1.8 C
Prizren
E enjte, 28 Nëntor, 2024

Prizren:I akuzuari për keqpërdorim të detyrës kërkon përjashtimin e trupit gjykues

Ish-drejtori i ish-fabrikës “Anthea”, Flurim Gallopeni, që akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ka kërkuar përjashtimin e trupit gjykues, nga gjykimi i rastit ndaj tij.

Një kërkesë të tillë, i akuzuari Gallopeni, e ka bërë në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Prizren, ku gjykimi ndaj tij është duke u zhvilluar për herë të katërt, pasi që tri herë ky rast është kthyer në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Me këtë procedurë jam lodhur, si dhe e kam humbur besimin në trupin gjykues, pasi që në përgjithësi ky trup gjykues ka qenë në përbërje të njëjtë, si dhe nuk jam i kënaqur me këtë përbërje”, ka thënë i akuzuari Gallopeni.

Ai ka thënë se një kërkesë të tillë, po e bënë tani, pasi sipas tij, nuk e ka ditur që në fillim të procesit të jepte vërejtje lidhur me përbërjen e trupit gjykues.

Mbrojtësi i të akuzuarit Gallopeni, avokati Sehal Haliti, lidhur me kërkesën e klientit të tij, ka propozuar që kryetari i gjykatës të vendos lidhur me përjashtimin apo jo të këtij trupi gjykues.

Në këtë çështje penale, përbërja e këtij trupi gjykues, kryesohet nga gjykatësja Raima Elezi, si dhe dy anëtarët, gjykatësja Teuta Krusha, si dhe gjykatësja Ajser Skenderi.

Gjykatësja Elezi, lidhur me kërkesën e të akuzuarit, ka thënë se një gjë të tillë nuk e kundërshton aspak, si dhe sipas saj, asnjëherë më parë nuk i ka ndodhur që një palë në procedurë, të kërkojë përjashtimin e saj.

Ndryshe, në këtë seancë fillimisht është dhënë fjala hyrëse nga palët në procedurë, në të cilën prokurori i kësaj çështje Metush Biraj, dhe avokati mbrojtës i të akuzuarit, kanë deklaruar se mbesin pranë deklarimeve që i kanë dhënë në seancat e kaluara.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori Biraj, i akuzuari pas konsultave të mjaftueshme me mbrojtësin e tij, ai edhe njëherë është deklaruar i pafajshëm për veprën që i ngarkohet.

Në këtë seancë ka munguar e dëmtuara Michaela Luvalve.

Meqenëse, nuk kishte kushte ligjore për të vazhduar shqyrtimi kryesor, gjykatësja Raima Elezi, seancën e radhës e ka caktuar pas disa muajsh,  dhe atë më 2 tetor 2019 prej orës 10:00, ku sipas saj, për sigurimin e prezencës së të dëmtuarës do të dërgohet ftesë përmes Ministrisë së Drejtësisë, zyrës për bashkëpunim juridiko ndërkombëtar.

Ky rast zhvillohej në bazë të aktakuzës së ish-Prokurorisë së Qarkut në Prizren, të ngritur në shtator 2012, me të cilën Flurim Gallopeni akuzohet se duke qenë drejtor i fabrikës “Anthea”, ka keqpërdorur pozitën e tij zyrtare, duke i dëmtuar bashkë-investitorët italianë.

Ai akuzohej se nga shtatori 2011 e deri në janar 2012, ka larguar në mënyrë kundërligjore mallin, maska për karnavale, nga depo e fabrikës, duke u shkaktuar bashkë-investitorëve dëm në vlerë prej 14.319 euro.

Më 11 nëntor 2013, Gjykata Themelore në Prizren e ka shpallur fajtor të akuzuarin Gallopeni dhe e ka dënuar me gjashtë muaj burgim efektiv, mirëpo më 21 nëntor 2014,  ky aktgjykim është prishur nga Gjykata e Apelit me arsye se nuk është vërtetuar drejtë gjendja faktike.

