14.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

PDK akuzon pushtetin për keqpërdorim në rezerva shtetërore, kërkon hetime

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Eliza Hoxha sot ka akuzuar qeverinë për keqpërdorim të rezervave shtetërore.

Ajo në një konferencë për media tha se afera e re e përgjimeve “që dëshmon vjedhjen e qeverisë në rezervat shtetërore, është hajni e paprecedentë që e ka instaluar pikërisht qeveria e Albin Kurtit”.

Deputetja e quajti të paaftë ministren e të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarin, për të cilën tha se ka qenë protagoniste e skandaleve.

Ajo tha se përgjimet e publikuara nga mediat, dëshmojnë për negociatat e qeverisë me palë të treta, për kompani fiktive e me llogari bankare fiktive.

Ajo i bëri ftesë organeve të drejtësisë që të marrin masa të menjëhershme për siç tha ajo, për abuzimet dhe aferat në MINT.

“Rozeta Hajdari, është një ministre e paaftë, e cila për dy vite e gjysmë, jo vetëm që nuk ka pasur kurrfarë rezultati, por ka qenë protagoniste e skandaleve të njëpasnjëshme. Po ju përkujtoj që Rozeta Hajdari është ministre e dënuar dhe me aktakuzë për dy çështje të ndryshme…Përmes përgjimeve të fundit të publikuara, që kanë për protagonistë zyrtarë të Ministrisë së Tregtisë, Industrisë dhe Ndërmarrësisë, të cilët flasin për dallavere, për blerjen e rezervave shtetërore, tashmë është bërë e qartë se Rozeta Hajdari ka kryer keqpërdorim dhe abuzim me detyrën e saj zyrtare, duke kontraktuar mallra dhe duke i paguar të njëjtat, pa i pranuar ato…Të vjedhësh e të abuzosh me elmentet bazike të jetesës, siç është gruri, vaji e të tjera është hajni e paprecedentë, që ka instaluar pikërisht Qeveria Kurti… Për këto abuzime e afera korruptive në Ministri të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, ne i bëjmë ftesë organeve të drejtësisë që të marrin masa të menjëhershme, së pari për të ndalë abuzimin e mëtejmë që mund të jetë duke ndodhur edhe tani. “, tha ajo.

Hoxha tha se ministrja Hajdari, si instrument i kryeministrit Albin Kurti, veproi njësoj edhe duke ia revokuar licencën Klan Kosovës, që siç tha, është njëri prej mediumeve më të mëdha në vend.

Ndër të tjera, ajo foli edhe për rastin e Klan Kosovës, me ç’rast tha se mbyllja arbitrare e një mediumi përbën një kërcenim të hapur për sistemin e vlerave demokratike.

“Ky veprim i paprecedent, përbën një akt autoritar që ndodh në një shoqëri demokratike, dhe shpërfaq zellin e madh që ka Albin Kurti dhe qeveria e tij kundër mediave dhe fjalës së lirë. Me këtë veprim, kryeministri Albin ia ka vënë një njollë të errët Republikës së Kosovës dhe rendit tonë demokratik, të cilin e kemi aspiruar dhe e duam në mesin tonë. Mbyllja arbitrare e një mediumi që nxiti reagime të shumta vendore e ndërkombëtare, jo vetëm që nuk mund të arsyetohet, por përbën një kërcenim të hapur për sistemin e vlerave demokratike dhe në fakt është i papranueshëm.”, tha Hoxha.

Tutje, Hoxha u shpreh se për Partinë Demokratike zgjedhjet janë të pashmangshme dhe duhet të ndodhin sa më parë në mënyrë që Kosova të rikthehet në profilin e saj si një shtet i ri e plot shpresë dhe me orientim të qartë e zhvillim shoqëror dhe ekonomik e demokratik.

Ndërkaq, për mosvotimin e marrëveshjeve ndërkombëtare nga PDK, ajo tha se nuk do t’i votojnë shkaku i sanksioneve të vendosura ndaj Kosovës.

“Po besoj që vendimi i Këshillit Drejtues të Partisë Demokratike të Kosovës për mosvotim të asnjë dokumenti legjislativ në Kuvendin e Kosovës ka ardhur së fundi…Ky veprim i PDK-së ka ardhur pikërisht për arsye të sanksioneve për arsye të veprimeve të Albin Kurtit dhe është e pakuptueshme, edhe nëse i votojmë ato marrëveshje, përderisa edhe IPA edhe shumë sanksione tjera nga BE dhe Amerika, domethënë që lidhen pikërisht me këto marrëveshje nuk kanë mundësi të zbatohen. Prandaj, krejt kjo farsë se marrëveshjet nuk kalojnë sot sepse PDK nuk i voton është e paqëndrueshme në fakt, për shkak të sanksioneve që i kemi.”, shtoi Hoxha.

Më Shumë

Rreth 60 aksidente trafiku për 24 orë

Brenda 24 orëve në Kosovë u shënuan 59 aksidente trafiku. Kështu bën me dije raporti i policisë. Po ashtu u regjistruan 24 aksidente me të lënduar...

Rrugët e Prizrenit përmbyten nga ujërat si pasojë e reshjeve të shiut

Rrugët e qytetit të Prizrenit janë përmbytur nga ujërat si pasojë e shiut të rrëmbyeshëm në orët e pasditës. Qytetarë të ndryshëm në rrjete sociale...

Lajmet e Fundit