26.8 C
Prizren
E hënë, 5 Qershor, 2023

Qeveria jep detaje për takimin e Kurtit dhe Osmanit me Blinkenin

Zyra e Kryeministrit në një komunikatë për medie ka shpalosur të gjitha temat që u diskutuan në takimin e mbrëmshëm të presidentes, Vjosa Osmani dhe kryeministrit, Albin Kurti me sekretarin amerikan të shtetit, Antony Blinken.

Fillimisht bëhet e ditur se sekretari Blinken theksoi partneritetin e qëndrueshëm midis Shteteve të Bashkuara dhe Republikës së Kosovës dhe i falënderoi liderët për mbështetjen e tyre të fuqishme në çështje me rëndësi për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai shprehu mirënjohje për pranimin e afganëve në Kosovë, mbështetjen për Ukrainën që nga ditët e para të fillimit të agresionin rus atje, si dhe punën e përbashkët në aspekte tjera.

Duke shprehur mirënjohjen e popullit të Kosovës për mbështetjen e ShBA-së, në takim u vlerësua lart partneriteti dhe aleanca ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës. U theksuan raportet bilaterale shtetërore të shkëlqyeshme dhe mundësitë për avancimin e tyre, veçanërisht në rrafshin ekonomik, me shtim të investimeve dhe me rritje të shkëmbimeve tregtare.

Kryeministri Kurti theksoi se Republika e Kosovës është rrëfim suksesi i dyfishtë, i punës dhe qëndrueshmërisë së popullit dhe ndërhyrjes së NATO-s për ta ndalur gjenocidin e Serbisë në Kosovë, dhe së dyti, është rrëfim suksesi i një demokracie cilësore e cila shkon bashkë me zhvillimin ekonomik.

U bisedua për qeverisjen e mirë, luftimin e krimit dhe korrupsionit, zhvillimin ekonomik dhe mbështetjen sociale si përgjigje ndaj nevojave të qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Në takim u diskutua për demokratizimin e rajonit si dhe fuqizimin e aleancave për t’u ballafaquar me ndikimet dhe rreziqet që i kanosen rajonit të Ballkanit Perëndimor. Anëtarësimi i Kosovës në Programin Partneriteti për Paqe të NATO-s, si dhe ngritja e aftësive dhe kapaciteteve mbrojtëse dhe të sigurisë së Kosovës, u tha se do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme dhe stabilitetit afatgjatë të mbarë rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Duke vlerësuar bashkëpunimin e mirë me ShBA-në në NATO, u theksua se mbrojtja është një fushë në të cilën Kosova e ka rritur ndjeshëm buxhetin. Synojmë që siguria e Kosovës të ketë për partner edhe të padiskutueshëm por edhe gjithnjë më të fuqishëm ShBA-në, tha Kryeministri Kurti.

U diskutua për rëndësinë e dialogut të lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me njohjen reciproke në qendër , në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.

“Në takim u ritheksua që Republika e Kosovës deri më tani është angazhuar në mënyrë konstruktive dhe kreative në procesin e dialogut, dhe se është e përkushtuar për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që në qendër ka njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit.

Osmani e Kurti e vlerësojnë të shkëlqyeshëm takimin me sekretarin Blinken

Dy krerët e shtetit, presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti e kanë vlerësuar si të shkëlqyeshëm takimin me sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Departamentin e Shtetit. Ata kanë thënë se me sekretarin Blinken kanë disktuar për temat që kanë të bëjnë me suksesin e vendit tonë dhe të ardhmen e tij, por edhe për dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas tyre edhe në këtë takim është rinkonfirmuar qëndrimi i SHBA-së që procesi i dialogut të jetë i përqendruar në marrëveshje për njohje reciproke.

“Para sekretarit Blinken paraqitëm reformat që janë duke u ndërmarrë në Republikën e Kosovës dhe sfidat me të cilat ballafaqohemi. Në përgjithësi ishte një takim i shkëlqyeshëm, ku edhe një herë u rinkonfirmua se Kosova nuk ka mik më të madh, më të mirë e më të fuqishëm se SHBA-të“, ka theksuar presidentja Osmani pas takimit.

