26 C
Prizren
E martë, 1 Korrik, 2025

I përndjekuri i dashurisë

DriteroAgolli me cigare“I përndjekuri i dashurisë” është një përmbledhje e poezive më të bukura të dashurisë, të shkruara që nga viti 1960 e në vijim nga shkrimtari Dritëro Agolli. Ky libër erdhi jo vetëm si mungesë e një përmbledhje të tillë, por si një dëshmi se poeti i madh Dritëro Agolli ka shkruar më shumë poezi dashuri se cilido tjetër poet bashkëkohor shqiptar. Libri u botua si një dhuratë e fëmijëve dhe bashkëshortes për 82 vjetorin e lindjes së shkrimtarit, 82 vite të kaluara mes poezisë, prozës, gazetarisë e mbi të gjitha mes dashurisë së pamasë të familjes dhe të të gjithë lexuesve të tij besnikë.

Në poezitë e dashurisë së Dritëro Agolli gjen të ndërthurura: përmasat e emocionit; dashurinë e pafat që përjeton drama dhimbjesh; zbërthimin e gjendjes shpirtërore; përplasje emocionesh në momente të kundërta; gjuhën e ironisë në përshkrimin emocionues të dashurisë e mbi të gjitha, ndërthurjen e dhembshurisë dhe himnizimit të figurës së femrës, si qenia më hyjnore në këtë botë.

Janë mbi 50 vjet poezi dashurie, të cilat tregojnë dhimbjen, gëzimin, emocionin e shkrimtarit Dritëro Agolli. Të gjitha këto të përmbledhura, si asnjëherë më parë në një botim të vetëm, ku cilido e gjen veten mes rreshtave të poezive. Si asnjëherë më parë, libri “I përndjekuri i dashurisë” vjen i shoqëruar me një CD në të cilën janë të regjistruara poezi të recituara nga vet shkrimtari Dritëro Agolli. E kjo mund të jetë dhurata më e bukur për të dashurit tuaj, një përmbledhje me poezi dashurie e një CD me zërin e veçantë të Dritëro Agollit, i cili reciton poezitë e tij. Libri vjen pikërisht në një kohë kur zënkat, debatet, mërzia, inatet e mëritë kanë zënë rrënjë të forta në shoqërinë tonë. E në këtë kohë kur njerëzit janë bërë më të distancuar nga njëri – tjetri, përmbledhja “I përndjekur i dashurisë” është ilaçi më i mirë për të kuruar shpirtrat e trazuar dhe për të risjell tek to, ndjenjën më të bukur: DASHURINË, të cilës Dritëro Agolli nuk do lodhet asnjëherë së shkruajturi./BW/

Nga Shtëpia Botuese “Dritëro”

Nga Dritëro Agolli

DASHURI E VËSHTIRË
Ti në kanape tani dremit
Ndofta gjumi ende s’të ka zënë,
Abazhuri mbi qerpikët ndrit
Libri nga gishtërinjtë të ka rënë

Para teje ndal mendimi im:
Jemi dashuruar edhe sharë
Jami ndarë hidhur në udhëtim,
Por drejt njëri-tjetrit kemi ngarë.

Dhoma hesht e rruga larg gjëmon,
Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë,
Unë, ndonëse pi dhe mogadon,
Mezi fle, se jam njeri pa gjumë.

Je për mua ëndërr çast e orë,
Teoremë e turbullt dhe dilemë…
Po të jem vërtet një Pitagorë,
Ti je më e vështira teoremë…

VEÇSE NJË ËNDËRR

Ja kështu, ti erdhe, ndenje, ike
Dhe sikur këtu nuk ishe kurrë
S’erdhe si e dashur, po si mike
Thjesht si vizitore tek një burrë.

Për takimin, tjetër ëndrra kisha,
Tjetër doli, siç u ndodh në botë
Ëndrrave në kulm të trëndafilta
Si një verë a trëndafil në gotë.

Dhe megjithatë them faleminderit,
Ti më dhe një fluturim mbi ëndërr
Nëpër portën hapur prej ylberit
Dhe s’ka gjë se ëndrra ishte zhgjëndërr.
E PARËNDËSISHMJA

Vërtet çka s’është e rëndësishme
Në ty e dua pa kufi,
Sikur një gjë madhore të ishte,
Sikur të kishte rëndësi:

Për shembull, palën e fustanit
Dhe kopsën varur në një pe,
Apo tri qimet e nishanit,
Që për të trija bëj një be…

Ti qesh me mua shumë e hijshme,
Kur them: ta dua si fidan
Atë çka s’është e rëndësishme,
Se vetë i rëndësishëm jam…

Më Shumë

Krasniqi: Kurti s’e kërkon kompromisin, por vetëm aktron

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është deklaruar pas përfundimit të takimit të thirrur nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti,...

Vazhdojnë besnikërinë te Liria: Elshani dhe Susuri qëndrojnë në Prizren

Dy nga lojtarët më të rëndësishëm të Lirisë së Prizrenit, Egzon Elshani dhe Xhevat Susuri, kanë rinovuar kontratat dhe do të jenë pjesë e...

Lajmet e Fundit