11.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Plaka dhe breshka

Hajdar Mallaku

(Prekja e mitit dhe realitetit)

Koncepti i mikpritjes dhe bujarisë ishte i shpërndarë anekënd botës, dikund më shumë e dikund më pak, por edhe mosrespektimi i këtij kodi poashtu. Grekët e vjetër këtë e quanin Xenian, që ishte detyrim moral dhe human ndaj mysafirëve dhe udhëtarëve. Këto ngjarje së pari i përcolli mitologjia (mitet e ndezin imagjinatën) e cila reflektoi pastaj radhazi në artet e bukura, edhe në letërsi. Le ta përmendim Mitin e Sizifit, prej nga doli eseja e njohur e Kamysë.

Sizifi dinak i vriste miqtë e tij, e mashtroi vdekjen Tanatos dhe e lidhi në pranga, u kthye nga nëntoka me dredhi në botën e të gjallëve, i prishi ligjshmëritë jetësore; njeriu nuk vdiste, nuk bëheshin lufta. U dënua nga perëndia Zeus që në ferr ta kryente një mision që nuk përfundon kurrë: ta shtyejë gurin e mundimit deri në maje të kodrës, i cili, pak pa arritur në maje, rrokullisej deri në fund të kodrës dhe kështu duhej ricikluar amshueshëm. Këtë temë e trajtoi dhe Shekspiri në tragjedinë “Makbethi” ku ngërthehen ambicjet e sëmura për pushtet, mikpritja dhe vrasja në besë.

Te ne shqiptarët kodi i mikpritjes u ngrit në Everest sa na quajtën “kampionë të mikpritjes” dhe mitologjia e më vonë edhe letërsia gojore dhe ajo artistike regjistruan shembuj e shembuj. Kanuni madje e kodifikoi mikpritjen me shprehjen se “Shpija e Shqyptarit asht e Zotit dhe mikut” dhe tërë familja ishte e angazhuar në harmoninë aktive që miku të ndihej sa më mirë.

Ndodhi dhe thyerja e kodit të mikpritjes nga një plakë jomikpritëse që u dënua nga perëndia. Plaka kishte për darkë një veksh me mish, ndërsa mysafirit i dha bukë e kripë. Mysafiri i uritur e uroi edhe për këtë, por e kish parë vekshin në zjarr dhe i kish mbetur syri (mbetja e syrit ishte dicka që shiton) dhe thirri “Hej, moj perëndi!- kështu nuk e kanë pasur traditë shqiptarët”. Ndër shqiptarë thuhej tradicionalisht “Për mikun as mos e fshih, as mos e lyp” (kur nuk e ke mos e lyp te fqinji për ta nderuar mikun, por as mos e fshih, nëse e ke, çka ka qëlluar).

Perëndia e mikpritjes shqiptare u befasua për këtë dhe plakën e mallkoi: “E bafsh në shpinë vekshin përgjithmonë!” Dhe plaka arriti deri te vekshi zvarr, hëngri darkë, u shtang në vend dhe u metamorfizua në breshkë dhe me vekshin zhguall zvarritet tërë jetën e saj të gjatë. Rrashta dhe gjarpëri i vijëzuar në të tregojnë vetëfajësinë.
Për këtë frymor të papërsosur më së miri shkroi Martin Camaj në veprën “Dranja”- Drandofilja, por duke i dhënë breshkës një konotacion atdhedashurie, si një zonjë shtëpie që jeton me dashuri vetëm në atdheun e vet. Dhe kumti i gjithë kësaj është si ta shmangim ngathtësinë, zvarritjen dhe mosarritjen me kohë në drejtimin dhe vendin e duhur.

Se ngathtësia të vret flet dhe arma, tanku, ndërsa ne shqiptarët që t’i shmangim këto, me zhguallin e breshkës së vogël, bashkë me gjufërr me rruaza, e varim në cep të krahut të fëmijës këtë kundërmsysh me parabindje që fëmija të bëhet i shkathët.

