14.8 C
Prizren
E premte, 17 Maj, 2024

Prizrenasja e rritur në Tuzlla: Dikur mezi i prisnim Pashkët, Kërshëndellat apo Bajramin

Ngjyrosja e vezëve për Pashkë është traditë e gjatë e krishterimit, e cila bartë porosinë se jeta fillon nga veja. Vezët mund të ngjyrosen me ngjyra të ndryshme, mirëpo më të bukura janë ato të larmet.

Prizrenasja, Greta Kaçinari e cila është rritur dhe shkolluar në qytetin Tuzlla, në Bosnje dhe Hercegovinë, për Anadolu Agency thotë se ekzistojnë shumë legjenda përse vezët e pashkëve janë të larme. Njëra nga ato legjenda thotë se, gjatë dërgimit të Jezu Krishtit për tek kryqi në të cilin ishte kryqëzuar, gjaku i tij i derdhur nga goditjet e shumta që i kishte marr rrugës, kishte spërkatur vezët.

“Personalisht mendoj se vezët e larme paraqesin gëzim që, së pari i përgatitet fëmijëve, pastaj janë gëzim për të rriturit që merren me këto detaje të vogla që ato të duken sa më bukur dhe në fund, janë dhuratë për fqinjët, miqtë dhe të gjithë ata që na vijnë për vizitë”, thotë Greta.

Ajo shton se, në vendlindjen e saj, në Prizren është zakon që edhe për Shëngjergj, herët në agim të ditës, fëmijët të lajnë fytyrën me ujin e skuqur nga vezët e pashkëve, të ngjyrosura në të kuqe. Kjo bëhet për t’iu uruar shëndet të mirë fëmijëve, gjatë tërë vitit.

Vezët mund të ngjyrosen në shumë mënyra mirëpo Greta e kultivon traditën dhe mënyrën e vjetër të cilën e ka mësuar nga nëna e saj dhe ky është kombinimi i lëvores së qepës dhe çorapëve të vjetra të najlonit.

“E kombinoj këtë…kjo i jep një nuancë të mrekullueshme dhe këtu çorapen e lidhi në nyje. Ajo që është më interesante, këtu ku e lidhi nyjën, aty çdo herë paraqitet si një diell i vogël…”, thotë ajo dhe shpjegon se si, në tenxheren me ujë të nxehtë, shton krip dhe sheqer, shton ngjyrën nga qesja dhe i fut vezët e mbështjella.

Vezët zakonisht ngjyrosën të Enjten e Madhe, ndërsa të Premten e Madhe nuk ngjyrosen sepse ajo është ditë zie, dita kur ka vdekur zotëri Jezu Krishti. Ata që nuk mbërrijnë t’i ngjyrosin vezët para të premtes, atë mund ta bëjnë edhe të shtunën, ndërsa duhet të përgatitet edhe pogaçja dhe ëmbëlsirat.

“Pashkët qëllojnë të jenë gjithmonë të dielën dhe kam vërejtur se është hëna e plotë, që është shumë karakteristike, sepse, Bajrami është kur është hëna e re, do të thotë, Pashkët shkojnë sipas ndërrimit të hënës”, thotë Greta.

Ajo rikujton se, para pashkëve është periudha e agjërimit e cila zgjatë shtatë javë, ndërsa ata të cilët nuk mund të agjërojnë, gjatë kësaj periudhe mund t’iu dhurojnë të varfërve.

“Në ditën e Pashkëve, në mëngjes, së pari hahet pogaçja e cila është bekuar të shtunën, do të thotë ky është mëngjesi. Unë e përgatis pogaçen më të thjeshtë të mundur, jo pse nuk di të përgatis ato më ekskluzivet por e përgatis të thjeshtë që të na kujtoi modestin dhe të na përkujtoi se për jetë na duhet vetëm buka dhe uji”.

Në familjen e Gretës, së bashku me pogaçe, në mëngjes hahen edhe vezët e ziera, djathi, qepët dhe pak krip. Pastaj, është zakon që një vezë e kuqe t’i falet kishës. Pastaj vjen dreka familjare. Dikur ishte i obligueshëm qengji i pjekur, sytlijashi (qumësht me oriz)…

“Pashkët në kohën time kanë pasur kuptim tjetër…atëherë kishim këpucë të reja, çorap të reja, të veshur në të bardhë, të rregulluar mirë, çdo gjë në mua ishte e re , në kohën kur unë isha fëmijë. Sot, nuk ka më nevojë të pritet ajo ditë sepse, po thuaja çdo të dytën ditë, prindërit ju blejnë gjëra dhe ata e kanë humbur ndjenjën e pritjes së Pashkëve”, thotë ajo.

