Ka përfunduar gjykimi ndaj Arbisjon Kotorrit dhe Besim Gashit, të akuzuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhje”.
Në seancën e mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, palët kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Atnor Skoro tha se është vërtetuar se të pandehurit janë fajtorë.
“Nga dëgjimi i të dëmtuarës Sevdije Berisha, e cila në detaje e ka përshkruar rastin sic ka ndodhur me datë 29 prill 2017, ku në shtëpinë e saj familjare të pandehurit kanë qenë duke punuar si molerë dhe përveç të njëjtëve në shtëpi nuk ka pasur qasje askush, si dhe nga provat materiale që janë administruar gjatë seancave, konsiderojmë se në tërësi është vërtetuar se këtu të pandehurit kanë kryer veprën penale objekt i akuzës.”, ka deklaruar prokurori, duke i propozuar gjykatës që të akuzuarit të dënohen sipas ligjit.
E dëmtuara Sevdije Berisha ka deklaruar se qëndron në tërësi pranë deklaratave të dhëna dhe se kërkon kompensim për shqetësimin shpirtëror e dëmin material.
Kurse, të pandehurit Kotorri e Besim Gashi kanë thënë se nuk janë fajtor për veprën që ngarkohen, duke shtuar se në shtëpinë që është pjesë e aktakuzës kanë lëvizur çdo ditë nga 5 persona.
Pas dëgjimit të tyre, gjyqtari Lavdim Bajraktari e ka konsideruar të përfunduar shqyrtimin gjyqësor, ndërsa shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për 16 prill 2021, në ora 9:00.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të përpiluar më 28 shtator 2017, Arbisjon Kotorri dhe Besim Gashi akuzohen se më 29 prill 2017, në orë të pavërtetuar, në shtëpinë e të dëmtuarës Sevdije Berisha në Suharekë, me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, derisa ishin duke punuar si moler në shtëpinë e të dëmtuarës, të akuzuarit kishin marrë një pesëlirësh me vlerë prej 1,200 euro, një zingjir në vlerë prej 1,100 euro, zingjir me varëse “Versace” me vlerë prej 300 euro, dy unaza të arit në vlerë prej 500 euro, një unazë në formë ure në vlerë prej 220 euro dhe një zingjir dore në vlerë prej 180 euro, të gjitha këto në total prej 3,500 euro, me çka të dëmtuarës i shkaktojnë dëme të konsiderueshme materiale.
Andaj, me këto veprime të lartcekurit akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vjedhje” nga neni 325 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KP-së. /BetimipërDrejtësi