kërkon fajin e Kafkës, këtë herë ne e kërkojmë në një rreth të jetës së përditshme dhe me stilin e humorit.

Romani Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, edhe pse në shikim të parë duket sikur është një roman i cila ndjek rregullat strikte të realizmit socialist që nuk lejonte lirinë dhe diskriminimin; në fakt është një vepër e shkruar me inteligjencë dhe mjeshtëri të madhe. Agolli ka bërë një vepër, e cila mund ta kritikojë sistemin me një humor të hollë dhe me një zgjuarsi të mprehtë. Romani i cili është përkthyer në shumë gjuhë botërore ka marrë vëmendje të konsiderueshme në të gjitha vendet ku është botuar. Rrugëtimi i personazhit Zylo ka siguruar një ballafaqim për njerëzit e çdo kulture. Çdo lexues në këtë roman do ta gjejë një njeri të njohur nga jeta e tij, sepse do të përballet me vërtetën e qenies njerëzore. A nuk janë të gjitha romanet e mira të shkruara sikur na kanë edhe ne brenda vetes të tyre?

 

 

*  *  *

 

Nga Ayhan Demir, Revista Cins

 

Dritëro Agolli është një ndër figurat qendrore të letërsisë shqipe. Në të njëjtën kohë është njëri nga përfaqësuesit më të rëndësishëm të brezit të viteve ‘60. Veprat e tij janë në gjini të ndryshme të letërsisë si poezi, tregime, romane, drama dhe skenarë. Agolli lindi më 13 tetor 1931 në fshatin Menkulas, në krahinën e Devollit, pranë qytetit të Korçës. Aty mbaroi shkollën fillore. Në moshën trembëdhjetëvjeçarë mori pjesë në Luftën Nacionalçlirimtare. Ishte korrier i batalionit partizan. Duke folur për ato vite, ai kujton: “Kur filloi lufta për çlirim, shkova pranë partizanëve dhe mora pjesë në luftë. Isha i detyruar të mbaja armë në dorë. Këtë e kërkonte lufta. “Arsimin e mesëm e përfundoi në shkollën “Asim Zeneli”. Katër vjetët në Gjirokastër ishin si një akademi për të. Duke qenë në këtë shkollë, ai botoi punimet e para në letërsi. Në moshën 14-15-vjeçare shkroi vjersha dhe tregime të shkurtra. Në vitin 1947 iu botua vjersha e parë në gazetën “Rinia”. Atë e tregon me krenari të madhe: “Babai preu copën e gazetës ku ishte botuar poezia, e vuri në kuti. Ky është poeti im, thoshte duke u mburrur në fshat.”

Vitet në Bashkimin Sovjetik

Ndonëse e dinte se do të mund të ishte i aftë në lëmin e letërsisë, mendoi që të ecte në rrugë të tjera të jetës dhe bëri kërkesë për zooteknik. Kahreman Ylli, ministri i Arsimit i kohës, nuk ia pranoi këtë dëshirë.  “Ky djalë ka botuar poezi. Nuk është i detyruar të jetë veteriner, Duhet të vazhdojë të punojë si letrar. “Këto fjalë të ministrit i  ndryshuan jetën e Agollit. Në 1952 shkoi në Leningrad. Ndoqi Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Leningradit. Përktheu në shqip veprat e Pushkinit, Lermontovit, Çehovit, Tolstoit, Gogolit, Buninit, Dostojevskit dhe Bagrickit. U njoh me Erenburgun, Tvardovkskin dhe Nazim Hikmetin. Në vitin 1956 u martua më Nina Novikovën, mësuesen e gjuhës angleze, me të cilën u njoh në Bashkimin Sovjetik.  Nga kjo martesë lindi një djalë, Arjani. Në vitin 1957 u kthye në Tiranë, ku do të kalonte 55 vjet të jetës së tij Dha leksione në Universitetin e Tiranës. Në të njëjtën kohë filloi të shkruajë në gazetën “Zëri i Popullit” ku punoi për 15 vjet. Prishja e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Rusisë u pasqyrua edhe në martesën e tij. Në vitin e shtatë të martesës, ata u ndanë për të mos e parë më njëri-tjetrin. Pas ty vjetësh u martua me Sadie Kecaj, edhe ajo gazetare dhe shkrimtare si ai. Lindën dy fëmijë, Artanin dhe Elonën.

Agolli hyri si protagonist në letërsinë shqiptare. U bë njëri ndër përfaqësuesit e rëndësishëm në rang botëror të një gjuhe të vogël. Hodhi themelet e traditës së re të letërsisë shqiptare. Nuk solli risi vetëm në strukturën e tregimit, por edhe në galerinë e karaktereve. Heronjtë e tij sa të çuditshëm po aq ishin të zakonshëm, sa madhështorë po aq të thjeshtë, sa tragjikë po aq komikë. Sipas Agollit, “Shkrimtarët janë bij të popullit. Një shkrimtar i madh veprat e tij duhet t’i zgjedhë nga çështjet aktuale dhe jeta reale e popullit.”

