1.6 C
Prizren
E martë, 4 Shkurt, 2025

Prizren, Besnik Velija: Po akuzohem padrejtësisht për grabitje

Besnik Velija, i akuzuar për grabitje, të mërkurën, ka thënë se aktakuza e ngritur ndaj tij, është e bazuar në një rast tjetër penal dhe se në bazë të kësaj aktakuze, sipas tij, janë marrë disa aktgjykime të padrejta.

Velija, së bashku me Remzi Kuqin, i cili është në arrati, ngarkohen me veprën penale të grabitjes në bashkëkryerje, pasi sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të njëjtit kanë hyrë me dhunë në firmën “Nisa”, e cila kryente shërbime të transferit të parave për “Western Union” dhe duke e kërcënuar me armë zjarri kanë marrë nga kasaforta rreth 2.500 euro.

Velija, në mbrojtjen e tij, ka thënë se provat në një rast të grabitjes së kazinosë “Las Vegas”, për të cilin nuk ka aktgjykim të plotfuqishëm, prokuroria i ka marrë për bazë për të konkluduar se të njëjtit persona e kanë kryer edhe grabitjen në këtë rast. Sipas tij, bazuar në provat e atij rasti janë marrë tre aktgjykime, siç i ka cilësuar ai, të paligjshme në këtë rast penal.

Në seancën e së mërkurës, ka dëshmuar Flurim Shehu, i cili ka thënë se gjatë vitit 2010, duke punuar në shtëpinë e Remzi Kuqit, e ka njoftuar të akuzuarin Besnik Velija, i cili po ashtu ka punuar në rregullimin e mureve të jashtme të asaj shtëpie. Ai ka thënë se gjatë 10 ditëve sa ka punuar në atë shtëpi i ka parë të rrinë bashkë Remzi Kuqin dhe Besnik Velinë, e po ashtu me një rast kishte pirë kafe së bashku me ata, pas pune.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Blerim Mazreku, ka kërkuar që në këtë rast të dëshmojë sërish e dëmtuara Diellza Pervanqe, por një propozim të tillë e ka kundërshtuar prokurori Mehdi Sefa, me arsye se njëherë janë pajtuar që deklarata e saj e mëparshme të lexohet.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Artan Sejrani, ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për dëgjimin e dëshmitares Diellza Pervanqe, ndërsa me kërkesë të mbrojtjes, e ka shtyrë shqyrtimin për 28 korrik 2017, në ora 13:30, ku do të jepen fjalët përfundimtare.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, sipas së cilës i akuzuari Besnik Velija ngarkohet me veprën penale të grabitjes në bashkëkryerje.

Sipas aktakuzës i akuzuari Velija së bashku me të akuzuarin tjetër, i cili është në arrati,  Remzi Kuqi, kanë hyrë me dhunë në firmën “Nisa”, e cila kryente shërbime të transferit të parave për “Western Union” dhe duke e kërcënuar me armë zjarri kanë marrë nga kasaforta rreth 2.500 euro.

I akuzuari Velija, më 4 maj 2016, është gjetur fajtor nga Gjykata Themelore në Prizren, me ç’rast është dënuar me 3 vite burgim efektiv.

Po ashtu edhe Gjykata e Apelit më 16 shtator 2016, ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë dhe ka refuzuar ankesat e mbrojtjes si të pabazuara.

Por, mbrojtja e të akuzuarit, ka atakuar vendimin e Apelit në Gjykatën Supreme, për shkelje të procedurës penale dhe ligjit penal, me ç’rast Supremja ka vendosur që rasti të kthehet në rigjykim në shkallë të parë.

Sipas Gjykatës Supreme në këtë rast nuk janë vërtetuar saktë provat nga vendi i ngjarjes, pasi që ekzekutorët kanë mbajtur maska dhe nuk mund të vërehen nga kamerat se kush janë. Tutje, në aktgjykimin e Supremes, thuhet se as punëtorja e lokalit të sulmuar nuk ka mundur të bëjë identifikimin e personave që e kanë sulmuar e po ashtu i akuzuari tjetër është arratisur dhe nuk e ka inkriminuar të akuzuarin si bashkëkryerës.

Ndërsa, sipas Supremes, nuk është e mjaftueshme arsyetimi i gjykatës se i akuzuari ka pasur veshë një trenerkë me vija, e cila po ashtu është përdorur në një rast tjetër të grabitjes (Las Vegas) dhe se është vërtetuar se është e të akuzuarit në fjalë, për të cilin rast gjithashtu nuk ka vendim përfundimtar të çështjes./betimiperdrejtesi/

Më Shumë

97-shi i LDK-së, Xhavit Ukaj: Liria e Prizrenit do të rikthehet në majën e futbollit

Kandidati i LDK-së për deputet, Xhavit Ukaj, ka premtuar se Klubi Futbollistik 'Liria' i Prizrenit do të rikthehet në vendin e merituar. "Patëm kënaqësinë të...

Prizreni në kërkim të fitores vendimtare ndaj Borës

Sot në ora 16:00, palestra “Sezai Surroi” në Prizren do të jetë skena e një përballjeje vendimtare në ProCredit Superligë, ku P.C. Prizreni do...

Lajmet e Fundit