Fillimi i vitit 2015-të, Kosovën e gjeti me shumë njerëz të gatshëm për ta lënë tokën e tyre.
Disa arritën të dalin, disa mbetën me ditë e net të tëra nëpër kufijtë e ndryshëm si atë të Serbisë, Hungarisë e kështu me radhë. Disa shkuan e disa përfunduan nëpër qendra azili.
E pikërisht kjo temë dhe ky tmerr që kaluan kosovarët, preku shumë regjisorin e ri Fisnik Maxhuni, i cili jeton dhe vepron në Zvicër. Kështu regjisori Maxhuni, erdhi në vendlindje, hapi audicion dhe përzgjodhi aktorët kosovarë të cilët do ta përçonin një mesazh të fuqishëm nëpërmjet filmit të tij.
“Lost Exile”, është filmi i regjisorit Fisnik Maxhuni, i cili para pak ditësh pati premierën ndërkombëtare në Locarno Film Festival, ndërsa mbrëmjen e së enjtes ky film dha premierën kosovare në Festivalin e Dokumentarëve dhe Filmave të Shkurtër DokuFest.
Gjatë dhënies së kësaj premiere, pati disa probleme teknike, e kjo gjë u duk që e mërziti regjisorin, por megjithatë ai u shpreh shumë falënderues për të gjithë ata që ishin të pranishëm për të parë filmin.
“Jam i nderuar që shumë njerëz si pjesëmarrës të filmit, familjarë të mi nga Kosova dhe Zvicra, erdhën për ta parë filmin tim në Prizren. Për fat të keq filmi u shfaq në kushte shumë të këqija dhe pati probleme në projeksion. Si regjisor është shumë e vështirë ta shohësh punën tënde të shfaqet në rrethana të këqija, kur ke punuar për vite në projekt”, tha për KultPlus, regjisori Fisnik Maxhuni, i cili falënderoi edhe njëherë të gjithë ata që besuan në të dhe në film.
“Nuk dua të mendoj më për këtë, sepse tani kam projekte të reja, jam në editim të një dokumentari dhe në tetor do të nis xhirimet e një filmi të ri fiction”, theksoi Maxhuni, i cili poashtu falënderoi festivalin DokuFest për ftesën që i kanë bërë, duke thënë se shpreson të kthehet me një tjetër film në kushte të tjera.
“Lost Exile”, flet për historinë e një vajzë që tenton të largohet nga Kosova për në Hungari e ngecë në Serbi, flet më së miri për tmerrin që kaluan emigrantët e Kosovës për një jetë më të mirë. Në kastën e aktorëve të këtij filmi bëjnë pjesë May-Linda Kosumovic, Arben Bajraktari, Florist Bajgora dhe Sunaj Raça.
“Festivalet duhet të respektojnë më shumë punën e regjisorëve të filmit dhe ky është një mision goxha i vështirë”, përfundoi Fisnik Maxhuni për KultPlus.
Ky film është kooproduksion ndërmjet Zvicrës dhe Kosovës, është i financuar nga Ministria e Jashtme e Zvicrës si dhe Ministria e Kulturës së Zvicrës e poashtu edhe televizioni nacional i Zvicrës ka financuar dhe i ka blerë të drejtat e filmit, por në Kosovë vetëm Ikonë studio si kompani ka participuar në buxhet të filmit me një shumë simbolike. “Lost Exile”, është në konkurrencë për kategorinë e filmave të shkurtër ndërkombëtarë në DokuFest. / KultPlus.com