16.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Zafir Berisha: Mustafa, në grackën e Thaçit

Beteja politike brenda institucioneve të shtetit të Kosovës, Kuvend dhe Qeveri, se kush po i merr meritat dhe “medaljen” e artë për ta qëlluar datën e liberalizimit të vizave për kosovarët, sipas subjekteve politike dhe analistëve, është bërë një telenovelë aq qesharake, saqë as që ia vlen të diskutohet më tutje. Derisa zyrtarët e shtetit të Kosovës premtonin heqjen e vizave në fund të qershorit, BE-ja ua dogji jo vetëm këtë, por të gjitha afatet e mundshme dhe tani po vihen në pikëpyetje edhe gjasat që kjo të ndodhë deri në fund të vitit. Madje akoma më qesharakë dhe të padinjitetshëm po dalin zyrtarët e shtetit, ngase njëri thotë se Demarkacioni nuk është kusht i liberalizimit e tjetri thotë se është kusht për liberalizimin e vizave. Kjo situatë tani ka krijuar mjegull të madhe për të vërtetën e Demarkacionit se është apo nuk kusht për heqjen e vizave, sepse po fitohet bindja që këtij pushteti oligarkësh i ka humbur rruga në oborr, prandaj secili ngarend vetëm pas përfitimeve dhe zhvatjeve, përmes korrupsionit dhe veprimeve të inkriminuara.

Deputeti Zafir Berisha, nga Nisma për Kosovën, ka thënë për gazetën se për krejt këtë situatë të krijuar përgjegjësinë kryesore e bart ish-kryeministri dhe tani president i vendit, Hashim Thaçi, dhe vartësitë tij, pa përjashtuar edhe kryeministrin e tanishëm, Isa Mustafa, që ka rënë në grackën e Thaçit dhe mund të jenë pajtuar së bashku që si kusht shtesë për liberalizimin e vizave të futet edhe Demarkacioni, një precedent që nuk ka ndodhur deri më tani, me asnjë shtet tjetër.

“Personi kyç dhe përgjegjës është Hashim Thaçi për gjithë këtë mjegull që ka krijuar, edhe karshi këtij procesi. Nëse pyetemi se interesi i kujt është e gjithë kjo lojë që ka rrezikuar stabilitetin në vend, që e ka destabilizuar dhe rrezikuar demokracinë e re në vend, prapë më duhet të them se shkaktar i krejt kësaj është Hashim Thaçi. Sa i përket Demarkacionit, që u kamuflua si kusht për liberalizimin e vizave, tani po shihet ashiqare që edhe vetë deputetët e kanë pranuar dhe po e thonë publikisht, ngase e kanë ditur edhe më herët, se nuk është në interesin tonë dhe nuk do të kalojë kurdo që nxirret për ratifikim në Kuvend. Tani për pasojë të kësaj situate që ka krijuar kjo “kompani”, përveçqë duhet të shkojnë në shtëpi Hashim Thaçi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, së bashku me Murat Mehën, ata duhet të nxirren para drejtësisë dhe të përgjigjen në përputhje me ligjet e Kushtetutën e vendit, jo vetëm për tradhti ndaj atdheut, por thjesht edhe për gjithë këtë ngecje të madhe që kanë shkaktuar në proceset e deritanishme zhvillimore për vendin”, u shpreh Berisha për “Kosova Sot”.

Berisha madje ka pohuar se edhe ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku, jorastësisht ka thënë në mediumin publik që Demarkacioni nuk është kusht për liberalizimin e vizave, por janë veprime të tjera në sundimin e ligjit, prandaj jo vetëm ministri Çollaku, por ka pasur paraprakisht edhe diplomatë të tjerë evropianë që janë deklaruar të habitur se si u bë që Demarkacioni të bëhet kriter për vizat

. “Pra, që nga fillimi ne kemi dyshuar se këto gjëra janë të shtyra nga presidenti Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa si kryeministër i Kosovës që të futet si kriter edhe Demarkacioni, derisa vetë raportuesja për Kosovën për liberalizimin e vizave, Tanja Fajon, nga Sllovenia, ka qenë e habitur për këtë kusht të pakusht, prandaj kjo dyshohet se ka ardhur si imponim nga një dorë e caktuar, që ta marrë dhe pranojë edhe dikush nga evropianët se është kusht i domosdoshëm për liberalizimin e vizave. Pra, këtë e bëjnë vetëm të inkriminuarit dhe të korruptuarit”, u shpreh Berisha.

 Gjykim serioz karshi kësaj mjegulle të zyrtarëve të shtetit me liberalizimin e vizave jep edhe Ismail Kurteshi, nga lëvizja “Vetëvendosje”. Ai thotë se me apo pa dashje zyrtarët e shtetit kanë rrëshqitur në tradhti kombëtare me pranimin e marrëveshjes së Demarkacionit, që humb një pjesë të territorit të shtetit, andaj po bëjnë çmos që ta mbulojnë këtë tradhti me të gjitha mjetet dhe format e arsyetimit të pabazë. “Liberalizimi i vizave, që nënkupton lëvizjen e lirë, është e drejtë elementare e njeriut. Kushtëzimi i kësaj të drejte me falje territori është edhe i padrejtë, edhe i papranueshëm, por edhe abuzim i BE-së me të drejtat e njeriut. Mbreti Zog u cilësua si tradhtar në momentin kur Mbretërisë së Jugosllavisë ia fali Shën Naumin”, u shpreh Kurteshi për “Kosova Sot”. Ai ka pohuar se në rast se ka pasur gabime të rastësishme gjatë punës së komisionit, ato mund të përmirësohen nga një komision tjetër, që nuk po e bën Qeveria, por po e vë kusht këtë raport të dëmshëm edhe për liberalizim të vizave.

Më Shumë

Në Prizren nis ndërtimi i një parku

Dje nisi përgatitja e terrenit në hapësirën e udhëkryqit mes rrugëve "Reshat Karjagdiu" dhe "Zahir Pajaziti" në Prizren për ndërtimin e një parku. Ky park...

Totaj diskuton për mundësin e bashkëpunimit me Rotary Club “Prizren””

Kryetari Shaqir Totaj sot priti kryetarin e Rotary Club "Prizren", Bujar Myftiun, sekretarin e klubit, Agron Didën dhe anëtarin Masar Gurgulen. Diskutuan për mundësitë e...

Lajmet e Fundit