16.2 C
Prizren
E martë, 6 Maj, 2025

Pse ndodhi Brukseli?

Për çdo një milion banorë belgë, më shumë se 40 prej tyre kanë shkuar në Lindjen e Mesme për të marrë armët në duar ose një total prej rreth 500 meshkujve dhe femrave

Dhe pasi që forcat speciale të policisë arrestuan Salah Abdeslam-in, njërin nga terroristët kryesorë të sulmeve në Paris në nëntor të vitit të kaluar, të mbijetuarin e vetëm, Belgjika mbeti në nivelin e dytë më të lartë të alarmit kundër sulmeve terroriste.

Është e njohur prej kohësh se mijëra qytetarë evropianë në vitet e fundit i janë bashkuar luftës në Siri dhe Irak në anën e xhihadistëve, fillimisht në “Al Nusra”, degën siriane të “Al Qaeda”-s, dhe pastaj në mënyrë masive në radhët e grupit terrorist të ashtuquajtur “Shteti Islamik”.

Radikalizmi në “Molenbeek”

Dhe ndërsa në Francë janë regjistruar 1200 persona, të cilët kishin shkuar në xhihad të armatosur, Belgjika është një vend ku xhihadizmi është më i pranishëm. Për çdo një milion banorë, më shumë se 40 prej tyre janë belgë që kanë shkuar në Lindjen e Mesme për t’u bërë pjesë e luftës ose një total prej rreth 500 meshkujve dhe femrave.

Dhe deri më tani janë kthyer në shtëpi rreth njëqind prej tyre. Brukseli kështu është bërë një strehë për xhihadin evropian, sidomos lagjja e klasës punëtore në “Molenbeek”, transmeton “Zëri”.

Autoritetet belge deri më tani kanë bërë atë që ishin në gjendje, megjithatë, numri i largimeve ka rënë dukshëm, por ende vazhdon.

Në lidhje me atë se çfarë bën bashkësia islame për këtë çështje, në një reportazh të fundit, CNN-ja e pyeti imamin Suleiman van Aela, i cili disa vite më parë u konvertua në islam.

Ai është një prej atyre që haptazi paralajmëroi për rrezikun e pranisë së ISIS-it dhe radikalizmit fetar, kurse nga ana tjetër duhet të bëjë një jetë me truproje.

“Unë nuk kam frikë. Jam i kujdesshëm, nuk fshihem. Ajo që është shkruar të ndodhë, do të më ndodhë. Ne jetojmë në kohë në të cilën secili që flet dhe që e mbron të vërtetën do të përballet me njerëz, të cilët do të përpiqen për të parandaluar këtë”, tha ai.

Frikë për të folur kundër rrjetit terrorist nuk ka edhe Zheraldina Hönningen, djali i së cilës është rekrutuar dhe është dërguar në luftën e Sirisë nga “Shteti Islamik”, ku edhe është vrarë.

“Çfarë tjetër mund të më bëjnë ata më keq sesa që më kanë bërë tani”, thotë me vendosmëri kjo grua belge.

Në artikull, megjithatë, vihen re dy gjëra: e para se në lagjen “Molenbeek” nuk ishte shumë e lehtë për t’i gjetur bashkëbiseduesit, sepse shumica e njerëzve ende kanë frikë që në mënyrë të hapur të flasin para medieve.

E dyta, ata që folën kryesisht thanë se besojnë se autoritetet belge kishin bërë një gabim kur fillimisht e kanë kthyer kokën në anën tjetër, sikur donin në njëfarë mënyre të heqin qafe këta të rinj.

Hönningen e kishte lajmëruar djalin e saj disa herë në polici me qëllim të parandalojë atë nga shkuarja në vatrat e luftës, por policia nuk ka bërë asgjë. Ata thanë se ishin të pafuqishëm, pasi ai kishte mbushur 18 vjet. Në ndërkohë, autoritetet belge filluan të merren me këtë problem, dy vjet më parë ritmi i largimeve nga Belgjika ishte 15 persona në muaj dhe tani ka rënë në më pak se pesë.

Çmimi tani është mjaft i hidhur

Tashmë është treguar se duhet ndërmarrë më shumë masa kundër terrorit. Terroristët mund të vrasin verbërisht, të paralizojnë një vend të tërë dhe të nxisin kaos.

Shteti duhet të kundërgodasë me të gjithë forcën. Nëse hetuesit dhe policia kanë nevojë për më shumë mjete, atëherë atyre duhet t’u jepen ato.

“Me qetësi, me arsye dhe në mënyrë solidare”, kështu duhet reaguar tha kryeministri belg, Charles Michel, përcjell “Zëri”.

Kjo është e vërtetë, por më në fund duhet reaguar. Shërbimet sekrete në Evropë duhet të bashkëpunojnë më mirë mes tyre. Për këtë po bëhen përpjekje prej vitesh. Efekti i dëshiruar ende nuk është i prekshëm.

Sensibilizimi duhet intensifikuar e po ashtu edhe parandalimi. Nuk mund të lejohet më gjatë që ne duhet të bëjmë sehir, se si islamistë të radikalizuar nga Siria apo Iraku kthehen në Evropë dhe këtu mund të vëzhgohen vetëm, për aq kohë sa ata nuk kryejnë një akt penal të dukshëm.

Natyrisht për këtë është e nevojshme një mbrojtje më e mirë e kufijve të jashtëm të BE-së. Kontrolle të vazhdueshme gjatë hyrje-daljeve të shtetasve të BE-së deri më tani nuk ka.

Këto duhet të aplikohen shumë më shpejt, nga sa është planifikuar. Në Belgjikë rrjetet terroriste me sa duket për vite me radhë kanë mundur të punojnë të papenguar.

Megjithatë, për sa kohë që familjet e atyre që kanë shkuar për të vrarë dhe për të vdekur në Siri bënë çmos për të detyruar policinë për të ndaluar largimin e anëtarëve të familjeve të tyre, ato tani vuajnë trajtim si të ishin vetë terroristë potencialë.

Ato familje po hetohen, po thirren në polici dhe të ngjashme. Në të njëjtën kohë shumë njerëz në komunitetin islamik thonë se faktori vendimtar në vendimin e të rinjve për të hyrë në radhët e ISIS-it ishte se ishin të përjashtuar nga shoqëria.

Të rinj që janë shtetas belgë, që tashmë i përkasin brezit të tretë apo të katërt, ende në suaza të përditshme janë të ekspozuar ndaj ngacmimeve të racizmit të hapur ose të fshehtë.

Ata nuk arrijnë të përshtaten në shoqëri, nuk arsimohen, vendosin së pari të kyçen në krime të vogla dhe më pas në burgje ose në vende të tjera janë duke u bërë pre e lehtë që të rekrutohen nga njerëzit e ISIS-it

Më Shumë

Gara për titullin e kampionit nis më 4 maj në Prizren

Seria finale e “Play-off”-it të ProCredit Superligës fillon në Prizren me super finalistët Bashkimi dhe Trepça. Epërsia e terrenit i takon prizrenasve që përfunduan garat...

Sinan Thaçi – Simboli i luftës për liri

Menjëherë pas kazermimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, më 26 prill të vitit 1998, në Drenaj të Anadrinit, ilegalja e hershme e fshatrave përreth...

Lajmet e Fundit