Në seancën e së martës, në Gjykatën Themelore të Prizrenit, ka filluar dhe ka përfunduar rigjykimi ndaj të akuzuarës për falsifikim të dokumentit zyrtar, Behare Kryeziu.
Ajo akuzohet se në cilësinë e drejtoreshës së shkollës “Mustafa Bakiu” në Prizren, ka përpiluar një vërtetim me të dhëna të rreme, të cilin më pas e ka nënshkruar dhe vulosur, në mënyrë që të përdoret për punësim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ndryshe, në këtë seancë të rigjykimit, përveç fjalës hyrëse, janë dëgjuar edhe dëshmitarët Selim Osmani dhe Suzana Ajazi, po ashtu është marr në pyetje e akuzuara Kryeziu, si dhe është dhënë fjala përfundimtare nga palët në procedurë.
Për më tepër, për këtë rast, Gjykata Themelore në Prizren, më 22 maj të vitit 2018, ndaj të akuzuarës Kryeziu, kishte shpallur aktgjykim dënues, duke e dënuar atë me gjashtë muaj burgim me kusht.
Prokurori Metush Biraj, në fjalën hyrëse të tij, ka thënë se nga provat e siguruara gjatë hetimeve, si dhe nga provat materiale dhe dëgjimin e dëshmitarëve, do të vërtetohet teza e akuzës me të cilën sipas tij, e akuzuara e ka kryer veprën për të cilën ngarkohet.
Kurse, mbrojtësi i të akuzuarës Kryeziu, avokati Kujtim Kërveshi, në fjalën hyrëse, ka thënë se prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë me të cilën e mbështet aktakuzën.
“Konsiderojmë se prokuroria nuk ka ofruar asnjë provë materiale që e mbështet aktakuzën e saj, prove të besueshme, origjinale me të cilën edhe pse në fazën e hetimeve e pandehura do të ballafaqohej me vërtetësinë e përmbajtjes së pretendimit, vulës dhe nënshkrimit original. Mbrojtja është e bindur se asnjëri nga ne nuk disponon me një provë të tillë në origjinale dhe se është e pakuptimtë një aktakuzë e cila mbështetet në një provë fotokopje”, ka thënë avokati Kërveshi.
Pas fjalës hyrëse të avokatit, seanca ka vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit Selim Osmani, i cili në këtë rast është sekretar në shkollën fillore “Mustafa Bakiu” në Prizren, në bazë të të cilit edhe kishte filluar kjo procedurë penale.
Ai në pyetjen e prokurorit Biraj, ka thënë se qëndron pranë deklaratave të dhëna në gjykatë dhe prokurori, derisa rasti ishte duke u gjykuar në shkallë të parë.
Kurse, në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Ajser Skenderi, se a ka kryer praktikë Suzana Ajazaj në shkollën “Mustafa Bakiu”, ku ai është sekretar, dëshmitari ka thënë se ajo nuk ka kryer praktikë në këtë shkollë.
Më pas, dëshminë e saj, e ka dhënë edhe Suzana Ajazaj, për të cilën sipas akuzës së prokurorisë, është lëshuar një vërtetim lidhur me faktin se ajo e ka bërë punën e edukatores për gjashtë muaj, në shkollën fillore “Mustafa Bakiu”, në Prizren.
Në pyetjen e prokurorit Metush Biraj, se kush ia ka lëshuar vërtetimin e 23 nëntorit 2016, të cilin sipas prokurorit, ajo e ka dorëzuar në Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA), në muajin shkurt-mars 2017, dëshmitarja Ajazaj, ka thënë se atë e ka lëshuar drejtoresha e shkollës, Behare Kryeziu.
“E ka lëshuar drejtoresha e shkollës Behare Kryeziu, por unë atë vërtetim nuk e kam parë, respektivisht vërtetimin e kam marr nga drejtoresha, por nuk e kam lexuar përmbajtjen, pasi që ka qenë dita e fundit për aplikim dhe jam ngutur që t’i mbledh të gjitha dokumentet dhe se atë vërtetim së bashku me dokumente të tjera, e kam dorëzuar në DKA në Prizren”, ka thënë dëshmitarja Ajazaj.
Në pyetjen tjetër të prokurorit Biraj, se në shkollën e lartcekur a e ka kryer vetëm praktikën apo edhe e ka zëvendësuar edukatoren për gjashtë muaj, dëshmitarja ka thënë se vetëm e ka kryer praktikën aty.
Dëshmitarja Ajazaj, është përgjigjur edhe në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarës Kryeziu, avokatit Kërveshi, i cili në pyetjen e tij, nëse ajo e ka parë ndonjëherë vërtetimin në fjalë, dëshmitarja ka thënë se jo.
Avokati Kërveshi, e ka pyetur dëshmitaren se ditën kur ka shkuar me marr atë vërtetim, nëse e ka parë që përpilimin e atij vërtetimi e ka bërë drejtoresha, e ka vulosur, e ka nënshkruar dhe e ka regjistruar në libër të protokollit, por dëshmitarja ka thënë se nuk e ka parë një gjë të tillë.
Duke u përgjigjur në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Ajser Skender, se në shkollën ku dëshmitarja Ajazaj, e ka kryer praktikën, a ka pas ndonjë evidencë të praktikantëve, Ajazaj ka thënë se ka pasur.
