Në përkujtim të Pranverës shqiptare të vitit ’81
Shkruan: Jakup Krasniqi
18 vjet, pas vrasjes në pusi, të pabesë e tinëzare, të organizuar e të kryer nga armiku gjakatar në fshatin Untergruppembach ( në afërsi të Shtudgardit), të Jusuf e Bardhosh Gërvallës dhe Kadri Zekës, populli shqiptar i Kosovës po i përkujton më i lirë se kurdoherë tjetër, prijatarët e një kthese të madhe të historisë moderne të kombit tonë. Lufta prej atëherë e deri më sot që e gjatë, pat shumë rënie të lavdishme dhe heroike që vazhduan dhe pasuruan historinë me veprën, lavdinë dhe tragjedinë e tyre.
Gjatë viteve të kaluara, për të rënit e janarit është kremtuar në forma të ndryshme, janë organizuar manifestimet „Flaka e Janarit“, brenda dhe jashtë Atdheut. Vazhdimisht është mbajtur gjallë fryma filozofike e luftëtarit kombëtar nga shokët dhe ithtarët e ideologëve të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, vëllezërve Gërvalla dhe Kadri Zeka. Por festimi i „Flakës së Janarit“, në janarin e 2000-të, po bëhet në rrethana krejt të reja. Përherë të parë, po i përkujtojmë Heronjtë e Janarit pa prezencën e vrasësve të tyre, pa prezencën e forcave ushtarake e policore serbe, pa prezencën e zjarrvënësve të Kosovës dhe pafuqinë e ndjekësve të tyre, por jo edhe pamundësinë për të bërë ende keq në Kosovë. Kosova është mjaftë afër realizimit të aspiratës së tyre. Kosova e sotme është vepër e tyre se ata qenë vizionarët e saj, se në çdo cep të saj ka një pikë djerse, ka një pikë gjaku të tyre, nga i cili kanë mbirë e janë rritur shumë lule gjaku me të cilat është Përflakë e tërë Kosova.
Është rruga e ndjekur me besnikëri nga shokët e luftës e të idealit, nga luftëtarët e luftës për liri e pavarësi, nga ushtarët e komandarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që jetës në Kosovë i dhanë kuptim në tërë kompleksitetin e saj. Është e vërtetë, heronj dhe dëshmorë të Janarit, Kosova ende nuk është ashtu siç e deshët Ju, përçak luftuam se bashku, për çka bëmë luftën e fundit, për çka u derdh shumë gjak, u plaçkit e u dogj Kosova. Vetëm tani po e dimë se sa vështirë e paskan pasur luftëtarët e 1912 ta bëjnë Shqipërinë e pavarur. Vetëm tani po e kuptojë pse Samiut (pa i mbushur të pesëdhjetat) i që zbardhur mjekra.
Samiu ynë i Madh thoshte: „ Të bashkuar të pamundshmen e bëjmë te mundshme, të përçarë të mundshmen e bëjmë të pamundshme“. Shqiptarët kurrë s´u bashkuan si duhet dhe kurrë se bënë Shqipërinë si dashen. As në luftën e fundit s´qemë të bashkuar si duhet, por ata që u bashkuan, u bashkuan vendosmërisht dhe duke ecur gjurmëve të heronjve të Janarit, të trimërisë tradicionale kombëtare, bënë të mundshme të pamundshmen pasi me ta ishin SHBA-të dhe NATO-ja. Shqiptari i kohës sonë vërtetë ka nevojë për një këndellje, ka nevojë për një ndërgjegjësim politik, intelektual dhe kombëtar. Ka nevojë të pyet vetën: Nëpër cilën rrugë eca? Cila që rrugë e mëvetësisë kombëtare e shtetërore? Cilat janë periudhat më të lavdishme të historisë kombëtare? Cilat janë figurat më të ndritshme të historisë kombëtare? Pse ne për çdo vit përkujtojmë e i nderojmë Heronjtë e Janarit? Sigurisht jo pa qenë një jetë e tërë në shërbim të popullit dhe Atdheut, pa veprën konkrete atdhetare dhe rënie heroike s´ka titull Hero i Popullit dhe Dëshmor i Kombit. Duhet një dëshmi konkrete, duhet një sakrificë, shpesh edhe më shumë se sakrifica sublime e një individi, për ti marr titujt që edukojnë e nderojnë brezat.
Jusuf Gërvalla ishte gazetar, poet, muzikolog, kitarist e këngëtar. Ishte nga Duboviku, fshat në Rrafsh të Dukagjinit. Në fshat merrej edhe me bujqësi. Profesioni kryesor i tij ishte Luftëtar i Lirisë. Që në moshë të re ishte inkuadruar në veprimtarinë ilegale politike, alternativën e vetme për shqiptarët atdhetarë. Pasi armiku arriti të zbulojë veprimtarinë e tij, arriti të arratisej në Gjermani tek i vëllai, Bardhoshi i cili u bë edhe bashkëluftëtarë.
