20.8 C
Prizren
E hënë, 13 Maj, 2024

Pse po injorohet Bekim Fehmiu

Fahri Musli

Pse aktori më i madh shqiptar (i filmit) i shekullit të kaluar e deri më sot me përmasa ndërkombëtare, që arriti majat e kinematografisë botërore në Holivud, Bekim Fehmiu, vazhdon të injorohet nga institucionet shtetërore (të nivelit lokal e qendror) të Kosovës edhe në 80-vjetorin e lindjes së tij.

Më 1 qershor të këtij viti Bekim Fehmiu, aktori me nam ndërkombëtar i filmit, i mbush 80 vjet të lindjes, kurse më 15 qershor 6 vjet të shkuarjes në amshim. Bekimi e ka shënuar gjysmën e dytë në shekullin e kaluar si njëri ndër aktorët më të mëdhenj shqiptarë, jo vetëm në hapësirën e ish- Jugosllavisë, Ballkanit dhe të Evropës Lindore, por 20 vjet rresht ishte edhe aktori më i njohur dhe më i kërkuar nga regjisorët dhe producentët më të njohur të kinematografisë evropiane dhe asaj amerikane, dhe aktori i parë i cili në vitin 1968 e shpërtheu perden e hekurt të sistemit komunist të Evropës Lindore dhe xhiroi për produksionet e shteteve të Perëndimit, duke arritur deri në Holivud.

Me këtë ai e përmbushi dëshirën e vet si i ri dhe besën që ia kishte dhënë vetes qysh në vitin e parë të studimeve në Beograd se do të arrinte majat e kinematografisë botërore.

Pse s’u mbështet manifestimi “BEKIM FEHMIU-Odiseu i Kosovës”?

Por me gjithë këtë famë dhe sukses të madh që në kinematografinë botërore ta shënojë edhe emrin e shqiptarit me shkronja të arta, me emrin dhe rolet e të cilit identifikoheshin e mburreshin gjeneratat e asaj kohe, Bekimi kurrë nuk u trajtua si i tillë, por u injorua në vendin e vet, në Kosovë, por edhe në Shqipëri nga pushtetet e kohëve të ndryshme deri më sot, por edhe nga institucionet e kulturës të nivelit lokal e atij qendror, për së gjalli dhe pas vdekjes.

Shtrohet pyetja; përse kjo ndodh kështu me një figurë të tillë më të madhen nga figurat e mëdha kombëtare të fushave të ndryshme, me përmasa ndërkombëtare, si asnjë tjetër? Përgjigjet dhe shkaqet sigurisht se janë të ndryshme, por nëse përdoren faktet dhe forca e argumenteve ato nuk qëndrojnë. Duke u nisur nga obligimi im profesional, moral, njerëzor, intelektual e miqësor, qysh në shtator të vitit 2010 (tre muaj pas vdekjes) e nisa punën në përgatitjen e monografisë kushtuar këtij kolosi shqiptar të aktrimit me titull “BEKIM FEHMIU-Odiseu i Kosovës”, dhe vitin e kaluar librin ia dorëzova publikut për lexim, me të cilin edhe e përjetësova këtë yll të filmit ndërkombëtar. Ishte kjo një ndërmarrje akademike që do të duhej ta bënin ekipet e institucioneve, e jo një individ, por me angazhim dhe vullnet ia dola pa ndihmën e askujt (pos gocave të mia, Halil Matoshit, Sadik Kryeziut dhe Tahir Hoxhës).

Megjithatë, e prisja të paktën mbështetjen financiare nga institucionet përkatëse të shtetit e të kulturës (e kisha nga ish-ministri Memli Krasniqi), por edhe kjo ishte e zbehtë: thjesht hasa në murin e injorancës, për çka m’u desh që koston e botimit ta mbuloja me një kredi prej 3.000 eurosh. Edhe përkundër përvojës së tillë të hidhur, megjithatë vendosa të marr iniciativën për shënimin e 80-vjetorit të lindjes së Bekim Fehmiut, më 1 qershor të këtij viti, me një manifestim përkatës, ndonëse edhe këtë do të duhej ta bënin institucionet shtetërore, duke marrë parasysh faktin se Prishtina zyrtare këtë vit e shpalli “Vit të jubileut të 80-të të lindjes së Adem Demaçit”, kurse Tirana “Vit të Ismail Kadaresë”.

