20.8 C
Prizren
E mërkurë, 1 Maj, 2024

Prizren: Pranon fajësinë njëri nga dy policët e akuzuar për marrje ryshfeti

Zyrtari policor Kujtim Kryeziu, i akuzuar për “marrje ryshfeti”, e ka pranuar fajësinë, të martën, në Gjykatën Themelore në Prizren.

I akuzuari Kujtim Kryeziu, pas konsultimit me mbrojtësin e tij, avokatin Bestar Kolgeci, ka vendosur që ta pranoi fajësinë për veprën penale që i ngarkohet me aktakuzë.

Këtë pranim të fajësisë e kanë kundërshtuar prokurori Mehdi Sefa dhe mbrojtësi i të akuzuarës tjetër Lindita Haxhaj, avokati Labinot Berisha, pasi që në aktakuzë thuhet se në bashkëkryerje e kanë kryer këtë vepër penale.

Por kundërshtimin e tyre, trupi gjykues nuk e ka konsideruar si arsye për mos aprovimin e pranimit të fajësisë nga i akuzuari Kryeziu, me ç’rast shqyrtimi ka vazhduar me fjalët hyrëse të palëve në procedurë.

E akuzuara tjetër për marrje të ryshfetit, Lindita Haxhaj, nuk e ka pranuar fajësinë, duke mohuar se ka marrë para nga i dëmtuari Sinan Gashi, apo nga kolegu i tij, Kujtim Kryeziu, që ishin në patrullim.

E akuzuara Haxhaj, ka deklaruar se kundërvajtësin Sinan Gashi, e kishte ndalur pasi që po qarkullonte me makinë pa autorizim, por më pas sipas saj, ka ardhur kolegu i saj Kujtim Kryeziu, i cili thotë t’ia ketë marrë dokumentet, duke mos i treguar se çka ka ndodhur më pas.

Ajo ka deklaruar se ditën për të cilën akuzohet, i kishte vetëm 5 euro dhe këtë mund ta dëshmojnë shefi i ndërrimit Muhamet Ilazi, apo edhe kamerat e lokalit ku thotë se ka qenë duke pirë kafe.

Fjala përfundimtare në këtë rast, është caktua më 26 dhjetor 2017, në ora 13:30.

Në shqyrtimin fillestar që ishte mbajtur më 2 tetor të këtij viti, të dy këta zyrtarë policorë ishin deklaruar të pafajshëm për akuzën që u vihej në barrë.

Zyrtarët policorë Kujtim Kryeziu dhe Lindita Haxhaj, akuzohen se më 3 shkurt 2017, në Prizren, kanë ndaluar një qytetar për kundërvajtje dhe nga i njëjti kanë kërkuar ryshfet për të mos i shqiptuar dënimin me gjobë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Kujtim Kryeziu i ka thënë qytetarit të ndaluar që të vendosë 15 euro në librezën e makinës dhe t’ia sjellë atij.

Sipas aktit të akuzës, pasi që qytetari ka vepruar sipas udhëzimeve, ai është liruar të vazhdojë rrugën pa u dënuar.

Kujtim Kryeziu, nga paratë e marra, siç thuhet në aktakuzë, ia kishte dhënë 5 euro të akuzuarës Lindita Haxhaj.

Më Shumë

Mbi 1 mijë e 800 gjoba trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

1 mijë e 863 gjoba trafiku janë shqiptuar në 24 orët e fundit në vendin tonë. Gjatë kësaj periudhe kanë ndodhur 16 aksidente me të...

Policia jep detaje për aksidentin me dy të vdekur në Suharekë

Një aksident mes një motoçiklete dhe një veture ka ndodhur në Shirokë të Suharekës. Këtë për Klankosova.tv e ka konfirmuar Drejtori i Policisë në Prizren,...

Lajmet e Fundit