Kadri Zeka ishte gazetar i Radio Prishtinës, që herët kishte filluar të merrej me veprimtari politike. Ishte nga Poliçka e Kamenicës, i ati Ziti i ranë në Gjilan. Që në moshën studentore, ndoshta edhe më herët kishte filluar të merrej me veprimtari ilegale politike se bashku me Rexhep Malen, Hydajet Hysenin, Ilmi Ramadanin etj. Edhe profesioni i tij kryesor ishte luftëtar i lirisë. Në vitin 78, armiku i bie në gjurmë, për çka detyrohet të arratiset në Zvicër, ku vazhdon veprimtarin atdhetare në rrethana të reja.
Jusuf Gërvalla e Kadri Zeka edhe pse ishin nga anë të ndryshme të Kosovës, e bënin pjesë në organizata të ndryshme të një ideali, deri në Zvicër e Gjermani shkuan në rrugë të ndryshme, rruga e idealit të përbashkët, rruga për Kosovën e lirë i bashkojë. Rruga e përbashkët i bashkojë dhe vdekja nuk i ndau. Vrasja e Jusuf e Bardhosh Gërvalles dhe e Kadri Zekës është humbje e madhe për Lëvizjen Kombëtare në përgjithësi e të Kosovës në veçanti. Me këtë vrasje iu bë vrasja më e madhe bashkimit të shqiptarëve në luftën për liri. Zhvillimi i ngjarjeve të më vonshme tregojë se armiku i kishte bërë mirë llogaritë. Lufta për liri edhe pse i pat baticat dhe zbaticat e saja ajo me pengesa e vështirësi vazhdojë deri në fitore.
Vërtetë kanë kaluat 18 vjet nga vrasja e prijatarëve të Lëvizjes Politike Shqiptare të Kosovës, të cilët në lëvizjen tonë patën sjell frymën e re të filozofisë – FRYMËN E FILOZOFISË SË BASHKIMIT.
Edhe sot në këtë kthesë të madhe historike, Kosova dhe populli i saj kanë nevojë për udhëheqës vizionar, për udhëheqës të verifikuar e të ndërgjegjësuar politikisht, intelektualist e kombëtarisht, që dinë të bëjnë bashkimin e kombit dhe udhëhoqën nga fryma e kësaj filozofie.
Rrugës së heronjve të 17 janarit 82, ecën heronjtë e Kodrës së trimave Rexhep Mala e Nuhi Berisha, të cilët në 11 janarin 1984, në një luftë të pabarabartë, ranë heroikisht duke përcjellur luftën nga brezi në brez, për ti lënë stafetën Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut dhe shumë dëshmorëve tjerë të lirisë. Stafetën më vonë do ta marr brezi i Epokës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kualitet të ri në lëvizjen politike shqiptare, pas një përgjumje disa vjeçare do të sjell Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që nga nisma e saj. Ngjarje e dhimbshme dhe e lavdishme në historinë tonë të re është ngjarja e 31 janarit 1997, kur në një pusi të ngritur bien heroikisht Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha dhe Hakif Zenullahu. Kjo ishte rënia më e madhe, rënia më e madhe e deriatëhershme për UÇK-në, por ishte paralajmërimi më serioz për prezencën e saj, për seriorizitetin e saj. UÇK po hynte në familjet shqiptare, fillimisht në familjet që kishin një traditë luftarake kundër pushtuesit e më vonë ka marrë shtrirje të gjerë.
Janari i 99 është kurorëzim i të gjithë janarëve, Ushtria Çlirimtare e Kosovës arriti të shkruaj faqe të reja, të lavdishme e në ndonjë rast edhe të dhimbshme të historisë sonë moderne. Janarët e bashkuar e bëjnë të dhimbshëm e të lavdishme historinë tonë dhe kështu arrimë në janarin 2000. Shqiptarët e bashkuar krijojnë mundësi për avancimin e aspiratave të heronjve e të dëshmorëve të janarit, për sigurimin e një ardhmërie më të mirë e më perspektivë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Heronjtë dhe dëshmorë të kombit, jemi të vetëdijshëm se shënimet përkujtimore për rëniet tuja heroike s´patëm mundësi t´ju bëjmë si duhet se Kosovën ende se bëmë si deshëm, shpresojmë dhe besojmë se jemi shumë afër Kosovës që e deshëm ne. Ne dhe populli ynë jemi të bindur se përpara kemi vetëm një zgjedhje – PAVARËSINË. Në Kosovën e lirë e të pavarur çdo gjë do të jetë ndrysh, edhe FLAKA E JANARIT DO TË JETË NDRYSHE.