I dëmtuari Shaqir Uka, të hënën, në rastin penal ndaj Nexhmi Canollit, për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, ka deklaruar se i akuzuari nuk i është bindur urdhrave të tij, andaj edhe ai ka reaguar me forcë për ta qetësuar.
Togeri Uka, në cilësinë e dëshmitarit, ka thënë se pasi që i akuzuari ka hyrë në stacionin policor “Alfa” në Prizren, ai e ka urdhëruar që të pret jashtë, sepse nuk ka pasur punë personalisht, por e ka shoqëruar dike tjetër për tiketë të kundërvajtjes.
Ai ka thënë se i akuzuari ka refuzuar urdhrin e tij të përsëritur disa herë dhe më pas e ka arrestuar për moszbatim të urdhrave të personit zyrtar. Uka tutje ka thënë se e ka përdorur forcën për ta arrestuar të akuzuarin, pasi që thotë se ai vazhdimisht ka rezistuar dhe ka qenë shumë agresiv, andaj sipas tij, edhe gjatë tentimit për ta arrestuar janë lënduar të dy.
Ndërsa, ky dëshmitar ka mohuar të ketë përdorur dhunë të tepruar ndaj të akuzuarit, ashtu siç ai pretendon, por se ka përdorur dhunë proporcionale vetëm për ta arrestuar dhe qetësuar situatën, pasi sipas tij, ai është bërë agresiv dhe ofendues.
Tutje, ai ka thënë se kanë kaluar 4 vite nga rasti i ndodhur dhe se nuk është i interesuar që i akuzuari të dënohet. Ai po ashtu ka thënë se nuk i bashkëngjitet ndjekjes penale.
Në këtë seancë ka dëshmuar edhe zyrtarja policore, Besire Kastrati, e cila ka thënë se në ditën kritike vetëm ka dëgjuar zhurmë në korridor dhe më pas ka intervistuar palën rreth incidentit të ndodhur.
Ajo ka mohuar që i akuzuari të jetë goditur nga i dëmtuari Shaqir Uka në prani të saj, ndërsa për shumë pyetje rreth ngjarjes është përgjigjur se nuk i kujtohej sepse ka kaluar një kohë e gjatë nga ngjarja.
Po ashtu ka dëshmuar edhe zyrtari policor Adem Gjyliqi, i cili ka thënë se në ditën kritike vetëm ka dëgjuar një zhurmë nga korridori i stacionit policor, ka hapur derën e zyrës së tij për të parë nëse ka nevojë të ofrojë ndihmë. Ai ka thënë se kur e ka hapur derën e zyrës ka parë se një person i cili bënte zhurmë duke bërtitur, ishte nën kontroll nga kolegët e tij dhe më tepër nuk ishte interesuar rreth rastit. Tha se nuk i kujtohej ngjarja në detaje, me arsye se ka kaluar një kohë e gjatë dhe nuk është interesuar rreth rastit më tutje.
I akuzuari Canolli dhe mbrojtësi i tij, avokati Fatbardh Makolli, vazhdimisht gjatë seancës kanë pretenduar se i akuzuari është rrahur nga i dëmtuari Shaqir Uka dhe se dëshmitarët po e fshehin një fakt të tillë.
Prokurori rastit, Musli Gashi, ka qëndruar pranë dëshmitarëve të propozuar me aktakuzë, Birsen Nush, Sinan Mazreku dhe Enis Orqusha, të cilët nuk kanë prezentuar në këtë seancë.
Gjyqtari i çështjes, Gani Kastrati, në mungesë të dëshmitarëve tjerë, ka ndërprerë shqyrtimin dhe vazhdimin e të njëjtit e ka caktuar për 11 tetor 2017, në ora 09:30.
Prokuroria Themelore në Prizren, më 16.10.2013, ka ngritur aktakuzë ndaj Nexhmi Canollit, të cilin e akuzon se nuk ka zbatuar urdhrat e personit zyrtar, duke penguar punën në Stacionin Policor në Prizren.
Sipas aktakuzës, i pandehuri Canolli, më 29 gusht 2013, ka hyrë në stacionin policor për të shoqëruar kolegun e tij, Rexhep Pacollin, rreth një tikete të kundërvajtjes për parkim pa leje, ndërsa më pas nuk i ka zbatuar urdhrat e togerit Shaqir Uka, për të dalë jashtë stacionit policor.
Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari jo vetëm që nuk e ka zbatuar urdhrin e togerit, por se ka filluar ta ofendojë atë dhe e ka kërcënuar se nuk e ka larg, sepse ka të njohshëm në nivele të larta në Policinë e Kosovës.
Po ashtu, i akzuauri Canolli, sipas aktakuzës, ka refuzuar që të arrestohet nga togeri Uka, duke e shtyrë atë që të përdorë forcë për të bërë një gjë të tillë, e me ç’rast togeri ka pësuar lëndime të lehta trupore./betimiperdrejtesi/