25.8 C
Prizren
E hënë, 20 Maj, 2024

“Qukapiku rus”, vjen në DocuTIFF

DocuTIFF, një nga eventet më të rëndësishme të filmit dokumentar që realizohet në Ballkan, rikthehet në edicionin e tij të dytë nga datat 1 deri më 8 qershor. Emra të njohur të kinemasë rrëfimtare, ashtu siç konsiderohet gjinia e dokumentarit, do të jenë të pranishëm këto ditë në Tiranë jo thjesht për të prezantuar filmat konkurrues, por dhe për të qenë pjesë e debateve mbi kinemanë që do të realizohen gjatë ditëve të këtij festivali. 180 filma janë përzgjedhur për të konkurruar në këtë festival nga 2000 aplikime që ka pasur nga 102 vende të botës, nga të cilët 100 në konkurrim dhe 80 filma në programet dhe projeksionet speciale.

Sipas drejtorit të DocuTIFF, Agron Domi, “përveç zbulimeve interesante të autorëve të rinj janë përzgjedhur për publikun edhe filma dokumentarë të vlerësuar e seleksionuar në festivalet më të rëndësishme ndërkombëtare, si Sundance, Cannes, Berlinale, Venezia apo të nominuar e me çmime në Oscar, Golden Globe, etj”.

Përveç konkurrimit ndërkombëtar në kategoritë e filmit me metrazh të gjatë, të mesëm dhe të shkurtër, një hapësirë e veçantë do t’i lihet edhe filmit në shqip që vjen me autorë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe kudo ku ata ndodhen. Për të interesuarit, kineastët dhe studentët e filmit do të mbahen edhe tre masterclass nga autorë e studiues të rëndësishëm nga Gjermania dhe Izraeli, Noemi Schory, Andreas Voigt dhe Ira Kormannshaus.

Katër juri do të vlerësojnë filmat në konkurrim: juria ndërkombëtare e metrazhit të gjatë, juria ndërkombëtare e metrazhit të mesëm e të shkurtër, juria ndërkombëtare e filmit në shqip, si dhe juria e medias. Juritë përkatëse përbëhen nga emra të njohur në fushën e kritikës dhe kinematografisë. Në programin special do të shfaqen filma të prodhuar nga viti 1935 deri në 2015. Festivali do të shtrihet në hapësira të ndryshme në kryeqytet duke nisur nga salla kryesore e Muzeut Historik Kombëtar, Teatri i Metropolit, COD dhe TULLA Culture Center.

Sipas Domit, “qëllimi i këtij festivali është inkurajimi i prodhimit të filmit dokumentar në Shqipëri dhe për t’iu dhënë më shumë shanse kineastëve shqiptarë për të gjetur bashkëpunim dhe duke bërë të mundur kontakte reciproke me kolegët e tyre në rajonin tonë dhe më gjerë”.

Mes filmave të njohur pjesë e këtij festivali është dhe filmi dokumentar i cili ka tërhequr vëmendjen e kritikës së kinemasë “Qukapiku rus” i regjisorit Chad Gracia. Fitues i çmimit të madh të jurisë në Sundance Film Festival, ai është një rrëfim për katastrofën bërthamore të Çernobilit duke zbuluar sekretet e errëta të një revolucioni që ende ka pikëpyetje. Kritika e ka quajtur këtë një film të guximshëm i cili bën një udhëtim në një nga kohët më të errëta të Ukrainës në një dokumentar provokues. Chad Gracia e ndërton historinë në këtë film, duke u fokusuar te kërkimet e Fedor Aleksandroviç lidhur me shkakun e katastrofës bërthamore të Çernobilit në Ukrainë, duke aluduar me një lidhje me kohën e Luftës së Ftohtë sovjetike. Hetimi është ndërprerë pas kryengritjeve të vitit 2014, që sollën dhe rrëzimin e presidentit pro-rus Viktor Janukoviç.

“Sonita”, një tjetër prodhim kinematografik i vlerësuar vitet e fundit si një nga rrëfimet më emocionale në ekranin e kinemasë nga regjisorja nga Teherani, Rokhsareh Ghaemmaghami, do të jetë pjesë e DocuTIFF. Filmi tregon për Sonitën, një 18-vjeçare emigrante pa dokumente afgane, e cila në mënyrë ilegale jeton në periferi të Teheranit. Ajo lufton për të jetuar në mënyrën që dëshiron, duke u përballur me familjen e saj konservatore. Ndryshe nga ëndrrat e Sonitës, familja kishte të tjera plane për të, duke e shitur nuse me një çmim prej $ 9,000.

