Me manifestimet e djeshme të realizuara në Sheshin Shadërvan në Prizren, u përmbyll një javë e plotë e Ditëve të Trashëgimisë Shpirtërore. Në ngjarjet përmbyllëse performuan vullnatërt e ShKA “Agimi” dhe instrumentistët e Kuartetit Pentagram, ndërsa në të njëjtën kohë të pranishmit e vizitonin mini-panairin e artizanateve dhe e shijonin ushqimin tradicional të rajonit të Prizrenit. Dita u përmbyll me ndarjen e certifikatave për pjesëmrrësit e punëtorisë pesë ditore të Filigranit, aktivitet qendror i Ditëve të Trashëgimisë Shpirtërore HAJDE!.
“Manifestimet për të kremtuar trashëgiminë jomateriale (shpirtërore) u organizuan në kuadër të projektit të përbashkët të BE/KE për Përkrahjen dhe Promovimin e Diversitetit Kulturor në Kosovë, nga 23 deri më 28 shtator 2014. Ditët e Trashëgimisë Kulturore HAJDE! në Prizren u organizuan nga EC Ma Ndryshe, ndërsa qëllimi i këtij aktiviteti ishte promovimi i trashëgimisë kulturore të rajonit të Prizrenit dhe nxitja e qytetarisë aktive për mbrojtjen e këtyre vlerave”, thuhet në kumtesën e OJQ-së “EC Ma Ndryshe”.
“Në këtë javë kushtuar trashëgimisë jomateriale (shpirtërore) aktivitetet ishin të ndara në grupe, Punëtoria e zejes së Filigranit për të rinjtë dhe Hapësira Publike e Padukshme. Punëtoria e zejes së Filigranit kishte 12 pjesëmarrës nga Shkupi, Gjakova, Korça, Juniku, Prizreni, Prishtina e Tirana. Gjatë gjithë javës, këta të rinj kanë punuar me mjeshtrit e filigranit nga Prizreni dhe njëkohësisht kanë ndjekur një program ligjëratash dhe vizitash të trashëgimisë kulturore. Pas përfundimit të punëtorisë, secili pjesëmarrës prodhoi nga një vepër filigrani, të cilat u ekspozuan në ditën përmbyllëse të HAJDE!”.
“Pjesa e dytë e aktiviteteve të HAJDE! u mbajt në Sheshin Shadërvan të Prizrenit dhe kishte për qëllim ekspozimin e praktikave shpirtërore të trashëgimisë në Hapësirën e Padukshme Publike të qytetit. Gjatë këtyre ditëve, në hapësirën publike u paraqitën Aziza Shefitagiq nga fshati Lubinjë e Poshtme me traditën e lashtë të pikturimit të fytyrës së nuseve nga rajoni i Zhupës, rapsodët e Malishevës me interpretimin e këngëve kreshnike dhe Ramadan Bajselmani nga Suhareka me mizhnicë (gajde) dhe fyell. Në ditën e fundit të javës HAJDE! performuan valltarët e ShKA Agimi nga Prizreni dhe instrumentistët e Kuartetit Pentagram, derisa në mini-panairin e artizanateve po ekspozoheshin produktet e punuara me dorë të filigranit, plisave, briskave dhe veshjeve tradicionale. Nëkëtë ditë u promovua edhe gastronomia tradicionale e rajonit të Prizrenit”.
Ky aktivitet është mbështetur financiarisht nga projekti i përbashkët i BE/KE për Përkrahjen dhe Promovimin e Diversitetit Kulturor në Kosovë. /PrizrenPress.com/








