6.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Prokuroria kërkon dënimin e ish-inspektorit të Prizrenit, ky i fundit propozon lirim nga akuza për korrupsion

Ish-inspektori në Komunën e Prizrenit, Avdullah Gashi ka kërkuar të lirohet nga akuza për korrupsion me arsyetimin se askënd s’e ka lejuar të ndërtojë pa leje dhe as Hashim Kryeziun.

Këtë deklarim, Gashi e ka bërë të premten, në  Gjykatën Themelore në Prizren, ku ka përfunduar rigjykimi dhe janë dhënë fjalët përfundimtare të palëve.

Gashi po akuzohet se i ka mundësuar investitorit Hashim Kryeziu ndërtimin e objektit në rrjedhën e lumit “Lumbardh” pasuri shoqërore, duke uzurpuar një sipërfaqe prej 84 metra katrorë dhe se ka lejuar që objekti të ndërtohet pa u respektuar largësia e përcaktuar me ligj nga brigjet e lumit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ndërtimin pa leje nuk ia kam lejuar unë asnjë qytetari e as Hashim Kryeziu. E përkrahë fjalën përfundimtare të mbrojtësit dhe propozoj që të lirohem nga aktakuza”, ka thënë Gashi.

Shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 29 dhjetor 2022.

Sidoqoftë, Gashi ka thënë se nuk është sqaruar në aktakuzë se çfarë ndërlidhje ka veprimi i tij si ish-zyrtar- inspektor i ujërave, me hartimin e procesverbalit në vendshiqim me kolegët tij me ndërtimin e paligjshëm, e për të cilin ishte lëshuar urdhër për rrënim procesverbali i cili është përfshirë në aktakuzë.

Prokurorja Ervehe Gashi ka thënë se fjalën përfundimtare e ka dorëzuar me shkrim pranë kësaj gjykate e që të njëjtën e mbështet në tërësi.

Ndërsa, përfaqësuesi i të dëmtuarës, Komuna e Prizrenit, avokat Blerim Mazreku ka thënë se qëndron në tërësi pranë fjalës së dhënë në gjykimin e kaluar të shkallës së parë dhe se parashtron kërkesë pasurore juridike.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokat Sylë Hoxha në elaborimin e fjalës përfundimtare ka thënë se Prokuroria nuk ka mundur të vërtetojë atë për të cilën e ngarkohet i mbrojturi i tij.

Ai ka shtuar se për ekzistimin e parcelës shoqërore për të cilën e ngarkon prokurori, i mbrojturi i tij nuk ka mundur ta dijë se e njëjta ekziston dhe se për këtë nuk ka përfituar asgjë.

 Ndryshe, Gjykata Themelore e Prishtinës, 24 dhjetor 2021, të akuzuarin Gashi e kishte dënuar me  gjashtë muaj burgim, por Gjykata Supreme e Kosovës, më 12 shtator 2022, ka kthyer çështjen në rigjykim me aprovimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, të paraqitur nga mbrojtësi i të akuzuarit Gashi, avokat Rexhep Hasani, me pretendimet se aktgjykimi i shkallës së parë është përfshirë në shkelje të dispozitave të procedurës penale, duke tejkaluar aktakuzën me të cilën i kishte shtuar edhe një vepër tjetër penale dhe se për këtë prokuroria nuk e kishte bërë precizimin e aktakuzës e as zgjerimin e saj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore Prizren, të ngritur më 22 gusht 2019, Avdullah Gashi akuzohet se më 3 tetor 2017, në cilësinë e personit zyrtar, si inspektor i Drejtorisë së Inspektorateve në Komunën e Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare apo autoritetin zyrtar, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, me qëllim të përfitimit të dobisë për tjetrin.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari me dashje shkel ligjin lidhur me detyrat e tij, në atë mënyrë që në kundërshtim me nenin 48 të Ligjit për Ujërat e Kosovës dhe nenin 12 pika 1.3 të udhëzimit administrativ, nr. 04/2016, për kriteret dhe procedurat për mbrojtjen e brigjeve të rrjedhave dhe akumulacioneve, dhe pa fakte konstaton në procesverbal se investitori Hashim Kryeziu ka respektuar pikat kadastrale.

Sipas aktakuzës, thuhet se në bazë të këtij konstatimi në procesverbal, investitorit Hashim Kryeziu, i është mundësuar ndërtimi i objektit B+P+2, në parcelën shoqërore “Ujërat” në rrjedhën e lumit “Lumbardh”, duke uzurpuar një sipërfaqe rreth 84 m2, të pasurisë shoqërore.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Kalon në Komisionin për Arsim Projektligji për Provimin e Maturës, Nagavci: Evidentohet mundësia për të kopjuar

Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se nxënësit të së njëjtës klasë do të shpërndahen në Provimin e Maturës,...

Kryesuesja e Kuvendit të Prizrenit thërret  seancë të jashtëzakonshme

Kryesuesja e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, Antigona Bytyqi, ka ftuar të gjithë anëtarët e Kuvendit   në një seancë  të  jashtëzakonshme. Seanca mbahet të martën,...

Lajmet e Fundit