9.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Pikëpyetje e madhe për zgjedhjet në vjeshtë

J eta institucionale në vend po vazhdon të jetë e brishtë dhe aspak funksionale, kurse Kuvendit shpesh po i mungojnë edhe numrat e bollshëm të koalicionit qeverisës për procese serioze vendimmarrëse. Subjektet politike akoma nuk kanë një dakordancë të përbashkët, që për motiv të daljes nga kjo situatë të gjejnë një afat optimal të shkuarjes në zgjedhje të reja dhe vendi të dalë nga kjo situatë jofunksionale e institucioneve, në të cilën është zhytur tash e dy vite të plota. Subjektet politike të pozitës as që duan të flasin për mundësinë e mbajtjes së shpejtë të zgjedhjeve të reja, aq më pak që ato të ndodhin gjatë këtij viti, me vjeshtën si kohë preferenciale e konsensusit të gjerë politik, derisa opozita është shumë këmbëngulëse që ky vit kalendarik të jetë vit zgjedhor, dhe kutitë e votimit të mos e kalojnë pa u hapur së paku në stinën e vjeshtës për t’i dhënë vendit një qeverisje të re, e cila do të niste nga pika zero të gjitha proceset e rëndësishme, që gjenden para shtetit të Kosovës.

Në LDK, parti që udhëheq Qeverinë e vendit, nuk e shohin këtë vit si vit të mundshëm zgjedhor. “Tash për tash, me gjithë krizat që kemi kaluar, nuk vërehet ndonjë bllokadë që do të na dërgonte në zgjedhje të jashtëzakonshme. Qeveria, pavarësisht vështirësive dhe problemeve, ka arritur të funksionojë. Mund të thuhet se ministritë që ka PDKja janë me performancë të dobët, por kjo ka qenë gjithmonë kështu. Sido që të jetë, interesi i LDK-së nuk është që të shkojmë në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kjo verë dhe vjeshta mund të jetë të nxehta, për shkak të arrestimeve të shumta që do t’i bëjë Gjykata Speciale, kështu që sivjet na duhet një stabilitet politik”, u shpreh për gazetën deputeti Adem Salihaj. Ai shton se deri në vitin e ardhshëm do të qartësohen shumë gjëra dhe pastaj mund të shohin se kur është koha e duhur për zgjedhje të reja.

 Lëvizja “Vetëvendosje” nuk ka preferuar të përcaktojë një periudhë të caktuar kohore si më të përshtatshme për zgjedhjet e reja të parakohshme, ndonëse, sipas këtij subjektit të parë politik opozitar, ato është dashur të jenë mbajtur kaherë, dhe çdo vonesë e tyre shkon në dëm të vendit. Zgjim Hyseni, nga lëvizja ‘Vetëvendosje’, i tha gazetës se e vetmja mënyrë për të dalë nga kriza institucionale është t’i kthehemi popullit për të marrë verdiktin e tij.

“Ka aq shumë zhvillime nga zgjedhjet e fundit që kësaj Qeverie ia kanë humbur legjitimitetin, saqë vazhdimi i kësaj qeverisjeje është procesi më antidemokratik. Kemi projekte si “Zajednica” e “Demarkacioni”, për të cilat partnerët e koalicionit nuk kanë folur fare në zgjedhje, ndërkaq sondazhet thonë se qytetarët janë kundër këtyre projekteve. Kemi vendimin e Gjykatës Kushtetuese, që tregoi se Marrëveshja për themelimin e “Zajednicës” ishte antikushtetuese, kemi premtimet për mbi qindra mijëra vende pune që nuk duken kund në horizont. Këto janë disa prej arsyeve që na thonë se mbajtja e zgjedhjeve është një imperativ i kohës, kurse sa i përket dinamikës kohore, tashmë jemi vonë”, thotë Hyseni për “Kosova Sot”.

Mirëpo në AAK, subjekt politik që së bashku me Nismën për Kosovën kanë vendosur që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të garojnë si listë e përbashkëtnë koalicion parazgjedhor, nuk e përjashtojnë mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të reja në vjeshtën e këtij viti. Nënkryetari i subjektit politik AAK, Ali Berisha, thotë se dy institucionet qendrore të vendit, Kuvendi dhe Qeveria, e kanë humbur legjitimitetin funksional, prandaj bindja e shumë deputetëve edhe brenda koalicionit për vendimet e dëmshme që janë marrë në dëm të vendit po shtohet vazhdimisht. Shton se të gjitha këto procese duhet të rikthehen në pikën zero për të rifilluar të trajtohen nga një Qeveri e re.

“Duke i parë zhvillimet, ku asnjë institucion nuk po funksionon normalisht, ku edhe Kuvendi i Kosovës është bërë jofunksional, sipas nesh, sa më shpejt që të ndodhë procesi i zgjedhjeve, është më mirë për Kosovën. Sa më herët që të ndodhin ato, aq më mirë do jetë për të gjitha proceset që na presin përpara”, u shpreh nënkryetari i AAKsë, deputet në Kuvendin e Kosovës – Ali Berisha. Ai beson se koalicioni qeverisës mund të improvizojë me këtë funksionalitet të brishtë edhe gjatë këtyre muajve të verës, por vjeshta e këtij viti, sipas tij, gjithsesi do të duhej të ishte vjeshtë zgjedhore.

“Ne nuk besojmë që ky proces duhet ta kalojë vjeshtën, pasi që sikur po shihet janë shumë ligje dhe shumë procese të tjera, që sot janë të bllokuara. Po shihet tani edhe procesi i Demarkacionit dhe të tjera çështje të rëndësishme, që janë të domosdoshme të zgjidhen, pasi që sikur po shihet shumica e deputetëve të Kuvendit të Kosovës janë të bindur që Demarkacioni, sipas marrëveshjes së tashme, është i dëmshëm për Kosovën dhe duhet të fillojë një proces i ri. E fillimin e këtij procesi të ri mendojmë që duhet ta bartë një ekip i ri i qeverisjes së vendit, i dalë nga zgjedhjet e reja”, thotë Berisha për “Kosova Sot”(

Më Shumë

Tyson i rikthehet boksit profesionist pas gati 20 vitesh

Lufta e ish-kampionit të peshave të rënda, Mike Tyson kundër youtuber-it Jake Paul më 20 korrik do të jetë një ndeshje profesionale dhe do...

Paralajmërimet e SBAShK-ut për grevë, Nagavci kërkon maturi

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci, ka kërkuar nga SBAShK-u të jenë të matur në deklarimet e tyre për protestë...

Lajmet e Fundit