21.8 C
Prizren
E premte, 29 Mars, 2024

Pushimi i mirëseardhur për të gjitha skuadrat

Skuadrat e Superligës së Kosovës në futboll nuk do të zhvillojnë ndeshje kampionale deri në fillim të muajit prill. Shkaku i ndeshjeve të përfaqësueseve për kualifikimet e Kampionatit Botëror “Katari 2022”, ekipet elitare do të kenë pushim për dy javë.

Ballkani, që është lider me 55 pikë, aq sa ka edhe Drita, por edhe Prishtina dhe Llapi, janë skuadrat më në formë në Superligë në pesë xhirot e fundit.

Ballkani ka tri fitore, një barazim dhe një disfatë, aq sa ka edhe Llapi, kurse Drita ka arritur tri fitore dhe dy barazime. Katër fitore dhe një humbje i ka Prishtina, e cila ka një ndeshje më pak të luajtur së bashku me Gjilanin. Ndërkohë, formë negative, përveç Besës që është e fundit me vetëm dhjetë pikë dhe pa gjasa për mbijetesë, po kalojnë edhe Drenica që zë vendin e nëntë me 27 pikë, Arbëria që është e teta po ashtu me 27 pikë, Trepça ’89, e cila renditet në pozitën e gjashtë me 32 pikë dhe Feronikeli që është i shtati me 31 pikë.

Drenica, që ka mbetur pa trajnerin e dorëhequr, Bledar Devolli, në pesë duelet e fundit ka katër barazime dhe një humbje. Arbëria e trajnerit Arbnor Morina ka tri disfata dhe dy barazime. Tri humbje, një barazim dhe një fitore, janë rezultatet e Trepçës ‘89 në pesë ndeshjet e fundit, kurse Feronikeli ka pësuar dy humbje, ka një barazim dhe dy fitore.

Trajneri i futbollit, Sami Sermaxhaj, mendon se për të gjitha ekipet do të jetë pozitiv pushimi dyjavor.

Ai theksoi se lojtarët kanë pasur nevojë të pushojnë në aspektin fizik dhe psikik.

“Mendoj që ky periodizim është planifikuar prej trajnerëve dhe ekipeve. Garat në krejt Evropën programohen duke marrë për bazë edhe oraret që cakton FIFA dhe UEFA për ndeshjet e përfaqësueseve. Programohen edhe ngarkesat e lojës dhe të stërvitjes. Jam i sigurt që të gjitha ekipeve do t’u shërbejë shumë, qoftë në aspektin fizik për shkak të orarit të ngjeshur, qoftë në aspektin psikik. Afërsisht 6-7 ndeshje brenda muajit i kanë luajtur ekipet dhe ka qenë ngarkesë e madhe. Edhe në aspektin fizik dhe psikik është dobiprurës ky pushim”, tha Sermaxhaj për KOHËN.

Sipas tij, edhe ekipet që po luftojnë për titull dhe po kalojnë formë të mirë, por edhe ato që janë në garë për mbijetesë, do të kenë mundësi që të përmirësohen në ato pika ku kanë pasur ngecje.

“Do të jetë pozitive edhe për ekipet që janë në formën më të mirë, për të vazhduar atë formë edhe pas pushimit. Por edhe ekipet që janë në formë jo të mirë do ta shfrytëzojnë këtë kohë për të riparuar aty ku ka nevojë. Të gjitha ekipet e kanë mirëpritur këtë pushim dyjavor”, u shpreh trajneri Sermaxhaj.

Ai shtoi se pushimi ka qëlluar në kohën më të mirë, për shkak edhe të motit të lig që po mbretëron.

“Ky pushim ka rastisur në momentin e duhur, duke marrë parasysh që moti i vështirë vështirëson edhe realizmin e stërvitjeve dhe ndeshjeve. Kemi parë shumë ndeshje që janë luajtur në mot të vështirë. I ngarkon edhe më shumë lojtarët sesa në kushte normale”, theksoi ish-trajneri i disa skuadrave të Superligës.

Sermaxhaj foli edhe për skuadrat që po luftojnë për titull të kampionit. Sipas tij, Prishtina e ka orarin e ngjeshur pasi është edhe në Kupë, por beson se ka ekip që të luftojë në të dyja frontet. Prishtinës i shtohet një ndeshje e mbetur me Gjilanin.

“Prishtina e ka orarin e vështirë. Luan me Gjilanin e Ballkanin, pastaj edhe me Dritën. Ka kaluar edhe në gjysmëfinale të Kupës. Por, mendoj që ka kualitet dhe lojtarë të mjaftueshëm që të luftojë në të dyja frontet. Do ta shohim edhe shortin, pasi nëse do të përballet me Llapin lojtarët do të harxhojnë më shumë energji. Kurse Ballkani dhe Drita janë vetëm në kampionat dhe fokusi i tyre do të jetë vetëm aty. Sigurisht janë jashtë Kupës, jo me dëshirën e tyre, pasi kanë ekipe për të luajtur në të dyja frontet, por që janë eliminuar. Kjo është përparësi për to në garë për titull”, deklaroi Sermaxhaj.

Pas 26 xhirove të luajtura, Ballkani zë vendin e parë me 55 pikë, aq sa ka edhe Drita, që është e dyta. Vendin e tretë me një ndeshje më pak e mban Prishtina që ka 50 pikë.

https://www.koha.net/sport/263548/pushimi-i-mireseardhur-per-te-gjitha-skuadrat/

Më Shumë

25 vjet nga masakra në Krushë të Madhe dhe në tri fshatrat e Rahovecit

25 vjet më parë, konkretisht nga 25 deri më 27 mars 1999, në Krushë të Madhe nga forcat serbe janë masakruar 243 persona, ndërsa...

U raportua për disa deponi ilegale të mbeturinave, Komuna e Suharekës bën rregullimin e tyre

Ditë më parë qytetarët e Komunës së Suharekës kishin dërguar në “Ndreqe.com” gjashtë ankesa për deponi ilegale të mbeturinave. Sipas një postimi në rrjetin social...

Lajmet e Fundit