Veprat e para

Vepra e parë e Dritëro Agollit, libri “Në udhë dola” u botua në 1958. Poezitë e këtij libri morën notë pozitive nga kritikët. Pas këtij hapi të parë, pati botime të reja. Testi i dytë letrar i shkrimtarit shqiptar ishte përsëri me poezi me titull “Hapat e mia në asfalt”. Atë e ndoqën “Zhurma e erërave të dikurshme” (1964) dhe “Shtigje malesh dhe trotuare” (1965). Por libri “Zhurma e erërave të dikurshme”, që ishte një përmbledhje tregimesh, u ndalua dhe u shndërrua në karton. Vepra e parë me të cilën Dritëro Agolli u bë i njohur si shkrimtar ishte “Komisari Memo”. Ky roman i botuar në 1970 në fillim ishte menduar si një tregim i shkurtër. Trajtonte heroizmin e partizanëve gjatë viteve të Luftës. Mbështetur në këtë roman u shkrua skenari i filmit “I teti në bronz”. Ky film u shfaq edhe në Kinë dhe u mirëprit nga publiku. Agolli krijoi edhe vepra interesante. Për shembull romani satirik “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo” vërtetoi se shkrimtari e meritonte famën e krijuar. Romani fillimisht në vitin 1972 u botua në revistën “Hosteni” dhe pas një viti si libër më vete. Ky roman është vepra e tij më e përkthyer dhe më e botuar në gjuhë të huaja. Lexuesit njihen me historinë e një burokrati, drejtues i një qendre kulturore, i cili  në thelb është njeri i mirë, por i paaftë. Demka, kolegu i tij punëtor dhe i zgjuar, tregon rënien ironike të Zylos, i cili sillet sa çuditshëm po aq edhe për t’u dhimbsur. Zylo është një figurë universale, që mund të gjendet në çdo shoqëri dhe në çdo epokë. Mehmet Shehu, kryeministri i periudhës diktatoriale komuniste  për këtë libër i tha Agollit : “Me këtë libër asgjësuat administratën.”Romani “Njeriu me top” rrëfen ndikimin e luftës mbi njerëzit. Po të krahasohet me “Komisarin Memo”, vihet re një qëndrim i ndryshëm dhe më i thellë i temës së luftës partizane.

Aspekti politik

Në vitin 1972 Dritëro Agolli ishte sekretar i përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Një vit më vonë u zgjodh kryetar i Lidhjes. Këtë detyrë e vazhdoi deri sa doli në pension më 31 janar 1992. Krahas qenies shkrimtar dhe personalitetit të tij intelektual, Agolli është njohur edhe si figurë politike. Në vitet 1974-2005 ai ishte deputet në Kuvendin Popullor dhe në Parlamentin e Shqipërisë. Zbatuesit e censurës komuniste i ndaluan botimin e dramës “Mosha e bardhë” në 1980 dhe disa tregime në revistën “Nëntori”. Është tragjik fakti se këto dy veprat u fundit iu ndaluan gjatë periudhës që ishte kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.   Agolli ka mbrojtur idenë se shkrimtari duhet të jetë polemist dhe gjithmonë opozitar. Ndonëse ishte një emër ndikues në lidershipin komunist, ai tërhiqte vëmendjen si një person që kritikonte regjimin e Enver Hoxhës. Megjithë këtë, pas shembjes së komunizmit, ai ishte i vetmi që deklaroi hapur se kishte qenë komunist dhe kishte punuar për komunizmin. Në vitet e mëvonshme vazhdoi të ishte një ndër mentorët e Partisë Socialiste.  Në vitin 1980 Agolli erdhi në Turqi dhe si i ftuar i Jashar Qemalit vizitoi Stambollin dhe Adananë. Kjo dyshe më parë kishte vizituar Elbasanin, Durresin, Krujën, Korçën dhe Shkodrën. Në ndryshim nga Ismalil Kadare, Dritero Agolli gjatë gjithë jetës së tij  mbështeti marrëdhëniet turko-shqiptare. Ai gjithmonë u shpreh se nuk janë të vërteta pretendimet se “Turqia ushqen politike neo-osmane”, se këto pretendime janë “absurde dhe amatoreske”. Ai mbrojti idenë se Shqipëria, së bashku me Kosovën, është e detyruar të bashkëpunojë  me Turqinë.

Më Shumë

Kosova kundër Islandës në Play-Off për Ligën B të Ligës së Kombeve

Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Kombëtaren e Islandës në muajin mars të vitit 2025, në kuadër të play-off-it për promovim në Ligën...

Kryetari i Rahovecit njofton për vdekjen e veprimtarit të UÇK-së, Sabri Popaj

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka njoftuar sot me pikëllim të thellë për vdekjen e veprimtarit dhe ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të...

Lajmet e Fundit