Pranë, Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prizren, është dhënë fjala përfundimtare ndaj ish-inspektorit të hidro-ekonomisë, Avdulla Gashi, i cili po akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Drejtësia Sot, raporton se ish-inspektori Gashi, po akuzohet që në fshatin Reçan të Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të përcaktuara me ligj, duke i mundësuar investitorit H.K. të bëjë ndërtimin e objektit në rrjedhën e lumit “Lumbardh” dhe të uzurpojë një sipërfaqe prej rreth 155 metrash katror të pasurisë shoqërore-publike.
Në fjalën përfundimtare, prokurorja e shtetit, Ervehe Gashi, deklaroi se pas administrimit të të gjitha provave, deklaratat të dëshmitarëve të propozuar në këtë gjykim do të vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprën penale në fjalë, duke kërkuar nga gjykata që të njëjtin ta shpall fajtor dhe ta dënoj sipas ligjit.
Ndërsa, përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Blerim Mazreku, në fjalën përfundimtare të tij, ka theksuar se Komuna e Prizrenit do të filloje procedurë kontestimore për kompensim dëmi vetëm nëse i akuzuari shpallet fajtor me vendim të formës së prerë.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokati Rexhep Hasani fjalën përfundimtare gjykatës ia dorëzoi në formë të shkruar, duke kërkuar që klienti i tij të lirohet nga akuza për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, pasi që nuk është vërtetuar me asnjë fakt të vetëm se i mbrojturi imë të ketë kryer këtë vepër penale me dashje direkte.
E me fjalën përfundimtare të avokatit Hasani, u pajtua edhe i akuzuari Avdulla Gashi, duke shtuar se nuk e ndien vetën fajtor për veprën penale në fjalë dhe tha se asnjë inspektor nuk e ka ditur se parcela me nr 801-0 është pasuri publike.
Në fund, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Raima Elezi me anëtarët Vjollca Buzhala dhe Xhimshit Galushi, vendosën që shpallja e aktgjykimit të bëhet të premten me datë 24 dhjetor 2021 në ora 13:00.
Aktakuza përshkruan se, Prokuroria Themelore në Prizren, po akuzon Gashin se me datë 03.10.2017 në fshatin Reçan të Komunës së Prizrenit, duke vepruar në cilësi të personit zyrtar-Inspektor në Drejtorinë e Inspektorateve të Komunës së Prizrenit, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo personin tjetër, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të përcaktuara me ligj. Inspektori Gashi me këtë rast i ka tejkaluar kompetencat e tij ligjore, në kundërshtim me Ligjin për ujërat e Kosovës dhe Udhëzimin administrativ për kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e brigjeve të ujë-rrjedhave dhe akumulacioneve.
Tutje, aktakuza përcakton këto veprime janë kryer ashtu që i akuzuari Avdulla Gashi, ditën kritike derisa po inspektonte objektin në ndërtim nga investitori H.K., pa fakte konstaton në procesverbalin për inspektimin e kryer, se investitori ka respektuar pikat e kadastrit.
Drejtësia Sot,