Në dhjetor të vitit të kaluar, në emër të fondacionit kulturor “Bekim Fehmiu” dhe në marrëveshje për bashkëpunim me Teatrin profesional të Prizrenit hartova Propozim-projektin dhe programin e detajuar të kremtimit të këtij jubileu, me moton BEKIMI ËSHTË GJALLË, duke propozuar që ky manifestim të mbahej nën përkujdesjen e Qeverive së Kosovës e asaj të Shqipërisë, dhe të mbahej në Prizren prej 31 maj deri më 3 qershor të vitit 2016.

Manifestimi do të kishte karakter gjithëkombëtar e ndërkombëtar dhe do të ishte ngjarja më e rëndësishme kulturore, diplomatike e politike e vitit në Kosovë, meqë në të do të merrnin pjesë personalitete të njohura të kulturës, artit, teatrit, filmit, letërsisë dhe ministrat e kulturës e drejtues të teatrove kombëtare nga shtetet e Ballkanit, diplomatë të huaj të akredituar në Kosovë, si dhe aktorë, regjisorë, producentë nga Evropa e bota, të cilët kanë bashkëpunuar me Bekimin, dhe personalitete të tjera të shquara të jetës publike e të shoqërisë civile.

Si mysafirë të veçantë ishte planifikuar të ftoheshin aktorë, regjisorë e producentë nga Evropa dhe SHBA-ja me të cilët ka bashkëpunuar Bekimi si: Irena Papas, Klaudia Kardinale, Ornela Muti, Li Tejlor Yung, Kendis Bergen, etj. Si dhe aktorët shqiptarë: Jim Bellushi, Eliza Dushku, Arta Dobroshi, Blerim Destani, Alban Uka, përfaqësuesit e Televizionit RAI UNO të Italisë dhe ata të shtëpisë më të madhe të produksionit të filmit në botë “Paramount” të SHBA-së. Numri i përgjithshëm i mysafirëve do të jetë rreth 250 veta. Manifestimi do të ishte edhe në funksion të forcimit të bashkëpunimit rajonal dhe të integrimeve euroatlantike të Kosovës, dhe do ta shndërronte Prizrenin në një qendër të kulturës, diplomacisë dhe politikës.

E propozuam edhe agjendën e programit të manifestimit: Më 1 qershor do të vendoseshin lule tek vendi ku është hedhur hiri i trupit të Bekimit, do të mbahej një akademi solemne, do të hapej ekspozita me posterët nga filmat dhe fotografitë e Bekimit, në shesh, në mbrëmje do të shfaqej një pjesë teatrale për mysafirët, kurse në dy kinematë e qytetit do të shfaqeshin tri net radhazi nga dy filma më të njohur të Bekimit, prej të cilëve njëri do të ishte “La Voce” (Zëri) kushtuar jetës së familjes së Nënës Terezë, i cili do të shfaqej për here të parë para publikut të Kosovës. Ditën e dytë, më 2 qershor, tërë ditën në dy panele do të debatohej për figurën dhe veprimtarinë e Bekimit, ku do të flisnin personalitete të njohura të teatrit e filmit, kurse në mbrëmje do të jepej një koncert me vepra të kompozitorëve shqiptarë.

Ditën e tretë mysafirët do t’i vizitonin monumentet e njohura historike të qytetit, kurse në mbrëmje, në Sheshin Shatërvan, për publikun do të organizohej një koncert me muzikë argëtuese me këngëtarë e grupe të ndryshme. Propozimprogramin me agjendën dhe letrën shoqëruese ua nisa shefit të kabinetit të kryeministrit Mustafa, z. Havolli, dhe këshilltarit të tij politik, z. Myrtezi, zv.ministrit të Jashtëm, z. Selimi, kabinetit të ministrit të Kulturës, z. Shala, sekretarit të kësaj ministrie, z Firzi, dhe këshilltarit, z. Myftari, si dhe kabinetit të ministrit për Integrime Evropiane, z. Çollaku. Mirëpo që nga janari nuk mora kurrfarë përgjigjeje prej askujt. Edhe ndaj kërkesave të mia që të takohem me kryeministrin dhe ministrin e Kulturës për t’ua elaboruar propozim-programin dhe për të marrë mbështetjen e tyre politike, por edhe financiare, bashkëpunëtorët e tyre u sollën me heshtje, respektivisht injorancë.

