9.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Qehaja: Kosova po rrezikohet nga trazirat sociale dhe ekstremizmi fetar

Florian QehajaKërcënimet prej grupeve ekstreme fetare është në rritje. Po shkojmë drejt nivelit të lartë të rrezikshmërisë nga këto grupe të cilat kanë depërtuar edhe në vatrat e luftës. Insitucionet e sigurisë duhet t’i vëzhgojnë, hetojnë, përgjojnë me vendim të Gjykatës për të pasur më të lehtë gjykimin e tyre. Sidoqoftë, Policia dhe Agjencia Kosovare e Intelegjencës kanë bashkëpunim të dobët në nivel operativ. Trazirat sociale dhe ekstremizmi fetar janë sfida në rritje. Të dyjat duhet të u jipet prioritet. Florian Qehaja, Drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, flet për Express.

Express: Ka pasur arrestime kohëve të fundit për terrorizëm. Si e keni parë reagimin e institucioneve të sigurisë ndaj këtij kërcënimi? Në fakt, së pari ka pasur raportime të mediave për kërcënime terroriste e pastaj ka pasur aksione policore. Çka tregon kjo për institucionet e sigurisë?

F. Qehaja: Nëse bëjmë një vlerësim dhe matje të kërcënimeve dhe rreziqeve në vend, lirisht mund të thuhet se kërcënimi nga ana e grupeve ekstreme fetare është në rritje. Madje, konsideroj që rrezikshëmria e sigurisë nga ana e grupeve radikale islame ka kaluar nga niveli i ulët (që ishtë deri para disa viteve) në nivel të mesëm. Gradualisht, rrezikshmëria nga këto grupe po kalon në nivel të lartë. Kjo tregon që instrumentet tjera shtetërore siç janë arsimi, kultura nuk kanë arritur që të ballafaqohen me zgjerimin e këtyre grupeve të cilat kanë për qëllim që të sfidojnë islamin tradicional që kultivohet me shekuj në Kosovë. Tashmë, kur është arritur ky nivel, në “eshallonin” e fundit gjenden institucionet e sigurisë të cilat duhet të eliminojnë çdo tendencë për përdorim të forcës. Konsideroj që institucionet e sigurisë duhet të jenë edhe më syçelë në identifikimin dhe eliminimin e të gjitha elementeve të cilat kanë për qëllim dhe potencial përdorimin e forcës për arritjen e qëllimeve të tyre. Policia e Kosovës duhet të aktivizojë gjitha kapacitetet për aplikimin e gjitha masave speciale hetuese siç janë vëzhgimi, përgjimi, përcjellja dhe atë bazuar në lejen paraprake të gjykatës. Sepse kësisoj do të ndjeheshim më komod në mbledhjen e provave në funksion të gjykimit të këtyre rasteve dhe si rrjedhojë eliminimin e fragjilitetit që ekziston në trekëndëshin polici-prokurori-gjyqësi. Poashtu, Policia duhet që t’i shtojë masat parandaluese sidomos në shtimin e kontrolleve në pikat kufitare të vendit (përfshirë dhe aeroportin e Prishtinës) si dhe në brendi të territorit të vendit. Gjithsesi se këto masa duhet të ndërmerren konform standardeve që sigurojnë të drejtat e njeriut dhe barazinë.

Cili duhet të jetë roli i Agjencisë Kosovare të Intelegjencës në gjithë këtë situatë?

F. Qehaja: Sipas ligjeve në fuqi, AKI ka një rol thelbësor në çështjet e tilla. Sidomos duke pasur parasysh faktin që këto grupe përbëjnë kërcënim direkt për sigurinë nacionale të vendit. AKI ka mandat që të identifikojë dhe krijoj mundësitë për parandalimin e planifikimeve të mundshme që kanë për qëllim sulmet ndaj caqeve shtetërore, ndërkombëtare apo civile. Megjithatë, duhet pasur kujdes që informacionet dhe të dhënat e grumbulluara nga AKI nuk mund të shërbejnë si prova në gjykatë. Mirëpo AKI mund të shërbejë si pararojë për identifikimin e këtyre grupeve dhe si rrjedhojë bartjen e informacioneve tek Policia e Kosovës. Por, duke pasur parasysh një bashkëpunim të dobët në mes të Policisë dhe AKI, personalisht dyshojë se ka një shkëmbim në nivel operativ gjë që sfidon shumë luftën kundër kësaj dukurie. Poashtu, siç tashmë dihet, performanca e AKI-së sfidohet nga mungesa e një profesionalizmi, pastaj klientelizmi e nepotizmi gjë që ka implikime edhe në rolin e saj në identifikimin e këtyre dukurive.

Express: Po ashtu ka pasur edhe një protestë në Mitrovicë ku pati edhe veprime të huliganëve shqiptarë. Sipas jush, ishte kjo protestë e dhunshme pas kërcimeve të Kryetarit të Mitrovicës Jugore apo kishte dicka tjetër?

F. Qehaja: Është paksa herët të flitet shkaktari i këtyre protestave. Institucionet e sigurisë duhet të bëjnë analiza të thukta. Megjithatë ajo që mund të vlerësohet në këtë moment është se këto protesta sikur u tentua të shfrytëzohen nga qarqe të caktuara të cilat jo domosdoshmërisht janë në favor të interesave të Kosovës. Gjendja e apatisë dhe pasiguria në veri të vendit i konvenon grupeve dhe individëve të caktuar që gjithsesi se kontribuojnë në krijimin e rrethanave të tilla. Ka indicje që në protestë kishte individë të cilët kishin ardhur nga zonat/rajonet tjera. Protesta e mundshme në të ardhmen duhet të menaxhohen edhe me më shumë vigjilencë. Çelësi i zgjidhjes së kësaj çështje, pra heqjes së barrikadës, është politik dhe më saktësisht mund të gjendet tek njeriu më i fuqishëm në Serbi, kryeministri i këtij shteti, Aleksandër Vucic.

Drejtori i Policisë Shpend Maxhuni para disa kohësh pati thënë se Kosova kërcënohet vetëm prej trazirave sociale. Në fakt, sipas jush, cili është kërcënimi real për Kosovën?

F. Qehaja: Sigurisht se trazirat sociale dhe ekstremizmi fetar janë sfida në rritje. Të dyjat duhet të u jipet prioritet. Trazirat sociale mund të shfrytëzohen nga qarqe të caktuara anti-Kosovë. Poashtu, grupet radiakale islame të ndërlidhura me elemente të caktuara në Lindje të Mesme përbëjnë rrezikshmëri të përhershme. Sidomos kur kësaj i shtohen personat/grupet që tashmë janë prezent në vatra të krizave dhe kanë “gatishmëri luftarake” për arritjen e qëllimeve të caktuara.

Më Shumë

Juventusi nis punën për transferimin e Zhegrovës

Juventusi në verë mund të nënshkruaj me yllin e Kosovës, Edon Zhegrova. “Zonja e Vjetër” rikthehet në Ligën e Kampionëve, prandaj do të investojë në...

114 vjet nga vdekja e shkrimtarit të shquar Mark Twain

Samuel Langhorne Clemens (30 nëntor 1835 – 21 prill 1910) njihet me emrin Mark Twain (Mark Tuejn), ishte një autor dhe humorist amerikan. Ai...

Lajmet e Fundit