Nxënësit që do të regjistrohen në shkollat profesionale të Kosovës, fillimisht do t’i nënshtrohen një testi, i cili do t’iu mundësojë se në cilin profil të orientohen.
Ky testim do të fillojë këtë vit si pilot projekt në gjashtë shkolla profesionale, ndërsa nga viti i ardhshëm do të përfshihen të gjitha shkollat profesionale të vendit.
Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional e cila ka nën menaxhim gjashtë shkolla profesionale të Kosovës, do të fillojë këtë vit një pilot projekt për testimin e nxënësve të cilët do të regjistrohen në shkollat profesionale. Drejtori i Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional, Ragip Gjoshi, tha për Radio Kosovën, se ky testim ka për qëllim të ndihmojë të rinjtë për orientimin e tyre në karrierë, në mënyrë që të zgjedhin profilin e duhur.
“Ky test do t’i ndihmojë nxënësit tanë që të mos orientohen gabimisht. Një nxënës që përcaktohet për arsimin e mesëm, ne kemi vendosur që fillimisht në këto gjashtë shkolla që i kemi në pilotim, këtë vit shkollor, me rastin e regjistrimit të nxënësve në klasat e nënta në shkollimin e mesëm profesional, t’i nënshtrohen këtij testi, në mënyrë që përmbajtja e testit e diagnostifikon shkathtësinë e nxënësit se për cilin profesion ka prirje”, ka theksuar Gjoshi.
Ai bëri të ditur se ky test do të fillojë si pilotim në vitin shkollor 2015/2016, ndërsa pritet që të zbatohet nga viti i ardhshëm shkollor.
“Me rastin e shpalljes së konkursit për regjistrimin e nxënësve në shkollat e mesme, nxënësit do ta kenë të obliguar hyrjen në testin për orientim në karrierë dhe në bazë të saj do të bëhet edhe regjistrimi se për cilin profil ka prirje më shumë. Këtë vit do të hyjnë vetëm gjashtë shkolla: Qendra e Kompetencës në Skenderaj, Malishevë, në Prizren hyjnë dy shkolla, në Ferizaj dhe në Prishtinë shkolla “Shtjefan Gjeçovi”. Ndërsa nga viti i ardhshëm do të përfshihen të gjitha shkollat profesionale në vend”, ka shtuar Gjoshi.
Për të promovuar këtë test, Agjencia për Arsim dhe Aftësim Profesional në bashkëpunim më shtetin zviceran, më 29 janar do të mbajë një konferencë në Prishtinë, ku do të shpalosen edhe përvoja nga shtetet e BE-së, të cilat organizojnë teste për orientimin në karrierë. Në këtë konferencë do të marrin pjesë 59 shkollat profesionale të Kosovës, të gjithë faktorët relevantë që lidhen me arsimin profesional si dhe ekspertë evropianë./RTK/