II

Isha në vizitë në Gjermani. Ishte hera e tretë që po i vizitoja tre djemtë me familje atje. Pashë që shumë familje mbanin kafshë të ndryshme në shtëpi. Qeni dhe macja mbahen tradicionalisht edhe te ne shqiptarët, por jo aty ku banon vetë njeriu. Dihet nevoja se pse mbahen dhe ku e kanë vendin. Brenda në shtëpi nuk mund të kontrollohet pastërtia e tyre dhe unë, nuk mund ta mësoj tërë botën, por nuk e quaj qytetrim këtë shprehi që e kemi huazuar nga të huajt. Ato kundërmojnë, madje disa syresh janë dhe shumë trishtuese si minjtë, derrat e Guinesë, breshkat, majmunët etj.

Pronarja e banesës, zonja Melani, 82 vjeç, sa e lodhur aq dhe e fortë, por përtace, që nuk është shprehi te gjermanët, nuk bën punë fizike, rri e mbyllur dhe veç në mesditë ulet në tavolinë në kopësht, me pije dhe ëmbëlsira përpara. E nxjerr breshkën që e mban në një kënd të oborrit, i afron disa gjethe, dhe, kur ajo merr diell, e fut prapë brenda rrethojës. Aty i ka krijuar një ambient si në pyll, me shkurre, me bar, me lule, me guralecë, me ujë, me një shtëpizë druri. “E mora -tha, fare të vogël në pyll gjatë një shetitjeje”.

Flet me të në mënyrë imagjinare si ta kishte shoqe të ngushtë.Që të dyja janë plaka: kanë reliev të ashpër, ecin zvarr, i mbajnë këmbët anash të kthyera poshtë me brryl 45 shkallësh, janë të vetmuara, janë të veja. Plaka jeton mbi tokë, por dhe di të notojë në ujë, madje noton dhe mbi qiellin e kaltër. Ndërsa breshka jeton në tokë dhe në ujë. Një ditë kush kujt t’i ndihmojë, plaka breshkës apo breshka plakës. Breshka më e vjetër ka jetuar në një kopësht zoologjik plot 188 vjet. Njëra do ta lënë tjetrën një ditë.
Më tregon për kohën e rinisë së saj, për njohjen, fejesën, martesën e saj dhe vdekjen e të shoqit. Këtë e kuptoj më tepër nga përkthimi që më bën mbesa ime, Ela, se unë gjermanishten e flas me shije uthulle, se kam mbaruar vetëm një kurs tremujor dhe njohuritë po m’i ha mosha.

Im shoq, thotë, kish ardhur nga Jugosllavija, prej nga ishin shpërngulur shumë familje gjermane, nga Vojvodina. Shpërngulja ishte bërë me dhunë dhe pronat tona ishin nacionalizuar. Në to ishin vendosur kolonë nga viset e varfëra, serbe e malazeze, por edhe shqiptarë të internuar për shkaqe politike dhe me qëllim që të pakësohet numri i tyre në Kosovë. Këtë të fundit e kuptova tash vonë nga leximet, se nuk e kam ditur pse. Burri me dy prindër dhe një motër kishin ardhur vetëm me nga një trastë në krah, me plaçka trupi. E lakmova se ishte i pashëm dhe punëtor dhe e desha fort e fort. Më erdhi keq për gjendjen e tij dhe të të tjerëve.

Ai më vdiç, ndërsa djali me vajzën (që të dy i kam të adoptuar, sepse nuk na dha Zoti pasardhës të gjakut tonë), jetojnë këtu afër, po fort rrallë më vizitojnë (nuk të viziton bima e barkut tënd se lëre më e huaja – thashë me vete). Vetmia më bren. Ndërroj ndonjë fjalë me djalin tuaj, me renë, me mbesën yll, Mirën dhe nipin diell, Ruanin. Lindjes së tyre u jam gëzuar si të ishin nipërit e mi. Kur nuk i shoh ata, vetmia prapë e vë perandorinë e saj. Imagjinoj dialog me breshkën, por ky është vetëm iluzion.

