15.8 C
Prizren
E hënë, 13 Maj, 2024

Prizreni duhet të krijojë vend për përfaqësimin politik të komunitetit romë

Nexhipi MenekshShkruan: Nexhip Menekshe

Pjesëmarrja e komunitetit romë në vendimmarrjen lokale përkundër disa ndodhive pozitive në vitet e fundit nuk është në nivel të kënaqshëm. Vetorganizimi i dobët i këtij komuniteti por edhe mungesa e mbështetjes së duhur nga popullata shumicë e komunitetet tjera pakicë kanë bërë që përfaqësimi politik në pushtetin lokal të jetë i ulët.

Përderisa në nivelin qendror mekanizmi i ulëseve të rezervuara ka siguruar pjesëmarrjen e deputetëve romë, në nivel lokal ky komunitet duhet të sigurojnë vota të mjaftueshme në garë me të tjerët për të pas përfaqësues të zgjedhur. Në këtë situatë dalja e ulët në votime e pjesëtarëve të komunitetit romë, kryesisht i ka lënë ata pa përfaqësim në Kuvendet Komunale, natyrisht me ndonjë përjashtim të vogël.

Në zgjedhjet e 2009-ës në Prizren një pjesëtare e komunitetit rom është zgjedhur këshilltare si pjesë e listës zgjedhore të LDK-së. Kjo është përshëndetur si një e arritur, meqë një parti e shumicës i ka krijuar hapësirë dhe mundësi një pjesëtareje të një komuniteti pakicë. Mirëpo, asnjë rom nuk është emëruar në ekzekutivin e Prizrenit, gjë që nuk ka sjellë ndonjë ndryshim në këtë drejtim. Përfaqësimi i vetëm i përhershëm i RAE-ve në Komunën e Prizrenit është në Zyrën Komunale për Kthim dhe Komunitete.

Faktorët që ndikojnë në pjesëmarrjen e ulët të romëve përmblidhen në mungesën vetëbesimit të përfaqësuesve të komunitetit për t’u angazhuar në mënyrë aktive në politikat komunale, për shkak të margjinalizimit shumë vjeçar por edhe mungesës së organizimit vetanak. Madje, margjinalizimi që me vete ka sjellë vetorganizimin e dobët, si pasojë, mund të veçohet si pengesë e rëndësishme për përfaqësimin në nivel lokal. Edhe sensibilizimi i pamjaftueshëm partiak e ka bërë veten në këtë drejtim. Mirëpo, as institucionet përgjegjëse nuk mund të shquhen se kanë qenë aktive për t’iu qasur komunitetit rom për ta promovuar pjesëmarrjen e tij në procesin zgjedhor dhe pushtetin lokal. Paragjykimet në lidhje me komunitetin romë e kanë bërë të veten, duke bërë që përfaqësimi i tyre në institucionet lokale të mbetet ende në nivel dëshirë.

Duhet cekur se romët, në numër më të madh dhe ashkalitë e egjiptasit në numër më të vogël, janë komunitete që jetojnë tradicionalisht në Prizren. Pjesëtarët e këtyre komuniteteve konsiderohen si të cenueshëm, të cilët duhet te integrohen në mënyrë më efikase dhe janë pjesë e obligimeve te papërmbushura të institucioneve në mënyrë që komunitetet RAE ta luajnë rolin e vet në jetën arsimore, sociale, ekonomike dhe politike.
Qyteti i Prizrenit ka një komunitet romë të fuqishëm dhe me traditë, i cili është i njohur për jetën e pasur artizanale dhe aktive kulturore. Ata kanë nevojë për pjesëmarrje efektive në jetën publike, në veçanti në çështjet që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në to dhe kjo kërkon një vullnet më të shprehur politik për t’i përfshirë ata në proceset e vendimmarrjes.

Krahas të drejtave për arsimim në gjuhë amtare, pjesëmarrje në jetën kulturore, sociale e ekonomike, përfaqësimi politik përbën njërin nga elementet më të rëndësishme në ‘betejën’ për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e identitetit rom në Prizren. Më e rëndësishmja pjesëmarrja e tyre në pushtetin lokal krijon mundësitë që edhe ata të kërkojnë zgjidhje për brengat e tyre përmes një qasjeje integruese.

Sektori i shoqërisë civile në Prizren në përputhje me misionin e tij, ka bërë përpjekje për bashkëpunim me institucionet dhe donatorët për të trajtuar dhe zgjidhur problemet e shumta me të cilat ballafaqohet ky komunitet. Në këtë drejtim ka pas të arritura të konsiderueshme, duke nisur nga themelimi i medieve në gjuhën rome, qendrave kulturore e arsimore e deri te pilot-projekti për mësimin plotësues në gjuhën rome. Megjithatë, mbetet edhe shumë punë për tu bërë.

Pra, integrimi i komuniteteve etnike është parakusht për një shoqëri paqësore, demokratike dhe përparimtare. Në këtë kontekst, integrimi i duhur i komunitetit rom në institucionet e pushtetit lokal të Prizrenit është detyrë e gjithë shoqërisë prizrenase, meqë bëhet fjalë për një grup të cenueshëm. Në këtë drejtim nuk duhet të ketë favorizime por vetëm angazhim për të mbështetur këtë grup të cenueshëm që gradualisht të ngritë kapacitetet e veta vetorganizuese në mënyrë që përfaqësimi politik në nivel komunal të jetë i përhershëm, përmes sigurimit të besimit të votuesve romë në radhë të parë e pse jo më pas edhe të votuesve nga komunitetet tjera që jetojnë në Prizren.

 

Më Shumë

Lajmet e Fundit