Gjykata, pas rigjykimit të rastit, më 19 nëntor 2015, sërish e ka gjetur fajtor të akuzuarin Gallopeni, por kësaj radhe e ka dënuar me burgim me kusht prej një viti, i cili dënim nuk do të ekzekutohej nëse i akuzuari brenda dy vjetësh nuk do të kryente vepër të re penale.

Aktgjykimin e dytë e ka vërtetuar edhe Apeli, duke refuzuar si të pabazë kërkesën e mbrojtjes për prishjen e vendimit dhe kërkesën e organit të akuzës për rritjen e dënimit.

Por, duke u bazuar në ankesën e avokatit mbrojtës, për mbrojtje të ligjshmërisë, Gjykata Supreme, më 22 gusht 2016, ka anuluar aktgjykimin e shkallës së parë dhe atë të Apelit, duke urdhëruar që rasti të kthehet sërish në shkallë të parë për rigjykim.

Sipas aktgjykimit të Supremes, gjykata në rastin konkret është përballur më dy ekspertiza financiare të cilat kundërshtojnë njëra-tjetrën, pasi që njëra konstaton dëm dhe keqpërdorim të shumës prej mbi 14 mijë euro të të akuzuarit, ndërsa tjetra thotë se nuk ka fare dëm.

Andaj, Supremja ka rekomanduar që në rigjykim të bëhet një super-ekspertizë, e cila do të vendosë rreth kundërthënieve të dy ekspertizave të para dhe do të vërtetojë nëse ka apo nuk ka keqpërdorim të mjeteve materiale nga i akuzuari në fjalë.

Në shkurt 2017, gjykata e shkallës së parë, ka parashtruar kërkesë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit Publik të Prishtinës për të kryer super-ekspertizën financiare, por ky institucion vetëm më 28 shtator 2017, ka kthyer përgjigje se nuk kanë mundur të bëjnë ekspertizën.

Fakulteti Ekonomik ka kthyer lëndën duke shkruar se nuk kanë mundur të bëjnë ekspertizën sepse në lëndë nuk janë gjetur librat e kontabilitetit menaxherial dhe financiar.

Në seancën e 11 nëntorit 2017, trupit gjykues ka vendosur që ekspertizën në fjalë ta kryejnë tre ekspertë financiarë që gjenden në listën e ekspertëve të gjykatës.

Pas pranimit të super-ekspertizës, më 1 mars 2018, ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor ku i akuzuari ka dhënë mbrojtjen tij dhe janë dhënë fjalët përfundimtare nga palët në procedurë.

Më 2 mars të vitit 2018, ai ishte shpallur sërish fajtor dhe ishte dënuar me një vit burgim me kusht, në afat verifikimi prej dy vjetësh, që të mos kryente vepra tjera penale, por që edhe për herë të tretë ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, e cila ka rekomanduar që të bëhet dëgjimi dhe ballafaqimi i të dëmtuarës Michaele Luvale, me të akuzuarin Gallopeni.

Sipas aktakuzës, Gallopeni, nga shtatori 2011 e deri në janar 2012, ka larguar në mënyrë kundërligjore mallin, maska për karnavale, nga depo e fabrikës, duke u shkaktuar bashkë-investitorëve dëm në vlerë prej 14.319 euro.

Më Shumë

Probleme me ngrohjen në dy shkolla të Prizrenit

Për shkak të një defekti në pompën e naftës së kalldajës dhe mungesës së energjisë elektrike, sot dhe nesër nuk do të zhvillohet procesi...

Olta Gixhari tregon detaje nga historia e dashurisë me Dorin: Ishim ulur në një banak në Spanjë

Aktorja e njohur Olta Gixhari ka rrëfyer detaje të pa treguara më parë për marrëdhënien e saj me Dorin. Në një intervistë me Arbana...

Lajmet e Fundit