21.7 C
Prizren
E mërkurë, 18 Qershor, 2025

Poeti i lum, atë Vinçenc Prennushi

Në errësirën e robërimit të trupit, kur shpresonte që shpirti t’i nisej drejt lumturisë liridhënëse të qiellit, kërkoi pak dritë. Në rrudhat e vuajtjeve varur në fytyrë qe kristalizuar kalvari i tij, i cili do niste me lavdi, do vazhdonte me vuajtje e do përfundonte me hyjni. Ky ishte atë Vinçenc Prennushi, prifti shkodran që dritëroi Shkodrën me lirikat e tij, të cilit iu errësua fundjeta falë veprave të tij.

Poezia e atë Vinçencit duket e dyzuar mes laicitetit të njeriut që e do të bukurën dhe panteizmit të klerikut që bukuritë tokësore i sheh si frytet e fundme të mrekullive qiellore. Ai i shkroi Atdheut, Atit dhe dheut.

Atheut i shkroi si dashuri e fshehtë, e cila, duke mos pasur mundësinë e shfaqjes, ligështon bartësen e saj:

Nanë, dashnija m’ka molisë!

…Kaluen dit e kaluen net,

Vajza ma me gojë s’po flet,

Me gojë s’flet e na a smue,

Ratë e shkreta tuj lingue.

Ligështimi nuk mund të mbahet më brenda dhe bartësja e dashurisë vdes duke lënë pas dashurinë e saj:

[Nana] Merr pëlhuren që pat endë,

Bija saj; kishte pas kenë,

Kuq e zi e m’te qendisë,

Gjet dashninë qi e kishte molisë.

Madhështia e kësaj dashurie dhe heroizimi i kësaj vajze që barra e fshehjes së dashurisë së saj e molisë dhe e vret, e prek shumë Atë Vinçencin, i cili kërkon nderimet më të larta për të:

Eni bija, zana malit,

Ju qi kjani n’dekë t’nji djalit,

E, përmbys mbi ket bujare,

N’te nderoni bin’ shqyptare.

Ndërsa figura e Atit trajtohet në dy mënyra. Fillimisht atë Vinçenci, pasi kujton lavdinë e Gjergj Kastriotit, atit të kombit, uron prijësin e Shqipërisë:

Nper ty, o Pris, t’bijt e Shqypes lumnohen,

Për ty gadi kta i gjen me dhanë jeten;

Lidhun tok, per rreth tejet bashkohen,

Per Pris t’vetin t’dishmojn faqe dheut.

Ushtojnë malet, jehojnë fushët e gjana,

Anmiqt mndera i pershkon: gzon Shqypnija:

Mreti rrnoftë i Shqyptarve e n’duer t’tija

Ndritë prap shpata si n’dorë t’Skanderbegut.

Së dyti, Ati është ai i cili:

…vullndesës s’Tij, përherë të gatshme, i shtrohen

T’gjitha s’tinët e motit.

 

…shkroi fjalën

Qi botën përtrini,

 

Për atë Vinçencin dheu është shkatërrimi i të përkohshmes.

Trupi shgatrrohet

Por mendo bij,

dhe nisja e udhëtimit drejt së përjetshmes

Se s’des kurrë shpirti,

Ba për lumni.

E kështu, shpirti i atë Vinçencit, pasi goja e tij kërkoi dritë, u nis drejt dritës së pashtershme të Parajsës, udhëtim i cili nuk mund të përshkruhet më mirë se me vargjet e tij:

Deka jote, di me thanë,

Nuk kje dekë, Zotin ndigiove,

E ai lumni ty n’qiell t’ka dhanë.

 

Shkputë prej ferrash, shputë morrizit,

Ejëll i tretun, qiellët kërkove,

Edhe i gjete n’gzim t’Parrizit.

/Konica.al/

Më Shumë

Në Retijë të Rahovecit u vu gurthemeli i kullës simbol të luftës

Në fshatin Retijë, dje u vu gurthemeli i kullës simbol të luftës, në prag të 26-vjetorit të çlirimit të Rahovecit me rrethinë, raporton PrizrenPress. Retija,...

125 raste me kancer gjiri në QKUK gjatë këtij viti, falë metodës “Sentinel” u shpëtuan 22 gra nga heqja e gjirit

Në Klinikën e Kirurgjisë Torakale në QKUK gjatë muajve të parë të vitit 2025 janë kryer 176 ndërhyrje në gjoks, prej të cilave 125...

Lajmet e Fundit