Ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Naim Maloku, ka bërë me dije se zgjidhja më e mirë e tejkalimit të problemit të demarkacionit me Malin e Zi është dërgimi i kësaj çështje në Gjykatën e Arbitrazhit.
Në një intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se me këtë ide tashmë janë pajtuar edhe zyrtarët më të lartë të Malit të Zi. Maloku ka theksuar se Qeveria e Kosovës do të duhej të reflektonte në këtë drejtim, duke tërhequr marrëveshjen nga rendi i ditës dhe duke shkarkuar komisionin shtetëror për demarkacionin.
“Për shkak të shmangies së përplasjes brenda spektrit politik në vend dhe moskrijimit të përplasjes brenda Kosovës në përgjithësi, Qeveria e Kosovës do të duhej që përfundimisht ta tërheqë demarkacionin nga rendi i ditës për ta ratifikuar atë në Kuvend. Do të ishte mirë që Qeveria ta shkarkojë komisionin shtetëror për demarkacion dhe më pas të formohet një komision i përbashkët, dhe në këtë mënyrë t’i përgatisë materialet dhe dokumentet që këtë çështje ta dërgojë në Gjykatë të Arbitrazhit”, ka thënë Maloku.
Ai ka treguar se procesi i demarkacionit më nuk mund të kthehet në pikën zero siç po pretendon opozita. Sipas tij, Mali i Zi e ka përfunduar këtë çështje dhe nuk mund ta shfuqizojë ratifikimin e marrëveshjes që e ka bërë në Kuvend me dy të tretat e votave.
“Nuk besoj se Qeveria e Mali të Zi do ta rishqyrtojë këtë çështje, duke e shfuqizuar vendimin e parlamentit të tyre, të cilin e ka marrë me dy të tretat e votave. Pra, ky proces në Mal të Zi ka shkuar bukur larg dhe nuk mund të rikthehet kjo çështje në pikën zero. Alternativa e vetme është që kjo çështje të shkojë në Gjykatë të Arbitrazhit dhe atje të vendoset”, është shprehur ai, duke shtuar se vetëm kjo rrugë do të mund t’i shmangte tensionet në vend rreth kësaj çështje.
“Çështja ka shkuar deri aty sa, nëse demarkacioni shkon në Kuvend, kaloi ose nuk kaloi kjo çështje, do të ketë përplasje në mes të palëve, mes pozitës dhe opozitës. Po e përsëris, se tërheqja nga procesi i mëtejmë i kësaj marrëveshje do t’i hapte rrugë një amortizimi të këtyre përplasjeve mes dy palëve”, ka thënë Maloku. /Epoka e re/