25.8 C
Prizren
E shtunë, 18 Maj, 2024

Prizren: Ndërtesa e Beledijes mbeti, kroi ndërroi “vendbanim”

Në mesin e dhjetë monumenteve të restauruara viteve të fundit është edhe ndërtesa e Kuvendit të vjetër – Beledija, Selamllëku i Shani Efendiut dhe Shtëpia e Shuaip Pashë Spahiut.

Lidhur me krojet e shumta të Prizrenit ka shumë histori. Njohësi i çështjeve të trashëgimisë, Bedri Çejku, tregon se si fëmijë ka pirë ujë dhe është freskuar te kroi i Beledijes. Ai thotë se kroi ishte i dobishëm dhe kishte ujët më të mirë.

Çejku thotë se një ndër krojet më me famë në qytet ishte edhe Kroi i Beledijes.

Edhe Berat Baftiu, shkrimtar që ka shtëpinë afër Belediut, tregon se shpesh ka marrë ujë tek ky kroi i Beledijes.

“Thuhej se është krua me ujë të mirë, sepse vjen nga “Bjeshkët e Pashës”. Emrin e ka marrë nga vetë objekti i Kuvendit Komunal të Prizrenit, që u ndërtua gjatë periudhës osmane, në shekullin XIX”, është shprehur ai.

Kroi është ndërtuar në oborrin e Beledijes, siç quhet në gjuhën turke Kuvendi, gjatë shek. XIX.

I ndërtuar nga gurët gëlqerorë

Kroi gjendej ndërmjet objektit të ‘Beledijes’ dhe Xhamisë së Mustafë Pashës.

“Në këtë vend kroi e kreu funksionin e vet primar nga koha e ndërtimit e deri në vitet 1960. Asokohe lagjja pësoi ndryshime të paparapara. Xhamia e Mustafa Pashës u rrënua më 1952. Në anën e djathtë të lumit u ndërtua dhe asfaltua aksi rrugor nga “Tabakhana” e deri në ‘Marash’. Kroi ndodhej në aks të rrugës. Si rrjedhojë e ndërtimit të aksit rrugor, kroi më 1963 u dislokua në “Sheshin e Dëshmorëve”, i cili gjendet në pjesën qendrore të qytetit, ndërmjet urës e Xhamisë së Arastës dhe Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Kroi është i ndërtuar nga gurët gëlqerorë të latuar”, është shprehur ai.

Atraksioni nuk funksionon prej vitesh Gjatë përpunimit, blloqeve të gurëve u është dhënë forma e katrorëve, me madhësi të ndryshme.

“Në pjesën e sipërme, në të katër anët e tij, ngrihen harqe, e mbi to është vendosur një gur gjysmë sferik. Në pjesën ballore të kroit është një profil i cekët, në formë kornize, ku brenda saj duhej të ishte mbishkrimi me të dhëna elementare për të, por kjo mungon. Kroi është me një sylinjare. Ujin e merrte nga ujësjellësi i qytetit. Korita e tij është nga betoni dhe gurët janë katrorë. Në kohën e ndërtimit të kroit në shesh u ndërtua edhe kanali i ujit, i cili gjarpëronte nëpër shesh. Kroi me kanalin plot me ujë paraqiste një lloj atraksioni”, tregon Baftiu.

Por, fatkeqësisht ky atraksion prej vitesh nuk funksionon, ndërsa nga kjo ka mbetur vetëm kanali pa ujë.

“Dikur thuhej kush pinë tri herë ujë Prizreni mbetet përherë aty. Një gojëdhënë që thuhej se e kishte sjellë Jerovi, një mjeshtër muresh me gur, derisa dëshironte të udhëtonte për në Shkup, pa dashje kishte mbetur tri ditë në Prizren,atëbotë ushqimi ishte më i rrallë dhe ai ushqim të vetëm e shfrytëzonte ujin. Por, pas kësaj ai mbeti përgjithmonë në Prizren”, shprehet Prof. dr. Mejdi Elezi.

Në librin “Prizreni i lashtë” me autor Muhamed Shkukriu, thuhet se në Prizren në shekullin XIX kishte 196 kroje publike.

Mustafa Ibrahimi, 93- vjeçar, pohon se i ati Avduli i numëronte deri në deri 203 kroje publike të këtij qyteti. Ai thotë se krojet dikur në Prizren ishin në secilin kënd afër xhamive të qytetit dhe në afërsi të varrezave.

Të gjitha krojet e vjetra ishin të njohura me ujë të pijshëm apo siç ndryshe e quanin “ujë që të pikë në ballë”. /Kosova Sot

Më Shumë

Lajmet e Fundit