Bekimi iu kthye Prizrenit, por pushtetarët s’e pritën siç e meritonte

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, (i cili është i dënuar nga Gjykata e Prizrenit për keqpërdorim të detyrës) edhe para katër vjetësh e refuzoi propozimin tim që Shtëpia e Shaip Pashës, ku familja Fehmiu ka jetuar dhjetë vjet, të shndërrohej në muze të Bekim Fehmiut, meqë familja e tij më premtuan se do t’i jepnin të gjitha gjësendet personale të Bekimit, përfshirë edhe të gjithë filmat e tij, si dhe idenë për ngritjen e përmendores për Bekimin përballë kompleksit të Lidhjes së Prizrenit. Komuna e Prizrenit ende nuk e ka gjetur të arsyeshme që një rrugë ta emërtojë me emrin e Bekimit, e nuk është miratuar as kërkesa e Teatrit profesional të qytetit që ai të marrë emrin Bekim Fehmiu, e të mos flasim për idenë që atë ta nderojnë me mirënjohjen duke e shpallur Qytetar Nderi.

Sepse Prizreni ia ka borxh këtë Bekimit edhe për faktin se ai në vëllimin e parë të librit autobiografik “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” ka shkruar një ODË për Prizrenit çfarë nuk e ka bërë askush deri më sot. Por edhe për faktin se ai në Prizren e ka nisur karrierën e aktrimit. Nga këtu u nis drejt majave të kinematografisë botërore dhe sërish iu kthye tokës, ujit dhe qiellit të Prizrenit me hirin e trupit të tij. Bekimi iu kthye Prizrenit, qytetin të cilin e donte aq shumë, por pushtetarët vendorë nuk e pritën ashtu siç e meritonte dhe nuk ditën ta shfrytëzonin këtë trashëgimi me përmasa ndërkombëtare.

Nuk di nëse ndonjë qytet i Kosovës apo i Shqipërisë ia ka dhënë emrin e Bekimit ndonjë rruge apo institucioni kulturor, apo të është ngritur ndonjë përmendore… Ashtu siç nuk u kujtuan as shumë qytete të tjera të Kosovës apo të Shqipërisë, të cilat për çdo ditë shpallin njerëz me e pa merita “Qytetar nderi” e madje u ngritin edhe përmendore. Përjashtim bën qyteti i Shkodrës (ku familja Fehmiu ka jetuar prej vitit 1939-41), i cili para tre vjetësh e shpalli Bekimin “Qytetar nderi” dhe mirënjohjen ia solli familjes në Beograd. E për habi, Beogradi e ka emërtuar një rrugë me emrin e tij, iniciativa është marrë edhe në Sarajevë, ndërsa në Novi-Vinodolski të Dalmacisë, vendlindja e bashkëshortes së tij, Branka Petriq, ku Bekimi i ka kaluar pushimet verore, është marrë vendimi për t’i ngritur përmendore. Pra, Bekimi si aktor i parë shqiptar me akademi, i cili një vit luajti në Teatrin Popullor të Kosovës në Prishtinë, (1955/56) dhe në moshën 32- vjeçare u bë yll i kinematografisë botërore, kurrë nuk është respektuar e vlerësuar nga pushtetet e Kosovës.