E pyeti shoqen se sa fëmijë i kemi, e kur kjo i tha se kemi një vajzë dhe pesë djem të martuar dhe me fëmijë, gjithsej 24 anëtarë; se jemi gjyshër të dymbëdhjetë nipërve e mbesave nga ana e djemve dhe 4 nipërve e mbesave nga ana e vajzës dhe se jetojmë në bashkësi familjare, (me keqardhje se jemi shpërndarë nëpër Evropë), ajo i mbylli sytë, u lut dhe tha: “Ne jemi popull egoist. Nuk e kufizojmë lirinë tonë. Punojmë që të kemi sa më tepër pasuri dhe vetëm pasuri. Mendojmë se trashëgimtarët na e shkërmoqin pasurinë tonë. Jetojmë larg njri tjetrit me llogari të përpikëta. Po më në fund pasuria nuk na e vë dorën mbi ball, nuk na e afron një gotë ujë, nuk na e shtrëngon dorën kur do të japim shpirt. E pasurinë duhet lënë trashëgim atyre që s’na vizitojnë, që s’na duan, që nuk vijnë madje as për të na prcjellë nga kjo botë.

Ndërsa për ju pasuri janë vetë fëmijët. Ju lumtë! Ju flijoheni për dicka të shenjtë”.
M’u kujtua si një reminishencë shkrimtari amerikan Erza Paund (Anshtajni i poezisë moderne, ai fëmijë i tmerrshëm që e tronditi botën perëndimore me poezitë e tij) dhe kantoja “Rrëfenja e marinarit të ndershëm”.

Në pak raste i ndihmoja për të blerë diçka në dyqan, për të krasitur degët e tepërta në rrethojat e oborrit apo për t’i bartur qeset e bërllogut deri në kontejner.
-Të paguaj?- më thotë.
-Jo, i them, nuk e bëra për pagesë, por për nder.
-Ne nuk punojmë për nder, po për llogari. Djersa duhet paguar.
Nuk i thashë se te ne shqiptarët puna pa pagesë bëhet shumë dhe e lëvdojmë si solidaritet, por megjithatë e thumbojmë. Kur e kanë pyetur një plak se pse ishte plakur aq shumë, “Çka të ka plakur?” Ai është përgjigjur: “Më ka plakur dita e punës (argati) pa pagesë”. Nuk u rehatua derisa ia mora një bombonier që ta haja me shokë kur të kthehesha në Kosovë.

 

Më falenderon. Thotë se edhe i shoqi të falenderon nga qielli. Tash është mirë që edhe unë të shkoj te ai. Më pret duarhapur drejtuar nga unë. Edhe Aulin (kështu e quan breshkën me emër) pret të takohet me të dashurin e saj i cili ndodhet në qiell mbi Alpe nga e mora unë. U tregova e padrejtë që nuk e mora edhe të dashurin e saj, që nuk e gjeta apo nuk e kishte ende se ishte e re. U tregova e padrejtë që e ndava nga ai, por më ka falur, edhepse rri e ngrysur dhe kurrë nuk ka qeshur. Më zuri gazi “Po ku qesh breshka!” -thashë me vete.

E pyeta se a e dinte paksa gjuhën serbe dhe përgjigjja e saj qe kjo: “Me insistimin tim që të ma mësonte gjuhën serbe, ai nuk pranoi. As vetë nuk e foli më. Kishte parë tmerr gjatë shpërnguljes. E quante popull barbar popullin serb. Thoshte se edhe ju keni vuajtur shumë. Ne nuk i harrojmë vuajtjet e ju.. shqiptarët?
I thashë:
-Zonjë, ne jemi çliruar nga ata. E kemi shpallur pavarësinë.
– A ka mbetur ndonjë serb në Kosovë? – pyeti ajo.
-Po, i thashë unë.
– Edhe një në past mbetur, ju ia shihni sherrin.
– Si po mendon?
– Sllavët e kanë grabitur pjesën më të madhe të Ilirisë, s’kanë më ku tjetër përpos Kosovës.