Në Tuzlla, të gjithë i gëzoheshim të gjitha festave fetare

Greta Kaçinari dhe familja e saj, kanë jetuar në Tuzlla prej se ajo ishte 9 vjeçe. Atje ka kryer shkollën fillore dhe të mesme, si dhe fakultetin e gjuhës angleze. Kur është martuar për Gjergj Kaçinarin, përndryshe kompozitorin e mirënjohur shqiptarë nga Kosova, është kthyer në Kosovë. Ajo ka punuar si arsimtare e gjuhës angleze në shkollën fillore “Elena Gjika” (dikur “Vuk Karaxhiq”) në Prishtinë, ndërkohë që ishte edhe drejtoresh e kësaj shkolle, për një kohë të gjatë.

Deri në vitin 1991 kur ka filluar lufta, ajo ka vizituar shpesh kushërinjtë dhe miqtë e saj që jetonin në Bosnje dhe Hercegovinë. Në Tuzlla i ka të varrosur babanë dhe vëllanë. Greta thekson se, kujtim i bukur nga koha kur ka jetuar në Tuzlla i ka mbetur fakti se, atëherë, kurrë dhe askush nuk ka pyetur se kush dhe çka je.

Ajo rrëfen se si jeta në një shoqëri shumëkombëshe dhe me shumë fe, si dhe shoqet e saja si: Nada, Ljerka, Zrinka, Jasna, Amira, Haxhaga dhe të tjerat, i kanë ndihmuar që të rritet dhe të edukohet në frymën e respektit ndaj të gjithë njerëzve, ashtu si jeton edhe sot e kësaj dite.

Kujtimet e saj nga Tuzlla janë të mrekullueshme, thotë ajo, ndërsa më të bukurat janë ato para festave fetare.

“Isha shumë aktive në kishë, deri sa kam jetuar në Tuzlla, në ato kohë kur nuk kishte shumë aktivitete kishtare sepse atëherë nuk ishin shumë të preferuara. Megjithatë, ata të cilët kanë qenë katolik, ata i kanë festuar festat e tyre, ortodoksët të vetat dhe myslimanët të tyret, kurse të gjithë së bashku, mezi kemi pritur kur do të vijë Bajrami, kur dikush do t’i festojë Kërshëndellat apo Pashkët”, tregon Greta.

Motoja e saj jetësore është se, njerëzit të pranohen ashtu si janë dhe se nga secili mund të mësohet nga diçka e re. Megjithatë, ajo rrëfen se, përkundër asaj që shumëkush sikurse vëllai i saj, nuk kanë besuar se do të vijë deri te lufta në Bosnje dhe Hercegovinë, njerëzit i merr përpara “vrulli i vërshimeve” dhe ata e humbin shpirtin.

Greta me pasaportën kosovare, tash për tash, nuk mund të udhëtoj në Bosnje pasi që nuk i ka rregulluar me kohë dokumentet boshnjake, ndërsa thotë se me gjithë dëshirë do të shkonte në Tuzlla.

“Prandaj, boshnjak të mi të dashur dhe kosovar të mi të dashur, t’i lëmë anash gjitha këto gjëra, mos të udhëhiqemi nga e keqja, ta duamë njëri tjetrin sepse, më besoni, jeta është shumë e shkurtër dhe kalimi nga kjo jetë në jetën tjetër të përhershme mos të na zërë të papërgatitur për nga çështja e dashurisë dhe respektit për njëri tjetrin”, thotë Greta Kaçinari.

Të gjithë krishterëve, zonja Greta iu uron Pashkët, ndërsa vëllezërve të dashur mysliman ju porosit se dyert e saj janë të hapura. “Posaçërisht i falënderohem Anadolu Agency dhe juve dyve që keni ardhur në shtëpinë time për festën time”, thotë në fund Greta Kaçinari.

Më Shumë

Kërkohet drejtësi për 77 martirët e Korishës

Me një manifestim përkujtimor, është shënuar 25 vjetori i vrasjes së 77 civilëve në Korishë, të cilët ishin përdorur si mburojë njerëzore nga serbët...

Kopja e Glauk Konjufcës është nga Prizreni (VIDEO)

Bëhet fjalë për Shend Namlegjiu nga Prizreni. Më poshtë ndiqeni kronikën e plotë nga Klan Kosova: https://youtu.be/WNSnZGZl1HQ?si=IMagrhagXggLymBr Marketing https://prizrenpress.com/eli-edona-mobilieria-me-oferta-me-te-mira-ne-prizren/ https://prizrenpress.com/guraziu-ne-prizren-me-20-vjet-pervoje-pune-ne-vendosjen-e-dyerve-laminatit-parketit-kuzhinave-dhe-dhomave-te-fjetjes/ https://prizrenpress.com/adi-plast-ne-prizren-nje-emer-i-njohur-ne-tregun-e-kosoves-dhe-nderkombetar-per-vendosjen-e-dyerve-dhe-dritareve/ https://prizrenpress.com/kompleksi-newco-elan-ofron-banesa-te-endrrave-tuaja-ne-zemer-te-prizrenit/ https://prizrenpress.com/banesa-ne-shitje-nga-renelual-tahiri/

Lajmet e Fundit