Ajo tutje ka thënë se Kosova përgjatë historisë së saj nuk ka pasur partner më të fuqishëm se sa SHBA-të dhe se mbështetja e Amerikës ka qenë ekzistenciale në fazat e ndryshme të historisë dhe mbetet e tillë edhe sot.

“Sepse pa përkrahjen e Amerikës nuk mund të kemi sukses as në rrugën tonë në anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, që janë synim i përhershëm. Kemi diskutuar për fuqizimin e subjektivitetit dhe mënyrën se si Kosova fuqizohet në arenën ndërkombëtare nëpërmjet njohjeve, nëpërmjet organizatave ndërkombëtare dhe anëtarësimit në to”, ka shtuar Osmani.

Ajo tutje ka thënë se në takim është diskutuar se sa e rëndësishme është që Kosova të jetë në NATO, pastaj për rolin jashtëzakonisht konstruktiv që Kosova po luan në dialogun me Serbinë, e që sipas saj kanë hyrë në detajet e secilës marrëveshje që është propozuar e që Kosova i ka nënshkruar.

“Siç e dini SHBA-të si partner që mbështesin pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial dhe gjithnjë kanë qenë të zëshëm në këtë drejtim, por mbi të gjitha është me rëndësi ta potencojmë se si presidenti Biden ashtu edhe sekretari Blinken kanë qenë të qartë që procesi i dialogut të jetë i përqendruar në njohje reciproke, gjë e cila është konfirmuar edhe sot gjatë këtij takimi, ku ne kemi pasur mundësinë tonë që në detaje ta informojmë për qëndrimet tona për propozimet tona dhe për rolin konstruktiv dhe për faktin që çdo kontribut i Kosovës ka qenë për më shumë paqe dhe më shumë stabilitet në të gjithë rajonin tonë“, ka nënvizuar presidentja.

Ndërkaq, kryeministri Kurti takimi me sekretarin Blinken e ka vlerësuar të “përzemërt e fort të dobishëm për raportet e shkëlqyeshme midis Republikës së Kosovës dhe SHBA-së“.

“Ne treguam se si Kosova është një rrëfim suksesi në mënyrë të dyfishtë. Së pari rrëfim suksesi i punës dhe qëndrueshmërisë së popullit të Kosovës dhe i ndërhyrjes së NATO-s për ta ndalë gjenocidin e Serbisë në Kosovë dhe së dyti është rrëfim suksesi i një demokracie cilësore e cila shkon bashkë me zhvillimin ekonomik. Pra në kontrast me disa fuqi tjera nëpër botë që dëshirojnë të tregojnë se për zhvillim ekonomik demokracia nuk është e nevojkshme, shteti jo i madh i Kosovës është një shembull i madh se zhvillimi ekonomik dhe demokracia cilësore shkojnë bashkë“, ka thënë Kurti.

Ai tutje ka thënë se në këtë takim kërkuan nga sekretari Blinken shtimin e investimeve amerikane në Kosovë, por gjithashtu rritjen e shkëmbimit tregtar midis dy vendeve.

“Edhe në NATO ne kemi bashkëpunimin shumë të ngushtë me SHBA-të për shkak se mbrojtja është një fushë në të cilën Kosova e ka rritur ndjeshëm buxhetin dhe synojmë që siguria e Kosovës, që është jo vetëm siguri e shtetit dhe popullit por edhe siguri e progresit të arritur, ta ketë për partnerë të padiskutueshëm por edhe gjithnjë e më të fuqishëm pikërisht SHBA-në“, ka shtuar Kurti./rtklive/

Më Shumë

“The Guardian”: Britanikët të shqetësuar për ndëshkimet e SHBA-së dhe BE-së ndaj Kosovës

Mediumi prestigjioz britanik “The Guardian” i ka kushtuar një artikull situatës aktuale në Kosovë, konkretisht tensioneve në veri të vendit. “The Guardian” duke u thirrur...

Messi largohet, tri skuadra luftojnë për dy vende në Evropë

Fituesi i Kupës së Botës me Argjentinën, Lionel Messi, dhe një prej lojtarëve më të mirë në histori të futbollit, të shtunën do ta...

Lajmet e Fundit