Më pas, në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Artan Sejrani, se si ka hyrë ajo si praktikante në shkollën “Mustafa Bakiu”, dëshmitarja ka thënë se në vitin e katërt të studimeve, e zgjedh shkollën dhe sipas saj, shkon e kryen praktikën për një gjysmë-vjetor.
Pas dëgjimit të dëshmitarëve, mbrojtjen e saj e ka dhënë edhe e akuzuara Behare Kryeziu, e cila në pyetjen e mbrojtësit të saj, avokatit Kërveshi, ka thënë se qëndron në deklarimet e dhëna në seancat e kaluara.
Në pyetjen e avokatit Kërveshi, se a ka iniciuar ndonjëherë procedurë disiplinore ndaj sekretarit të shkollës, dhe se sipas avokatit, a lidhet kjo procedurë në kohën kur me inicimin e këtij sekretari ndaj të akuzuarës Kryeziu, ka filluar procedura penale.
E akuzuara ka thënë se ka iniciuar një procedurë disiplinore ndaj tij, dhe se siç ka thënë ajo, gjatë inicimit të kësaj procedure, sekretari Selim Osmani, është suspenduar dhe gjatë kohës së suspendimit të tij, sipas të akuzuarës, ai është marr me këto dokumente.
Tutje, në pyetjen e mbrojtësit Kërveshi, se vërtetimi për Suzana Ajazaj, për të cilin po zhvillohet procedura, deri më sot, a i është ofruar në origjinal dhe a është pyetur e akuzuara se a është nënshkrimi i saj, ajo ka thënë se deri më tani atë vërtetim nuk e ka marr nga askush, duke shtuar se derisa dokumenti nuk është në origjinal, nuk mund të thotë se është nënshkrimi i saj.
Për më tepër, ajo ka thënë se ka qenë detyrë e sekretarit të shkollës të cilit i ka thënë se ai vërtetim duhet të anulohet, pasi që sipas saj, është lëshuar gabimisht, duke thënë se pasi që komisioni disiplinor e ka suspenduar sekretarin, është kuptuar se ai vërtetim është lëshuar gabimisht.
Duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarit të trupit gjykues, gjykatësit Sejrani, se a ka qenë në zyrën e saj Suzana Ajazaj, ajo ka thënë se nuk i kujtohet pasi që nuk e ka njohur, por sipas saj, Ajazaj i ka treguar se ka qenë praktikante në atë shkollë, dhe se në bazë të fjalëve të saj, e akuzuara ia ka lëshuar vërtetimin.
Pas dëgjimit të të akuzuarës, është dhënë edhe fjala përfundimtare për këtë rast, në të cilën prokurori Metush Biraj, ka thënë se mbetet në tërësi pranë fjalës përfundimtare të dhënë në shqyrtimin e kaluar, gjegjësisht më 21 maj 2018.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarës Kryeziu, avokati Kujtim Kërveshi, në fjalën e tij përfundimtare, përveç faktit se mbetet në fjalën e dhënë në shqyrtimin paraprak, ka thënë se prokuroria e bazon aktakuzën në provat që nuk i dihet prejardhja.
“Prokuroria e bazon akuzën në provat që nuk u dihet prejardhja, vërtetime e kopje, për të cilat nuk është vërtetuar vërtetësia asnjëherë. As me prova materiale, e as me deklaratat e dëshmitarëve. Në dy shqyrtimet, nuk është vërtetuar se e mbrojtura ime me dashje ka përgatitur një përmbajtje të pavërtetë të një dokumenti zyrtar, se s’ka pasur asnjë interes ta bëjë një gjë të tillë, e as që e ka njohur subjektin në fjalë, e as që dëshmitarja Ajazaj ka pasur ndonjë përfitim çfarëdo qoftë”, ka shtuar mbrojtësi i të akuzuarës.
Ndër të tjera, ai ka thënë se mbetet sipas kërkesës me shkrim të dorëzuar në fjalën përfundimtare, me të cilën kërkohet aktgjykim lirues për të mbrojturën e tij.
Aktgjykimin për këtë rast, gjykatësja Ajser Skenderi, ka thënë se do ta bëjë më 10 maj 2019, prej orës 14:00.
Gjykata Themelore në Prizren, më 22 maj të vitit 2018, ndaj të akuzuarës Kryeziu, kishte shpallur aktgjykim dënues, duke e dënuar atë me gjashtë muaj burgim me kusht, si dhe e njëjta ishte obliguar që në emër të shpenzimeve të procedurës të paguajë 200 euro dhe 50 euro tjera në emër të fondit për kompensimin e viktimave të krimit. Por, më pas, më 22 dhjetor 2018, ky rast është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, e cila kishte aprovuar ankesën e mbrojtjes.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, në aktakuzën e ngritur më 27 tetor 2017, e ngarkon Behare Kryeziun, se në cilësinë e drejtoreshës së shkollës “Mustafa Bakiu” në Prizren, ka përpiluar një vërtetim me të dhëna të rreme, të cilin më pas e ka nënshkruar dhe vulosur, në mënyrë që të përdoret punësim.
Sipas aktakuzës, e akuzuara ka lëshuar vërtetim për Suzana Ajazajn, kinse ajo ka bërë zëvendësimin e një edukatoreje të shkollës në fjalë, në periudhë prej gjashtë muajsh, i cili vërtetim më pas do të përdorej nga Ajazaj për të konkurruar për punësim si edukatore.
Andaj, organi i akuzës, pretendon se e akuzuara Kryeziu, me veprimet e saj ka kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar.