16.8 C
Prizren
E enjte, 28 Mars, 2024

Politika arsimore dhe kulturore në shkollat tona dje dhe sot

Shkruan: Prof. Gani Rudaj

Politika arsimore – Në periudhën para njëzetë viteve, në rend të parë kemi qenë të preokupuar me çështjet e arsimit. Edhe pse objektet shkollore ishin të mbyllura për nxënësit shqiptarë, mësimdhënia nuk është ndërprerë. Mësimi zhvillohej nëpër shtëpitë e njerëzve. Kondidat e vështira të jetës që i kishin mësimdhënësit tanë, nuk kanë qenë pengesë që personeli arsimor ta kryejë punën e tyre pa e ndërprerë gjatë viteve. Për shumë vite ishim të shoqëruar nga skamja dhe frika, por nuk e ndalëm punën.

Arsimin e kemi kuptuar si një akt të rëndësishëm që do të na çojë drejt ditëve më të mira. Në këtë valle shumëvjeçare, kontribut të veçantë ka dhënë edhe iniciativa e popullit që me ndihmën e pakursyeshme, ua mundësoi që shkolla të mos pushojë.

Kjo punë e popullit nuk bën të harrohet asnjëherë. Mësimdhënia në atë kohë kishte kriter serioz. Nxënësit e shkollave fillore, të mesme dhe të larta e dinin se aty do të gjenin një seriozitet maksimal në vlerësimin e dijeve të tyre. E dinim se arsimi i shëndoshë është halë në sy për armikun, prandaj ne punonim me seriozitet të madh, por edhe nxënësit përqafuan me dëshirën më të madhe këtë punë që po e bënim. Vigjilenca nuk mungoi asnjëherë.

Vullneti ishte në shkallën më të lartë për realizimin e detyrave të shenjta kombëtare siç ishte arsimi. Edhe mësimdhënësit, edhe nxënësit, si dhe mbarë populli e dinin se do të vijë dita e shumëpritur e lirisë. Dikush e mbërriti këtë ditë, dikujt lufta ia mohoi këtë të drejtë.

Roli i politikës arsimore në atë periudhë kohore ishte i përqendruar kryesisht për arsimin. Punët ishin të ndara. Arma e mësuesit ishte ditari. Arma e dikujt tjetër ishte pushka. Cakun e kishin të njëjtë. Formimin e shtetit të Kosovës. Në procesin mësimor kishim edhe këshilltarët pedagogjikë për secilën lëndë. Përgatitjet ditore i bënim rregullisht. Planprogramet mujore dhe vjetore i dorëzonim me kohë. Mësimdhënësi e kryente punën e vet për çka ishte i ngarkuar. Drejtori i shkollës gjithashtu e bënte të veten. Puna e mësuesit ishte që çdo nxënës të pajiset me dituri. U mbanin orët letrare në kuadër të shkollës. Aktivitetet e lira me nxënësit e kishin qëllimin që t’i largojmë nxënësit nga mendimet për situatën në të cilën gjendet Kosova që ishte pragu i luftës. Këto aktivitete ndikuan pozitivisht në mendjen e nxënësve. Drejtori si organ udhëheqës i shkollës, pos detyrave që i kishte në shkollë, ai e kishte edhe një punë tjetër edhe më të madhe. Detyra e tij ishte që të mblidhte të holla për mësuesit udhëtarë, si dhe të mblidhte të holla për rroga. Të mbledhësh para nga populli, i cili edhe ai vetë ishte i shtrirë buzë greminës së varfërisë, ishte një punë shumë e vështirë. Kjo vështirësi kishte një kohëzgjatje të gjatë. Megjithatë, edhe pse populli do të kalojë nëpër katrahura të ngjyrave të ndryshme, e dinte se në finale do të jetë fitues.

Politika arsimore e punës nëpër shkolla të larta dhe në fakultete ka qenë maksimalisht mirë. Ligjëratat dhe ushtrimet, edhe pse në kushte jonormale, janë mbajtur mirë. Ana profesionale e profesorit ishte në shkallën më të lartë. Studentët me seriozitetin maksimal i kanë marrë studimet. Ky seriozitet u shfaq edhe gjatë provimeve. Largimi i profesorëve dhe i studentëve nga objekti shkollor nuk ndryshoi edhe mënyrën e ligjërimit. Profesorit i vinte era PROFESOR. Studenti që ka diplomuar në atë kohë, sot ballëlartë dhe krenar ecën rrugëve. Ai student kokën e ka të mbushur me njohuritë që i ka marrë.

Ky sukses u arrit falë punës së mrekullueshme të mësimdhënësve dhe të seriozitetit të studentëve gjatë studimeve. Politika kulturore e asaj kohe për nxënësit tanë ishte e ndaluar. Orët letrare, pjesët teatrale ose përurime librash nuk mbaheshin në mënyrë publike, p.sh. në Shtëpi të kulturës. Ajo ishte e mbyllur për ne. Biblioteka e qytetit nuk përdorej nga ne. Revista për fëmijë nuk kishte. Maturantët nuk e përjetuan atë mbrëmje që ishte ëndërr e të gjithë nxënësve.

