10.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Pushteti përçan LDK-në

Isa mustafaaaPesë deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës i dhanë Isa Mustafës të martën shijen e hidhët të zgjedhjes në postin e kryeministrit të vendit, pavarësisht se ky moment shënonte kulminacionin e karrierës së tij politike.

Deputetët Vjosa Osmani, Arben Gashi, Armend Zemaj, Doruntina Maloku e Fatmir Rexhepi ishin deputetët e LDK-së që në seancën e së martës votuan kundër kabinetit qeveritar të Mustafës.
Sado që votat “kundër” nuk ndikuan në rezultatin përfundimtar të votimit meqë mori 73 vota për të udhëhequr me Qeverinë, ai nuk e anashkaloi faktin se i rrjedhën vota nga partia e tij.

Të pesë deputetët kundërshtuan lidhjen e koalicionit me PDK-në rivale.Për analistët vendorë, duket se LDK nuk do të dalë pa probleme nga një proces kontrovers.

Analisti Imer Mushkolaj thotë se LDK do të shkojë duke u dobësuar gjatë qeverisjes me PDK-në sepse në kabinetin qeveritar, sipas tij, Mustafa ka përfshirë bashkëpunëtorë të ngushtë, duke lënë anash kriterin e fuqisë.

Sipas tij, qysh në ditën e votimit për të parin e qeverisë, Mustafa ka krijuar armiq brenda vetë partisë së tij.

“LDK do të shkojë duke u zvogëluar, sepse ky ka qenë vullneti i Mustafës i cili, për interesa personale në radhë të parë i ka dhënë një goditje të madhe partisë, duke u bërë bashkë me Thaçin”, tha Mushkolaj për KALLXO.com.
Mushkolaj parasheh që përçarja brenda LDK-së vetëm sa do të thellohet. Ai thotë se vota kundër e deputetëve të LDK-së është sinjal se gjërat mund të përkeqësohen në disfavor të Mustafës dhe do të jetë e vështirë për të që ta shpëtojë veten dhe partinë nga ndëshkimi.
Edhe analisti Muharrem Nitaj është i mendimit se koalicioni i Mustafës me Hashim Thaçin, pavarësisht se LDK-në e bën pjesë të pushtetit, do ta dëmtojë këtë parti.
“Vlerat e kësaj partie ndër të tjera janë ndërtuar mbi filozofinë anti-PDK dhe anti-Hashim (Thaçi), ndërsa tani ka humbur edhe kjo cilësi”, thotë Nitaj.
Sipas tij, kjo ka shkaktuar çarje serioze brenda LDK-së, dhe ka një grup jo të vogël që e kanë kundërshtuar për “vdekje”, këtë marrëveshje. Ai është i mendimit se kësaj të fundit “do t’i dalë tymi” më vonë.
Nitaj thotë se kundërshtimi i disa deputetëve të LDK-së që votuan kundër Mustafës, është kundërshtim i fuqishëm dhe jo vetëm një votë kundër.
“Kjo nuk mund të injorohet dhe sipas mendimit tim është tepër serioze”, thotë Nitaj.
Gjithë kjo, sipas Nitajt, mund ta sjellë LDK-në shumë shpejt përpallë thyerjes së dytë në historinë e saj si parti.
Përveç brenda grupit parlamentar, kritika në adresë të Mustafës janë shfaqur edhe jashtë tij.
Kësisoj, kryetari i nderit i partisë, i cili e ka drejtuar LDK-në nga viti 2006 deri në 2010, Fatmir Sejdiu, e ka konsideruar këtë lidhje politike si “koalicion të PDK-së dhe klientelës së Isa Mustafës” të cilët, sipas tij, LDK-në e shfrytëzuan si trampolinë për ta kapur pushtetin.
Ndërsa në krah të Isa Mustafës doli nënkryetarja e partisë, Teuta Sahatqija.
Ajo është ndarë e kënaqur me faktin se LDK më në fund e drejton qeverinë.
“Lot nuk kam derdhë as kur kanë qenë situatat të rënda e jo më kjo kur LDK e ka Kryeministrin dhe udhëheq me Qeverinë e Kosovës. Që është situatë për festë e jo lot”, shkroi Sahatçiu në Facebook.
Isa Mustafa është kryeministri i parë i Kosovës nga LDK pasi që në ndarjen e pushtetit kjo parti gjithmonë është pozicionuar te posti i Presidentit. /kallxo.com/

Më Shumë

69 aksidente trafiku në 24 orët e fundit në Kosovë

69 aksidente trafiku kanë ndodhur në 24 orët e fundit në vendin tonë. 27 nga këto aksidente janë me të lënduar, ndërkaq 42 me dëme...

Sindikata e Arsimit paralajmëron protestë më 1 maj

Sindikata e Arsimit ka paralajmëruar se nëse qeveria nuk shqyrton kërkesat dhe shqetësimet e paraqitura nga kjo sindikatë, do ndërmerren veprime sindikale. Drejtues të kësaj...

Lajmet e Fundit