I kujtoj prej tij, më tha ajo, vetëm tri shprehje. Të parën ma tha kur u njoftëm. Ishte “Hoqu da te lubim” (Dua të të puth) që kur ia msova kuptimin kësaj harmonie tingëllore, ia thosha shpesh dhe ai jo vetëm që e thoshte fjalën, por edhe vepronte duke më puthur me zjarr”. Shprehja e dytë qe bërja kryq dhe lutja e trinisë së shenjtë “Në emër të atit…(U ime oca…) dhe të tretën e mësova kur ai e qortoi djalin: “Nemoj da budesh llud!-Mos u bëj budalla!-(erde nicht alberu! – mos u bëj i budallavtë!).

E vlerësoj lart këtë popull që i dha aq shumë qytetërimit botëror, por në anën tjetër nuk më pëlqeu kjo popullsi e plakur, e vetmuar, që jeton në pasje të madhe (kanë pasuri, por nuk janë të kënaqur; prej atyre që janë të kënaqur me atë që e kanë), por që nuk e ripërtërijnë kombin e vet. Nuk shetisin me një nip dhe mbesë, sepse lindin pak, por me qen, me mace, me majmun. Një ditë e pyeta:
– Pse kështu?
-Qeni nuk ta prish rehatinë. Nuk ta shkërmoq pasurinë, më tha.
-Nuk ta prish rehatinë qeni kur leh, kur kuis, kur përjargët, kur dhjen dhe duhet mbajtur thesin për jashtëçitje, kur mbllaqitet gjatë të ushqyerit, kur kundërmon nga vapa, kur ta mbush kanapenë me qime? Kot nuk kanë mbetur shprehjet: e ka syrin e qenit (sepse është parazit), shkoi për dhjamë qeni (kot), lëkurë e qenit (pa vlerë), qen bir qeni (i poshtër), etj. ?

Nuk më përgjigjet. Nuk do ta përmbysë perandorinë e ndërtuar.
U mata t’i thoja se edhe ne bijmë në hall që t’i rehatojmë qentë endacakë e në anën tjetër nuk i kemi rehatuar njerëzit endacakë që lypin tërë kohën dhe nuk të lënë të qetë as ta pishë një kafe me miq.

Kush më përgjigjet mua: a nuk është më mirë të puthet nipi dhe mbesa sesa qeni? Nëse një ditë te varri u shkon nipi dhe mbesa do t’i kujtojnë me nostalgji kur kanë shetitur bashkë, kur gjyshi a gjyshja u kanë dhënë ndonjë porosi, u kanë blerë lodra apo ëmbëlsira, u kanë treguar përrallëza. E, po që se te varri u shkon qeni dhe macja, vetëm mund ta ngrejnë këmbën dhe t’ua përmjerrin varrin me ujë të hollë.

Do t’i ripërtërijë qeni, macja, miu, breshka, majmuni, derri i Guinesë?- etj. Sjellin ato fuqi punëtore? Dhe i zbrazin pastaj vendet e varfëra duke u dhënë pak e duke u marrë gjithçka dhe madje duke i shkombtarizuar. Kështu veprojnë me tërë botën, por edhe me Evropën Juglindore dhe me Atdheun tim, Kosovën. Urime për kodin e mikpritjes, por jo për egoizmin që të qëndrojnë mbi identitetin (vetëvehtësinë) dhe djersën e huaj, që ta bëjnë të tyren lindjen e huaj duke e marrë të gatshme fuqinë punëtore dhe kuadrot e kualifikuara.

Më Shumë

Rike Roçi i jep fund lidhjes: Mbaroi sapo dola

E ftuar në ‘Wake Up’ mëngjesin e sotëm ishte Rike Roçi, e cila është eliminuar së fundmi nga formati më i ndjekur ‘BBV3’. Ajo ka...

Paraqitje e jashtëzakonshme: KFF Liria triumfon kundër KFF Intelektualeve

Në ndeshjen mes KFF Lirisë dhe KFF Intelektualeve, skuadra e KFF Lirisë triumfoi me një rezultat të thellë, 6:1. Trajneri Sinan Osmani drejtoi vashat e Lirisë,...

Lajmet e Fundit