5.9 C
Prizren
E diel, 22 Dhjetor, 2024

Qeveria e fryrë, vetëm për zhvatje të parave të shtetit

Edhe kjo përbërje të re e Qeverisë së Kosovës nuk dallon nga ato të mëparshmet sa i përket reduktimit të saj në suaza të racionalizimit të dikastereve ministrore. Analistët politikë konsiderojnë se edhe ky mandat qeverisës, deri në nxjerrjen e Ligjit për Qeverinë e Kosovës do të vazhdojë pa reduktimin e posteve të panevojshme dhe në sjelljen e racionalitetit të një qeverie në përputhje me nevojat reale të vendit, në përputhshmëri edhe me popullsinë që ka Kosova dhe resurset për gjenerim të zhvillimit ekonomik. Pra, edhe në këtë mandat do të ballafaqohemi me këtë qeveri glamuroze, me ministra e zëvendësministra krejt të panevojshëm, vetëm sa për kënaqje të interesave të partnerëve të ndryshëm politikë në qeverisje. Politologu Gurakuq Kuçi këtë defekt e sheh te praktikat e ndërtimit të deritanishëm të qeverive jo në baza programore, por vetëm të kompromiseve për interesa politike.

“Qeveritë e kompromiseve të mëdha prodhojnë kabinete të mëdha, me njerëz të panevojshëm e deri tek punësimet e këshilltarëve si militantë dhe shfrytëzimi i gjinisë së bukur. Këtu duhet një ligj për qeverinë që saktëson cilat janë ministri permanente, sa ministri lejohet ‘ad hoc’ të shtohen dhe për sa kohë, pastaj për cilat fusha vitale mund të ketë ministri. Sa mund të jetë kabineti i kryeministrit dhe e zëvendëskryeministrave e gjëra tjera. Ndryshe format e tilla janë zhvatje e parasë së popullit dhe aspak funksionale përderisa as njerëz të kualifikuar nuk ka”, theksoi Kuçi për “Kosova Sot”.

Image
Fetahu: Fryrje akoma më e madhe e pozitave të zëvendësministrave

Analisti Blerim Burjani thotë se modeli i qeverisjes glamuroze po ruhet edhe në këtë mandat të ri nga kriza politike dhe humbja e besimit të qytetarëve në politikë, prandaj institucionet publike. Sipas tij, janë shndërruar në të vetmen mundësi të punësimit të militantëve politikë nga të cilët përfiton politika për një periudhë më të gjatë kohore.”Kjo situatë është kështu për shkak se politika dhe interesimi për të bie vazhdimisht, sikur që po bie edhe besimi te njerëzit që përkrahin këto parti. Tani thjesht interesimi për politikën është vetëm për shkak se shikohet si mjet për jetesë dhe zhvillim dhe pasurim, prandaj këto janë gjëra që shtyjnë partitë të marrin sa më shumë njerëz në kabinet, madje edhe me poste fiktive e krejt të pa rëndësishme, me shumë ministra anonim që ka kjo qeveri, e cila do mbetet si një nga më të dobëtat në historinë e zhvillimit të Kosovës prej vitit 2002 kur për herë të parë Kosova kishte Qeveri. Qeveria duhet të përbëhet më së shumti prej 10 ministrive, më me pak shpenzime të buxhetit të shtetit dhe taksapaguesve”, është shprehur Burjani për “Kosova Sot”.”Derisa ka shumë gjëra që ndërlidhen me moszhvillim ekonomik mosperspektivë, edhe njerëzit e ndiejnë të sigurt veten vetëm në punë të shërbimit civil publik dhe përmes politikës tentojnë të zgjidhin probleme të shumta personale”, theksoi Blerim Burjani. Njohësi i fushës së Legjislacionit, Ilir Fetahu, po ashtu thotë se, për fat të keq, edhe kjo qeveri, sikurse ajo e mandatit të kaluar, e shumë kritikuar nga opozita e atëhershme që tash është në qeveri po vazhdon me numër të madh të dikastereve ministrore, e për më tepër ka ndodhur një fryrje akoma më e madhe e pozitave të zëvendësministrave, gjë që tejkalon çdo logjikë të mundshme të të kuptuarit dhe nevojës për funksionim normal.”Kjo reflekton dhe kushtëzohet nga vetë natyra e koalicionit, i cili duket të jetë shumë i brishtë dhe paraqet nevojën e futjes së sa më shumë njerëzve në përgjegjësit institucionale, për të shuar edhe apetitet e individëve të caktuar, kështu që sidomos ka devalvuar roli i pozitës së zëvendësministrit, ku zëvendësministrat janë vetëm sa për të kënaqur egot dhe kërkesat e subjekteve politike dhe njerëzve të caktuar brenda tyre, sesa që janë në funksion të angazhimit për të dhënë më shumë produktivitet dhe efikasitet në punë”, është shprehur Fetahu.

