4.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Pas plotësimit të aktakuzës, ish-drejtori dhe dy zyrtarë të Komunës së Dragashit sërish kërkojnë të hudhet poshtë aktakuza ndaj tyre

Pas plotësimit të aktakuzës, Gjykata Themelore në Prizren, ka vazhduar shqyrtimin e dytë, në rastin ku ish-drejtori i Financave në Komunën e Dragashit, Ahmet Bahtijari, si dhe dy zyrtarëve tjerë të kësaj komune, Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, të akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe për konflikt interesi.

Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Ahmet Bahtijarin, përveç për keqpërdorim të detyrës zyrtare, akuzohet edhe për konflikt të interesit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e kaluar që ishte mbajtur më 26 shtator 2019, pas leximit të aktakuzës nga prokurori i rastit Mehdi Sefa, gjyqtarja Raime Elezi, ka marrë vendim që të bëhet plotësimi aktakuzës.

Ndërsa, në seancën e së hënës prokurori Sefa, ka bërë plotësimin e aktakuzës duke thënë se sa i përket dispozitivit të parë dhe të tretë pas emrit Ahmet Bahtijari, shtohet “në kundërshtim me nenin 26 të Rregullores 01/2013 për shpenzimin e parasë publike”.

Kurse, në dispozitivin e dytë, sipas prokurorit, në rreshtin e katërt ku thuhet ka interes financiar shtohet “në kundërshtim me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit nr.04/L-051”, dhe pjesa tjetër e aktakuzës, sipas tij, mbetet e pandryshuar.

Pas plotësimit të aktakuzës, të akuzuarit Ahmet Bahtijari, Avni Nebihu e Selajdin Vehbi kanë kërkuar që ajo të hudhet poshtë si e pabazuar.

I akuzuari Ahmet Bahtjari, ka thënë se prokuroria ka precizuar ekzekutimin e pagesave në bazë të nenit 26 të Rregullores 01/2013, mirëpo sipas tij, zyrtari zotues nuk bën ekzekutimin e pagesave, por ndanë mjetet në bazë të kërkesës.

“Zyrtari Zotues nuk ekzekuton pagesat por ndan mjetet në bazë të kërkesës së zyrtarit autorizues së pari kontrollon a disponon me mjetet në sistemin informativ të menaxhimit financiar apo fre-balancë e pastaj nëse ka mjete i zoton, por nuk merr pjesë në zotim, andaj konsideroj se precizimi i aktakuzës në nenin 26 të rregullores është i pabazë”, ka thënë Bahtijari.

Precizimin e aktakuzës e ka kundërshtuar edhe i akuzuari Avni Nebiu, duke thënë se prokurori nuk e ka asnjë bazë për shkeljen e kontratës mbi servisimin si dhe Ligjin mbi Prokurimin Publik ku sipas tij, saktë precizon detyrat dhe obligimet e zyrtarit autorizues.

Ai i ka dorëzuar gjykatës origjinalin e autorizimit si zyrtar autorizues dhe kontratën për servisimin, ku sipas tij, ai është autorizuar dhe i obliguar që si zyrtar të autorizojë zyrën e prokurimit që të vazhdojë procedurat e nevojshme për çdo veprim ekonomik apo shpenzim që bëhet në kuadër të Ligjit për Prokurim Publik.

Kërkesë për hudhjen e aktakuzës ka paraqitur edhe Selajdin Vehbi, i cili ka deklaruar se ai nuk e ka shkelur kontratën të cilën e ka nënshkruar zyra e prokurimit.

“Të gjitha pagesat vijnë nga zyra e prokurimit dhe kalojnë përmes zyrtarit zotues, i cili kontrollon se a ka mjete të mjaftueshme për servisimin e automjeteve dhe nëse ka mjete e bënë zotimin e mjeteve dhe e lajmëron zyrtarin autorizues për nënshkrimin e pagesës, e në këtë rast ka qenë drejtori i Administratës Avni Nebihu”, ka thënë i akuzuari Vehbi.