Të gjitha këto u mohuan nga okupuesi. E vetmja gjë që u mbeti mësimdhënësve për të thënë në këtë kohë të turbullt ishte se duhet të kemi shpresë që ditët e mira do të vijnë. Biblioteka kombëtare do të jetë e hapur, teatri do të funksionojë dhe si kurorë e saj do të jetë mësimdhënia edhe më e mirë për gjeneratat që do të vijnë. Dhe erdhi edhe ajo ditë.

Sa ishim në zgjedhën e rrëmbyesve të lirisë, nuk kishim mundësi të krijonim dhe të zhvillonim kulturën tonë, artin, muzikën dhe letërsinë tonë kombëtare. Bindja e popullit ishte se pasi të mbarojë lufta në Kosovë, arsimi do të ketë rëndësi të madhe në funksionet kulturore dhe edukative. E dinim se shkolla është armë kryesore dhe e rëndësishme për formimin e shtetit të ri.

Arsimi është një armë e fuqishme dhe efekti i saj varet prej atij që e ka në duar dhe nga ajo se cilin duhet ta godasim me këtë armë. Objektet shkollore u liruan. Vërehej gëzimi në fytyrat e nxënësve, studentëve dhe të mbarë popullit. Arsimin e kishim në duart tona që nga ai fillor e deri në institutin më të lartë mësimor. Rrjeti shkollor dhe numri i nxënësve rritej në mënyrë të furishme.

Vijimi i mësimit u bë i mundur për të gjitha masat punonjëse pavarësisht nga gjinia e tyre, gjendja materiale, pavarësisht nga besimi i tyre i lirë dhe nga paragjykimet e kota. Në rajonet e thella malore u ndërtuan shkolla të reja dhe u pajisën me gjithë inventarin e nevojshëm. Drejtori i përgjithshëm i arsimit hyri në objektin e ri. U emëruan drejtorët e shkollave dhe pedagogët. Të ardhurat e mësimdhënësve u përmirësuan. U hapën edhe fakultete private. Ka vend për të gjithë nxënësit e dhe studentët. Bjeshka është para nesh, tani vetëm duhet të ngjitemi përpjetë deri në kulmin e saj.

Tani ne, sa i përket zhvillimit të arsimit, po e bëjmë një punë që pakkush ose askush nuk e ka paramenduar. Në vend që të ngjitemi në majën më të lartë të arsimit e të shkencës në përgjithësi, ne po zbresim me shpejtësi të madhe drejt fundërrinës. I kemi ngatërruar rolet. Në orët mësimore nuk po merremi me lëndën për çka jemi të ngarkuar, por merremi me broçkulla. Secili drejtor i shkollës ka për detyrë ta udhëheqë shkollën derisa e ka mandatin për të bërë këtë punë dhe duhet të jetë apolitik, gjë që kjo nuk është te ne. Detyra e pedagogut është të merret me planprogramet ditore, mujore dhe vjetore. Këshilltarët pedagogjikë, për secilën lëndë të caktuar duhet të marrin pjesë në orët mësimore me qëllim që të shohin nga afër punën e mësimdhënësve dhe të japin me shkrim mendimin e tyre për punën që po e bën mësimdhënësi i lëndës së caktuar.

Këto detyra janë kryer me seriozitet të madh gjatë okupimit, ndërsa sot fatkeqësisht jo. Zgjedhja e drejtorit po bëhet në bazë të orientimit të tij politik, madje kur të vijë dita për ndërrimin e tij bëhet luftë e madhe sa edhe shkohet edhe në protesta. Shumë qesharake kjo punë. Krejt kjo na tregon se këtu nuk paska orientim arsimor, por luftë për pozitë. Konkurset për pranimin e punëtorëve të rinj arsimorë shfaqen sa për sy e faqe. Paraprakisht dihet se cili do të pranohet.

Mjerisht nuk ka kriter profesional. Në sallën e arsimtarëve nuk dëgjohet të flitet për ndonjë libër të lexuar ose për ndonjë punim letrar që e ka shkruar ndonjë mësimdhënës. Në sallë mund të dëgjohen vetëm komentet e lajmeve të mbrëmjes, madje këto broçkulla të televizionit vazhdojnë të diskutohen edhe në klasë me nxënësit. Atëherë lind pyetja kur u zhvillua mësimi!? Mësuesi i mirë duhet të ndiejë çlodhje vetëm atëherë kur ndërgjegjja është e qetë se e ka bërë punën për të cilën është i ngarkuar. Mësuesi duhet të përforcojë aktivitetin e tij në të gjitha frontet sepse çështja e arsimit është detyrë kombëtare.

