14.8 C
Prizren
E enjte, 28 Nëntor, 2024

Prizren:Tre herë i dënuar me 14 vjet burgim, për herë të katërt rihapet gjykimi ndaj të akuzuarit për vrasjen e gruas

Gjykata Themelore në Prizren, e ka rihapur gjykimin ndaj të akuzuarit për vrasjen e bashkëshortes së tij, Qamil Hetemi, ngjarje kjo që kishte ndodhur në shtator të 2011, në Ferizaj.

Të martën, ka qenë e paraparë që të shpallet për herë të katërt, aktgjykimi ndaj të akuzuarit Hetemi, i cili tri herë është shpallur fajtor dhe ishte dënuar me 14 vjet burgim, por që rasti vazhdimisht ishte kthyer në rigjykim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Skender Çoçaj, rigjykimi është rihapur me arsyet që të bëhet një ekspertizë lidhur me dorëshkrimet e viktimës, që sipas tij, do të përcaktonin gjendjen e tani të ndjerës para se të ndodhte rasti kritik.

“Do të caktohet eksperti përkatës për analizimin e dorëshkrimeve të lëna nga e ndjera, në mënyrë që të jepet mendimi profesional rreth këtyre dorëshkrimeve, si dhe të përgatitet autopsia psikologjike eventuale”, deklaroi gjykatësi Çoçaj.

Seanca e radhës, do të mbahet pasi që të caktohet një grup ekspertësh, të cilët sipas gjykatësit Çoçaj, do të jenë ekspertët më me përvojë të mundshëm.

Hetemi, akuzohet se në shtator 2011, pas mosmarrëveshjeve me gruan e tij, ka qëlluar të njëjtën me armë zjarri, nga afërsia, duke i shkaktuar vdekjen.

Ndryshe, në të kaluarën, tre herë ishte vendosur për këtë rast, dy herë nga Gjykata Themelore në Ferizaj, dhe një herë nga Gjykata Themelore e Prizrenit, por çdo herë deri më tani, rasti në fjalë ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Ky rast është gjykuar dy herë në Gjykatën Themelore në Ferizaj, ku i akuzuari është dënuar me 14 vite burgim, por Gjykata e Apelit e ka prishur atë aktgjykim, derisa në anulimin e aktgjykimit të dytë, Apeli ka rekomanduar ndryshimin e trupit gjykues.

Në mungesë të trupit gjykues në Gjykatën Themelore në Ferizaj, rasti është caktuar të zhvillohet në Gjykatën Themelore në Prizren.

Gjykata Themelore në Prizren, në shkurt të vitit të kaluar, njëjtë si ajo në Ferizaj, ka gjetur fajtor të pandehurin, duke e dënuar me 14 vite burgim.

Mirëpo, Apeli ka prishur aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, me arsyetimin se përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, se ka kundërthënie në mes arsyetimit dhe shkresave të lëndës dhe nuk është vërtetuar plotësisht gjendja faktike.

Gjykata e Apelit, po ashtu ka gjetur se ka kundërthënie në mes ekspertëve sa i përket gjurmëve të barutit të gjetura në dorën e të pandehurit.

Në gjykimin e katërt, Gjykata Themelore në Prizren, sipas udhëzimeve të Apelit, ka bërë edhe një ekspertizë, të cilën e kanë përpiluar ekspertë nga Shqipëria, e cila ekspertizë po ashtu ka rezultuar se probabiliteti i vetëdëmtimit është mbi 50%.

Ndryshe, i akuzuari Qamil Hamiti, ka qenë në paraburgim që nga prilli i vitit 2012, deri në qershor të vitit 2017.

Prokuroria Themelore e Ferizajt, në verën e vitit 2012, kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Qamil Hetemi, për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje, ndërsa në seancën e shqyrtimit gjyqësor të 17 qershorit 2013, prokuroria kishte ndryshuar aktakuzën sa i përket pikës 1, ashtu që Hetemin e akuzonte për veprën penale të vrasjes.

Më Shumë

‘Her World, Her Rules’: Sporti kundër dhunës ndaj grave në Dragash

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) organizoi një aktivitet të veçantë në Dragash, në kuadër të kampanjës ndërkombëtare të FIBA-s, “Her World, Her Rules”...

Fahrije Hoti sot mban konferencë për media: Do t’i demantojmë shpifjet e Faton Pecit

Korporata Bujqësore “KRUSHA” bashkë me Fahrije Hotin, sot do të mbajnë konferencë për media me fillim nga ora 11:00. Në njoftimin e lëshuar të shtunën...

Lajmet e Fundit