Prokuroria Speciale e Kosovës shumë shpejt pritet të ngre aktakuzë ndaj disa të dyshuarve për përfshirje në veprat terroriste.
Aktakuza mund të ngritet ndaj 10 personave, të cilët janë arrestuar para grupit të madh prej 40 të dyshuarve për përfshije në vepra të ndryshme terroriste.
Në një intervistë për Tv Rrokum, ushtruesja e detyrës së kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, Sevdije Morina, tha se kjo prokurori është në fazën e hapjes së hetime edhe ndaj 148 personave të tjerë për përfshirje në vepra terroriste.
Kryeprokurorja Morina tha se Prokuroria Speciale ka pasur prova të mjaftueshme edhe për fillimin e procedurave hetimore ndaj imamëve dhe hoxhallarëve, edhe për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.
Sipas saj, imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë Shefqet Krasniqi përveç që dyshohet për nxitje të urrejtjes dhe shtytje për kryerjen e veprave terroriste, dyshohet edhe për pastrim të pareve , qarkullimi i të cilave është bërë përmes një organizate arabe.
Prokuroria Speciale, sipas Morinës, po heton edhe rastin e fundit, të 24 vjeçarit Arbnor Uksmajli, nga Nerodimja e Epërme e Ferizajt, i cili ditë ma parë u vra në luftën e Sirisë, përkrah grupit terrorist ISIS.
Kryeprokurorja nuk përjashton edhe nisjen e hetimeve ndaj hoxhës, i cili u akuzua nga baba i viktimës, se e ka shtyrë djalin e tij të shkojë në luftën e Sirisë.
Në këtë prokurori nga janari deri në shtator janë hetuar 109 raste me 468 persona për korrupsion.
Ndërsa me vendim për fillimin e hetimeve janë 31 raste, me 178 persona të dyshuar për vepra korruptive, ndërsa në fazën preliminare janë 32 raste me 118 persona.
Në mesin e personave që po hetohen për vepra korruptive, sipas Morinës, ka edhe zyrtarë të nivelit lokal dhe qendror, por nuk dha ndonjë emër.
Në këtë prokurori është edhe rasti i ish- zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, ku është i përfshirë ish- sekretari i Përgjithshëm i kësaj ministrie Pleurat Sejdiu.
Ndërkohë, në këtë prokurori po hetohen edhe 17 raste të krimeve të luftës. /TV Rrokum/