Me këtë punë qysh po punohet, kam bindjen se nxënësit vullnetin parësor e kanë që shkolla t’i shohë ata, e jo që nxënësit ta shohin shkollën. Është bërë sikur të dalësh në bulevardin e qytetit për shëtitje. Mësuesi t’i thotë gruas se po shkon në punë, e nxënësi t’ua bëjë prindërve me dije se po shkon në shkollë. Vetëm kaq ! Mësimdhënësi e ka për detyrë të shenjtë që t’i pasurojnë nxënësit me njohuritë e reja dhe jo të prodhojë kuadro të ndryshme me diploma të analfabetizmit modern të shekullit njëzetë.

Ministria e Arsimit – Shteti ynë duhet të kërkojë me këmbëngulje nga Ministria e Arsimit përmirësimin vendimtar dhe të shpejtë të krejt punës për edukimin e kuadrove pedagogjikë. Mësuesi ynë duhet të kuptojë me kthjelltësi dhe me vetëdije parimet themelore të shkollës. E meta kryesore në punën e Ministrisë së Arsimit qëndron në atë që udhëheqësit dhe punëtorët e arsimit nuk e kanë përvetësuar seriozisht doktrinën mbi udhëheqjen e arsimit. Nuk dinë të dallojnë problemet kryesore dhe vendimtare nga zgjidhja e të cilave varet suksesi i gjithë punës, pastaj nuk dinë të mobilizojnë në to punonjësit e arsimit. Më tepër merren me çështjet e vogla të përditshme aktuale dhe nuk përqendrohen e nuk nxjerrin në plan të parë problemet kryesore pedagogjike. Janë të lidhur shumë pak me arsimin.

Nuk e marrin parasysh dhe nuk e shfrytëzojnë eksperiencën e mësuesve dhe të shkollave përparimtare. Këto të meta ndodhin se udhëheqësit e arsimit nuk studiojnë thellësisht dhe çdo ditë teorinë e klasikëve që bëjnë fjalë për pedagogjinë. Udhëheqësit e arsimit duhet t’u përmbahen këtyre rregullave: a) të gjejnë zgjidhjen e drejtë të çështjes; b) të organizojnë zbatimin e zgjidhjes së drejtë; c) të organizojnë kontrollin e zgjidhjes së drejtë. Me zbatimin e këtyre detyrave mendoj se do të largohen gabimet. Gabimet në procesin mësimor po i krijojmë vetë ne dhe ato po bëhen nga mospuna jonë, pastaj po reflektohen te nxënësit. Te shumica e mësimdhënësve mungon dashuria për mbajtjen e ditarit dhe dalja e tyre para nxënësve. Kemi raste kur mësimdhënësit dalin para nxënësve, por nuk kanë çfarë t’u thonë. Pse ndodh kështu, dihet. Ende më pëlqen një thënie ku thuhet se nuk ka nxënës të dobët, por ka mësimdhënës të papërgatitur. Deri kur kështu?

Politika arsimore nëpër fakultete – Në periudhën e mëhershme ka qenë i lehtë regjistrimi në drejtimet, të cilët dëshironin studentët e rinj. Ligjëratat mbaheshin në mënyrë të rregullt nga profesionistët e vërtetë. Të gjithë studentët që kanë dalë nga fakulteti, kanë dalë të përgatitur në mënyrë profesionale në lëmitë e tyre. Në atë kohë kishte edhe shkolla të larta të degëve të ndryshme dhe kishin të drejtë të vazhdonin studimet e mëtejshme si dhe studimet pasuniversitare. Studentët ishin të obliguar të lexonin shumë literaturë për të dhënë një provim.

Mbajtja e provimeve ishte një punë shumë serioze si nga ana e profesorëve, ashtu edhe nga ana e studentëve. Shumë studentë kanë hyrë në objektin e fakultetit, por shumë pak kanë dalë të diplomuar. Sot kemi një pamje tjetër në fakultete. Hyrja në fakultet është bërë si hyrje në vetëshërbim. Sot në fakultete mjafton vetëm të hysh se do të dalësh me diplomë. Po harrojnë se me këtë diplomë nesër do t’i shërbesh kombit. Nuk ka seriozitet të punës nga ana e profesorëve, e aq ma pak nga ana e studentëve. Lind pyetja se çfarë të bëjmë? Përgjigjja është e thjeshtë. Në rend të parë, profesorët e fakulteteve të marrin punën seriozisht në zbatimin e detyrave të tyre se u bëmë gaz i botës.

Më Shumë

Deputeti i VV-së, opozitës: Pallavrat anash, niseni mocionin

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, i ka kërkuar opozitës që t’i mbledhë nënshkrimet për mocion mosbesimin ndaj Qeverisë Kurti. Abrashi ka ironizuar me opozitën...

Totaj priti drejtuesit e “Autostrada Biennale” në Prizren

Kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj, takoi drejtuesit e “Autostrada Biennale” në Prizren, Leutrim Fishekqiu dhe Vatra Abrashi. Në këtë takim ,ata  biseduan për potencialet dhe...

Lajmet e Fundit