Prokurori Sefa, gjatë seancës të së hënës ka kërkuar nga gjykata që në rast të vazhdimit të kësaj çështje penale në shqyrtim kryesor, në cilësi të ekspertit financiar të prokurimit të ftohet Agim Shiqiri.

Gjykatësja Raime Elezi, ka thënë se për kërkesën e palëve do të merr vendim brenda afatit ligjor.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, më 31 maj 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, të cilët i ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës apo autoritetit zyrtar, ndërsa Ahmet Bahtjarin, përveç për keqpërdorim të detyrës zyrtare, akuzohet edhe për konflikt të interesit.

Sipas aktakuzës, Ahmet Bahtijari akuzohet se gjatë periudhës 2004, e deri më 2017, në cilësinë e Drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i tij, Armend Bahtjari.

Në aktakuzë thuhet se kjo ka ndodhur në atë mënyrë që i pandehuri Bahtijari, i ka mundësuar lidhjen e marrëveshjes me Kuvendin Komunal të Dragashit për dhënie në shfrytëzim të pronës komunale, parcelën në sipërfaqe prej 122 m2, dhe e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik për servisim “LML”, për rregullimin e automjeteve, kështu që i mundëson djali të tij dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3069 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro, dhe për vitin 2017, shumën prej 1532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, e cila ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragashit.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Bahtjari akuzohet se në periudhën e njëjtë kohore, në cilësinë e drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, personalisht merr pjesë në çështje zyrtare në të cilën anëtari i familjes-djali i tij, Armend Bahtjari ka interes financiar, në atë mënyrë që e nënshkruan urdhërpagesën e servisimit të automjeteve zyrtare në servisin “Menti” dhe, kështu i mundëson djali të tij, dobi pasurore si pronar i servisit “Menti”, për vitin 2015, shumën prej 3069 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1532 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “konflikt i interesit”, nga neni 424 paragraf 1 të KPRK.

Ndërsa, sipas aktakuzës, Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, akuzohen se gjatë periudhës nëntor 2014, e deri në kohë të pacaktuar, në cilësi të personave zyrtar të Komunës së Dragashit, Avni Nebiu, zyrtar autorizues i pagesave, ndërsa Selajdin Vehbi, zyrtar certifikues, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare apo autoritetin zyrtar, kanë tejkaluar kompetencat me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për servisin “Menti”, pronar i të cilit është djali i drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit.

Në aktakuzë thuhet se të pandehurit Avni Nebiu dhe Selajdin Vehbi, nënshkruajnë urdhërpagesat e servisimit të automjeteve zyrtare, në servisin “Menti”, në bazë të faturave edhe pse Kuvendi Komunal i Dragashit, ka pasur kontratë me operatorin ekonomik “LML” për rregullimin e automjeteve, kështu që i mundëson dobi pasurore pronarit të servisit “Menti”, për vitin 2015 shumën prej 3069 euro, për vitin 2016, shumën prej 712 euro dhe për vitin 2017, shumën prej 1532 euro, duke dëmtuar kështu operatorin ekonomik “LML”, e cila ka pasur kontratë për servisimin e automjeteve të Komunës së Dragash.

Me këto veprime, ata akuzohen se kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.4 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Juventusi nis punën për transferimin e Zhegrovës

Juventusi në verë mund të nënshkruaj me yllin e Kosovës, Edon Zhegrova. “Zonja e Vjetër” rikthehet në Ligën e Kampionëve, prandaj do të investojë në...

16 kosovarë janë ndaluar nga autoritetet serbe, mbi 300 të bllokuar në kufi

16 kosovarë janë ndaluar nga autoritet serbe në pikën kufitare Kroaci-Serbi. Janë mbi 300 udhëtarë të cilët janë bllokuar në këtë pikë kufitare me...

Lajmet e Fundit