Avokati Tomë Gashi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka bërë të ditur se problemi kryesor i Prokurorisë është se ajo në shumë raste mundohet që ta mbrojë punën jo edhe aq të mirë të policisë, të cilët dorëzojnë kallëzime penale
Nevoja për njohuri të reja dhe avancime në secilin profesion është thuajse e përhershme dhe e pakufizuar. Ngjashëm kjo vlen edhe për prokurorët, të cilët duhet që në vazhdimësi të ndjekin trajnime të ndryshme për të qenë sa më të përgatitur dhe për të treguar shkathtësitë e tyre në mënyrë sa më profesionale dhe krahas kësaj duhet ta ushtrojnë funksionin e tyre në mënyrë të pavarur dhe sa më efikase. Në këtë drejtim shtrohet edhe pyetja se sa janë të përgatitur profesionalisht prokurorët kosovarë për të përpiluar aktakuza të qëndrueshme dhe të besueshme dhe pse çalon shumë puna e tyre profesionale, derisa njohësit e kësaj fushe thonë se ka edhe prokurorë të tillë, të cilët i montojnë aktakuzat për arsye të ndryshme. Avokati Tomë Gashi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka bërë të ditur se problemi kryesor i Prokurorisë është se ajo në shumë raste mundohet që ta mbrojë punën jo edhe aq të mirë të policisë, të cilët dorëzojnë kallëzime penale.
Gashi më tej në këtë drejtim ka treguar se si do duhej që përafërsisht të funksiononte sistemi juridik. “Atë që policia e bën gabimisht prokuroria nuk duhet që ta aprovojë dhe nuk duhet fare as të zhvillojë hetime e as të ngre akuza, por duhet t’ia kthejë policisë në plotësim, sepse kjo është e paraparë me dispozita ligjore, ndërsa atë që prokurorët e bëjnë gabimisht duhet që gjykata mos t’i mbulojë, por duhet që t’i refuzojë akuzat respektivisht të akuzuarit t’i lirojë në mungesë të provave dhe ky është një shkollim që duhet permanent të ndodhë ngase nëse veprohet në mënyrë të tillë që Prokuroria të mos e mbulojë punën jo aq të mirë në raste të caktuara të policisë dhe që Gjykata nuk i mbulon gabimet e Prokurorisë, atëherë do të kemi shumë më pak lëndë nëpër gjykatat tona dhe nëpër prokuroi dhe si rrjedhojë e kësaj numri më i vogël i lëndëve do të mundësojë edhe kualitet më të mirë”, theksoi ai.
Disa janë të emëruar nga partitë
Gashi ka nënvizuar se ka prokurorë brilantë, të cilët e njohin punën e tyre dhe mundohen aq sa është e mundshme në kuadër të dijës dhe kompetencave të tyre të punojnë sa më mirë, por siç ka thënë ai ekziston edhe një numër tjetër i prokurorëve, të cilët janë prokurorë të emëruar nga partitë politike. “Ata prokurorë të cilët punojnë për parti politike dhe për grupe të interesit është fare lehtë që të identifikohen dhe se ata nuk e kanë vendin në sistemin juridik të Kosovës, por në anën e kundërt të tij. Mendoj se ardhmëria e sistemit juridik varet nga ndryshimet politike dhe nga emërimi i prokurorëve dhe zgjedhja e gjyqtarëve të rinj të cilët nuk kanë begrand apo të kaluar të keqe, pastaj nuk janë të shantazhuar, por janë krejtësisht të pastër sa u përket shoqërisë kosovare dhe shtetit të Kosovës”, ka thënë ai. “Meqenëse fillimi i Gjykatës Speciale detyrimisht do të determinojë edhe ndryshime politike, ndoshta atëherë do të jetë edhe rasti që të kemi parti të tjera politike në pushtet apo persona të tjerë, të cilët ia duan të mirën vendit të vet dhe jo vetëm vetvetes dhe grupeve të interesit. Por, besoj se me ndryshimet politike pozitive do të kemi edhe ndryshime pozitive në aspektin juridik”, u shpreh Gashi.
Ndërsa sa i përket asaj nëse ka prokurorë të cilët i montojnë aktakuzat për arsye të ndryshme negative, Gashi ka thënë se sigurisht se ka prokurorë të tillë, por siç ka thënë ai, shefat e tyre, kryeprokurorë dhe grupet e punës së prokurorëve të njëjtë, fare lehtë mund t’i identifikojnë të njëjtit dhe, sipas tij, ata nuk e kanë vendin në prokuroi, por nëse ka edhe gjyqtarë të tillë atëherë as ata nuk e kanë vendin në sistemin juridik të Kosovës.