Ai tutje shprehet: “Unë konsideroj se është tepër problematike kur caktohen brenda një ministrie deri në tre zëvendësministra, që paraqet edhe problem në ndarjen e përgjegjësive, të sektorëve brenda një resori ministror, kur dihet fakti që përgjegjës në ministrinë e sektorit të caktuar është ministri, kurse zëvendësi i tij është përgjegjës vetëm në rastet kur mungon ministri ose ka ndonjë obligim tjetër që e detyron atë ta delegojë përgjegjësin e caktuar brenda dikasterit tek zëvendësi i tij”. Ai thotë se kjo situatë do të zgjidhet gradualisht me procedimin e Ligjit për Qeverinë e Kosovës, i cili saktë- sisht do të përcaktojë numrin e dikastereve ministrore dhe numrin e zëvendësministrave. “Në njëfarë forme tani mund të themi se edhe po keqpërdoret kjo situatë nga partitë politike derisa nuk ka ligj për Qeverinë e Kosovës, sepse sikur ta kishim ligjin ai do t’i saktësonte dhe pastronte të gjitha gjërat, nuk do të lejonte hapësirë për kënaqjen e ambicieje dhe të interesave grupore politike brenda një koalicioni qeverisës, por qeveri dado të duhej ndërtuar në baza të Ligjit dhe nacionalitetit të nevojshëm. Pra, secila qeveri që do të vinte pas miratimit të ligjit do të ishte e obliguar që ta respekton atë pikë për pikë”, theksoi analisti Ilir Fetahu.

 

Grykësi e madhe e politikanëve

Politologu Arsim Haziri vlerëson se qeverisja “Haradinaj” si çdo qeverisje e kaluar është qeverisje e shpenzimeve e kjo, sipas tij, është fatkeqësi.”Kosova nuk ka nevojë për numër të madh të dikastereve qeveritare, kjo përpos që është e kushtueshme në aspektin buxhetor disa prej tyre nuk prodhojnë rezultat nga i cili do të mund të avancojë gjendja e brendshme e Kosovës. Pra, duke pasur në gjykim këtë nivel të qeverisjes, konkludoj se numri i madh i ministrive, zëvendësministrave dhe posteve qeveritare të tjera dëshmojnë për një grykësi të madhe të politikaneve për poste qeveritare. Kjo qeverisje është jo për zhvillim e prosperim, jo për ekonomi dhe zhvillim të gjithmbarshëm, por për përmbushje të ambicieve të personale e klanore dhe duke qenë e tillë s’mund të përfaqësoj denjësisht nivelin qytetarë”, theksoi Haziri për “Kosova Sot”.

Dështim në zotimet e më hershme të ish-opozitës për qeveri më racionale, konsiderohet përbërja e tanishme e qeverisë “Haradinaj” edhe për analistin Ali Hertica.”Tani më nuk ka asnjë dilemë, sepse gjithçka po shihet, që sikurse qeveritë e mëparshme që kryesisht ishin qeveri të formuara në s’përputhje të mëdha me nevojat e vendit dhe karshi numrit të vogël të banorëve te saj, edhe në s’përputhje edhe me mundësitë dhe kapacitetet e zhvillimit ekonomik, edhe kjo qeveri e tanishme po e ndjek të njëjtën praktikë dhe model të gabuar”, është shprehur Hertica.

“Në çdo vend demokratik me vizion të qartë të politikës zhvillimore, qeveritë formohen për të krijuar kushte të përshtatshme, gjithnjë të përshkallëzuar dhe më të avancuara të zhvillimit të gjithmbarshëm shoqëroro-ekonomik, gjë që arrihet me rifreskim të vazhdueshëm të programeve zhvillimore të partive serioze politike që përcjellin trendët dhe nevojat e vendit”, është shprehur Hertica për “Kosova Sot”. Këto standarde e rregulla të demokracive të avancuara, sipas tij, akoma nuk po mund të instalohen si praktika të politikëbërjes funksionale në interesin e përgjithshëm nga kjo kastë e varfër politike. “Interesimi i tyre është vetëm për rehatinë e rrethit të familjarëve të tyre dhe të militantëve partiakë, diçka që bëhet për fatin e keq të këtij vendi edhe pa marrë parasysh kërkesat dhe nevojat për kualifikimet përkatëse”, theksoi Ali Hertica

Më Shumë

Prokuroria e Prizrenit mban takim pune me prokurorë, gjyqtarë, policë dhe avokatë

U.D. Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, me mbështetjen e OSBE-së ka organizuar tryezë diskutimi me prokurorë nga kjo prokurori, me gjyqtarë...

A është ky adresimi i Parashqevi Simakut?

Profili në facebook është i krijuar në emër të saj, më datë 16 dhjetor 2024. Në të, këngëtarja e mirënjohur shqiptare, Parashqevi Simaku, e cila...

Lajmet e Fundit