Vetëm më 1972 e ka marrë një mirënjohje nga Kryesia e Rinisë së atëhershme të Kosovës dhe është pritur nga kryetari i Lidhjes Komuniste, Mahmut Bakalli. Ka pasur një pritje edhe nga Ibrahim Rugova, në qershor të vitit 1995. Bekimi na bëri të ndihemi krenarë edhe atje ku s’na njihnin ose ku s’na donin Vdekja e tij u shënua me tubime mortore në Prishtinë, Prizren, Tetovë… e u shënua edhe viti i parë i vdekjes dhe pastaj u harrua në tërësi. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndan çmimin “Bekim Fehmiu” për vepër jetësore aktorëve, regjisorëve… të filmit e teatrit, dhe ndodhi që vitin e kaluar ky çmim të ndahej jo në qershor në përvjetorin lindjes (1.06) a vdekjes (15.06), por në shtator. Kinematë e Kosovës nuk kanë shfaqur filmat e Bekimit me dekada (vitin e kaluar u mbajt në Prishtinë e Prizren ‘Java e filmave të Bekimit’, por në Prizren dështoi tërësisht).

Televizioni publik me dekada nuk ka shfaqur ndonjë film të Bekimit e madje as në ditën e vdekjes, kur për personalitetet e tilla organizohen emisione speciale dhe me ditë të tëra shfaqen filmat më të mirë të tyre. Vetëm KTV-ja e shfaqi ditën e dytë të vdekjes së Bekimit filmin e përkthyer në shqip “Mbledhësit e puplave”. Seriali më i njohur televiziv italian i të gjitha kohëve, “Odiseu”, ku Bekimi e luan rolin kryesor,e kur edhe u bë yll i filmit botëror, nuk është shfaqur në televizion që nga viti 1970. Televizioni publik RTK e ka obligim ligjor që t’i kultivojë vlerat dhe trashëgiminë kulturore, që do të thotë edhe të shfaqë serialin “Odiseu” dhe filmat më të njohur të Bekimit, e pastaj ata të shfaqen edhe nëpër kinematë e qyteteve të Kosovës,

Shqipërisë e Maqedonisë. Këtë për hir të gjeneratave të vjetra, të cilat janë mburrur me emrin e Bekimit si shqiptar dhe janë ndier pjesë e botës së civilizuar, dhe të gjeneratave të reja të cilat as që e dinë se kush ka qenë Bekim Fehmiu. Sepse siç thotë poeti i madh, i ndjeri Ali Podrimja: Në vitet ’60, kur nuk dihej asgjë për Kosovën (ndoshta pak gjë për Shqipërinë, më tepër si toponim gjeografik – ylli i Kadaresë nuk ishte shfaqur ende), në qiellin e filmit botëror kishte filluar të piptinte një yll që ngrihej nga Ballkani i errët. Ai quhej Bekim Fehmiu, i cili nuk u shua as pas filmit “Mbledhësit e puplave” (1966) e profecive nga më të ndryshmet, që kishin bërë rreth karrierës së tij. Para tij hapeshin portat e producentëve botërorë.

Prizreni ta dha djalërinë, ti po ia jep emrin: Bekim

Pra, Bekimi është më i madhi nga të mëdhenjtë e kombit në suazat ndërkombëtare, dhe i njohur për qindra miliona njerëz në të gjitha kontinentet, duam apo jo ne ta pranojmë këtë. Sepse emri dhe vepra e tij janë aq të mëdha, saqë kurrë nuk do të zbehen, madje me kalimin e kohës do të bëhen edhe më të mëdha e më të çmuara.

Prandaj edhe ky shkrim mund t’u shërbejë pushtetarëve aktualë në Prishtinë e Tiranë, qendrave kinematografike, teatrove kombëtare, akademive të teatrit e filmit, mediumeve, OJQ-ve, organizatave e klubeve kulturore në vend dhe jashtë, intelektualëve, afaristëve të ndryshëm, shoqatave e shqiptarëve në përgjithësi që të mendojnë dhe deklarohen nëse ky vit duhet shpallur edhe Viti i Bekim Fehmiut, dhe ai të shënohet me dinjitet, pavarësisht nga data e lindjes (shtator apo tetor), ndonëse vetë Bekimi kurrë nuk e ka kremtuar ditëlindjen e vet dhe i ka urryer ceremonitë dhe ritualet e tilla. Por ky është një borxhi i të gjithë shqiptarëve ndaj Bekimit aktor, njeri euridit e poliedrik me kode tejet të ashpra njerëzore e profesionale, intelektual, atdhetar/Koha Ditore/

Më Shumë

Lajmet e Fundit