18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

QKK-ja shpall 12 skenarët që do t’i subvencionojë

Film-kameramanPasojat e luftës së fundit në Kosovë, ndikimi i teknologjisë në jetën e përditshme e deri tek opsionet e daljes nga izolimi që lidhet me liberalizimin e vizave, janë temat që shtjellohen në 33 skenaret që ka lexuar juria e Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Vetëm 12 nga skenarët në kategorinë e filmave të shkurtër, dokumentarë dhe animacion, kanë marrë dritën e gjelbër për subvencionim me para të shtetit. QKK-ja të hënën ka publikuar listën me emrat e kineastëve që kanë përfituar nga konkursi i sivjetmë për përkrahje të projekteve. Disa prej anëtarëve të jurisë janë shprehur të kënaqur me nivelin e skenarëve në kategorinë e filmave të shkurtër e dokumentarë por jo edhe në animacion. Juria që ka bërë vlerësimin e skenarëve në këto tri kategori përbehet nga AlAlban Ukaj, Blerta Zeqiri, Florent Mehmeti, Kaltrina Krasniqi, Alban Muja, Imer Mushkolaj dhe Bardh Rugova (në mungesë). Lista e projekteve fituese filmike të metrazhit të gjatë do të bëhet publike më 29 qershor.

Në kategorinë e filmave të shkurtër kanë dalë shtatë projekte fituese. “Treni” nën regji të Selmin Beha, “Anestezioni” i Noar Sahitit, “Echo e heshtur” i Dren Zherkës, “Shok” me skenar të James Oliver Donughe, “ONN Side” i Valter Lucajt, “Cheers” i Norika Sefës dhe “Basti” i Ujkan Hysajt.

Fitues në kategorinë e filmave dokumentarë janë “Nakino” e Sami Mustafës, “Gratë nga Gjakova” nga Shkurta Dauti dhe Gazmend Bajri, “Chronicle of the last battle” me regji të Dardan Islamit dhe “Ushtarët paralel” i Mathieu Jouffre. E fitues i vetëm në kategorinë e animacionit është “N’kornizë” me regji të Gëzim Ramizit. E kjo e fundit, ka qenë kategoria që u ka shkaktuar më së shumti telashe jurisë për shkak të mungesës së kualitetit.

“Në përgjithësi kanë qenë skenarë të mirë. Jam i kënaqur me shumicën e skenarëve që kemi lexuar, megjithëse në animacion ka ende punë për t’u bërë meqë është disciplinë e re tek ne”, ka thënë Imer Mushkolaj, anëtar i jurisë, transmeton Koha.net.

Sipas tij, skenarët që ka lexuar juria gërshetojnë tema të ndryshme.

“Janë trajtuar pasojat e luftës siç është përshembull dhunimi i femrave. Po ashtu ka edhe tema për ndikimin e teknologjisë në jetën bashkëkohore e deri te dalja nga izolomi”, ka shpjeguar Mushkolaj.

Regjisori Florent Mehmeti, po ashtu ka thënë se në kategorinë e animacionit nuk ka pasur kualitet të mjaftueshëm.
“Në animacion është vërejtur mungesë e kualitetit, ndërsa në dy kategoritë tjera kanë qenë më të mirë. Por në përgjithësi, mendoj se ka qenë kualitet i mirë”, ka thënë Mehmeti, tek ka folur për disa ide që janë trajtuar në skenarë.

“Ka pasur ide me kohë të kaluar që s’është trajtuar më parë, për shembull viteve ’40, ’25. Tema e luftës ka vazhduar të sillet në shumicën e skenarëve por në kënde të ndryshme. Po ashtu ka pasur tema sociale dhe deri te ato më subjektive e personale”, ka thënë ai.

Në konkursin e sivjetmë të QKK-së nuk janë marrë parasysh ndryshimet që janë përcaktuar me Projektligjin për kinematografi që tashmë ka kaluar në Qeveri, por ende nuk është miratuar nga Kuvendi i Kosovës. Sipas këtij projektligji, shtetit i lejohet të financojë prodhimin e një filmi të metrazhit të gjatë dhe atij dokumentar deri në 70 për qind. Me ligjin aktual, me buxhet shtetëror një film financohet deri në 51 për qind. E shuma me të cilën do të përkrahen 12 projektet fituese në tri kategori nuk është zbuluar ende.

“Do të vendos Këshilli Drejtues në bazë të vendimit të jurisë dhe këshilltarit financiar të QKK-së”, ka thënë Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës.

Më Shumë

Rrugët e Prizrenit përmbyten nga ujërat si pasojë e reshjeve të shiut

Rrugët e qytetit të Prizrenit janë përmbytur nga ujërat si pasojë e shiut të rrëmbyeshëm në orët e pasditës. Qytetarë të ndryshëm në rrjete sociale...

Aktorë me renome po e përcjellin Festivalin ‘PrizrenFest’

Me yjet ndërkombëtare si Marie Christine Barrault nga Franca, Pippo Delbono nga Italia, Fatemeh Motamed-Arya nga Irani, fituese e shumë çmimeve e shumë artistë...

Lajmet e Fundit