Tinka Kurti
Ai duket sikur modelët që lënë peng pamjen e tyre te një piktor. Çfarë del në pëlhurë është në masë të madhe edhe mendja edhe dëshira e piktorit. Pasi u munduan që t’i ndërhyjnë në imazhin e tij prej të inkriminuari, Kadri Veselit, i shpërtheu përulësia artificiale në formën e vet të origjinës, arrogancës brutale. Vendin e befasisë e zë rikujtimi për figurën e tij. Pra, demaskimi nuk po i ndodh atij, se kjo është kryer moti. Tash, demaskohen piktorët e dobët që nuk dorëzohen në mbulimin e shëmtisë me ngjyra të forta derisa nuk bëhet më fjalë për pikturë por për baltë. Ende u gënjen mendja që portreti i Hashim Thaçit e Kadri Veselit rikuperohen.
Këta piktorë janë ata që i bëjnë shumë reklamë vetes. Ata ecin sipas porosisë se duke bërë shumë reklamë çdo piktor shndërrohet në gjeni e nëse të gjithë e shohin si gjeni, ai është gjeni. Kështu, bëhet një qark mashtrimi. Këta piktorë mendojnë se janë gjeni kurse gjenialiteti i tyre qëndron te vizatimi i portreteve që s’do të bëhen kurrë të bukur: Hashim Thaçi e Kadri Veseli. Teknika e tyre bazohen shumë në dritëhije, ashtu që format të zbehen, të relativizohen.
Ata që po thonë se edhe Albulena Haxhiu e ka ofenduar njëjtë (paramendoni “njëjtë”) kryetarin e e Kuvendit duke i thënë ‘kriminel’, janë të njëjtit që e përkrahin privatizimin çmimlirë të Rrjetit të Shpërndarjes së Energjisë. Disa edhe përfitojnë direkt nga kjo korporatë, KEDS tash. Kurse, Haxhiu është e njëjta që e kishte kundërshtuar këtë privazitizim. Pra, njëra kritikohet e tjetri mbrohet për shkak të aktivitetit e veprimeve të mëhershme politike. Bindjet ishin krijuar prej kohësh. Madje ka procese gjyqësore për to. Bllaca 1, Bllaca 2 e në pritje Bllaca 3. Tani jo vetëm për krimet e dyshuara më herët, por edhe për vetë thirrjen e seancës shumëkush pajtohet me Haxhiun, se Veseli e ka fituar “me mundin” e vet atë shënjues. Pra “mundi” personal i Kadri Veselit për ta merituar shënjuesin “kriminel” është aq i pambërritshëm sa që askush s’mund ta barazojë atë me fyerjen seksiste ndaj Albulenës, e cila nuk ka asnjë meritë për sharjen “ma hongsh”.
Relativizimi duke barazuar karrieren e bujshme në rrejtin kriminal të Kadri Veselit, me thirrjet e herëpashershme të deputetes Albulena Haxhiu në Kuvend sigurisht është relativizim i ngordhur logjikisht, i varfërisht metaforikisht dhe i ulët etikisht.
Aq shumë janë relativizuar çështjet saqë po jetojmë në ditët kur Hashim Thaçi përdor shënjuesit ‘gërdi e neveri’, pasi ia gërditur e neveritur gjithë shqiptarëve, Edita Tahiri ‘sakrificë’ pasi ka bredhur 4 vite pa ndalur me para të buxhetit, e Kadri Veseli “respekt” pasi ka kapur shtetin me rrjetin e tij dhe vetë PDK siç konfirmon Bajram Rexhepi.
Kadri Veseli e Hashim Thaçi e dinë mirë që portreti në pikturë është më i rëndësishëm sesa figura e vërtetë. Veselit po i pengon që portreti i tij po shëmtohet si ai i Dorian Grejit sa që herë që e kryente nga një krim. Atij nuk i pengojnë veprimet e dëmshme. Por kur po i sheh denoncimet ndaj tij si thirrja e Albulena Haxhiut tmerrohet nga e vërteta e fytyrës së tij. Ndryshe Hashim Thaçi nga ciniku që zgërdhihet e i tërheq qytetarët e deputetët zvarrë ka vendosur të shfaqet si “viktima e rrezikuar”.
Gjithkush është i vetëdijshëm se problemi nuk janë vetëm ata e piktorët e tyre por dhe blerësit, ata me kuleta të fryra që po ua kthejnë borxhin për pasurimin e inkriminuar. Ndaj këta s’ia falin dot Deputetes Albulena Haxhiut që e thirri në emrin e vërtetë Kadri Veselin dhe ua grisi pikturën para syve të të gjithë botës. /zeri/