Një prodhim kinematografik interesant që do të jetë pjesë e filmave të DocuTIFF është dhe dokumentari “Ekzotika, Erotika” nga regjisorja Evangelia Kranioti. Imazhet detare të porteve dhe prostitutave të turizmit është në qendër të këtij rrëfimi i cili vazhdon të shfaqet në shumë festivale botë. “Zoti Gaga” i Tomer Heymann nga Izraeli do të sjell një udhëtim në jetën e një prej artistëve të njohur izraelit Ohad Naharin. Kërcimtar dhe koreograf, ai do të tregojë rrugëtimin artistik nga Japonia, Holanda, Suedia dhe Izraeli përmes pasazheve të kujtimeve që kanë mbetur në kujtesën e tij tashmë në moshën 60-vjeçare.

Nuk do të mungojë as dokumentari i fundit i regjisorëve Erinnisse Heuer, Patryk Rebisz, të cilët sjellin një perceptim mbi mënyrën sesi arti shumë herë është shpëtimi në tragjeditë më të mëdha. Arti në kohërat e sotme, ndryshimet që ka pësuar të menduarit për të dhe çfarë do të thotë të krijosh në një botë e cila gjithnjë e më shumë po humb drejt komercialitetit është në fokusin e dy regjisorëve që sjellin një prodhim në kufijtë e filozofisë.

Retrospektiva

Udhëtim në kinemanë shqiptare

Kujtesa historike e kinematografisë shqiptare në gjininë e dokumentarit do të zërë një vend të veçantë gjatë ditëve të festivalit. Një udhëtim përmes zërave më përfaqësues të kësaj kinemaje do të vijnë në ekranin e madh nga viti 1955 deri në prodhime pas viteve 1970.

“Urime student”, një film dokumentar i Viktor Stratobërdha, 1955, do të hapë serinë e retrospektivës për të vijuar sërish me një tjetër prodhim të këtij autori “Ne qeshim pasi nuk mund të qajmë”, i vitit 1956. Viktor Stratobërdha është një ndër kineastët e parë shqiptarë të viteve të para të pasluftës, si dhe regjisori i parë i filmit shqiptar. Ai lindi më 15 maj 1925 në Korçë. Studimet e larta i kreu në Moskë për regji filmi në vitin 1953 kur mbrojti diplomën si as.regjisor i filmit Skënderbeu. Në vitin 1945 u emërua në Kinostudio ku realizoi dy filma dokumentare.

Filmi “Qeshim se nuk qajmë dot” që do të prezantohet në DocuTIFF është tentativa e parë për të xhiruar një film me metrazh të shkurtër, një film që s’do t’i shpëtonte dot censurimit. Në vitin 1956 u dënua pas Konferencës së Tiranës dhe u dërgua në Berat. Për disa vite punoi si regjisor i estradës e më pas në punë të rënda në prodhim bonifikim. Në vitin 1979, u arrestua dhe me pas u dënua me 8 vjet heqje lirie. U lirua në vitin 1988.

Një tjetër artist që do të kujtohet në këtë sesion është Mit’hat Fagu, me një prodhim të vitit 1971. Regjisori Dhimitër Anagnosti do të shfaqet në ekranin e këtij festivali me dy dokumentare të vitit 1973. Ndërsa një udhëtim në Shqipërinë turistike të vitit 1974 do ta sjellë regjisori Mark Topallaj.

Ky sesion mbyllet me prezantimin e dokumentarit “Pranvera në zemrat tona” nga Kujtim Çashku, prodhim i vitit 1977. Interesante do të jetë dhe prezantimi i dokumentarëve të autorëve të huaj mbi Shqipërinë, duke filluar nga Walter Frentz në vitin 1935. /Shqip/

Më Shumë

Moti sot: I vranët e me intervale me diell – temperaturat deri në 22 gradë

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se këtë të premte parashihet të mbajë mot i vranët dhe me intervale me diell. Sipas IHMK-së,...

Pulse Electronics me kontribut të rëndësishëm në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren

Dyqani “Pulse Electronics” ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në Universitetin e Prizrenit ‘Ukshin Hoti’. Duke kuptuar rëndësinë e arsimit dhe teknologjisë në botën...

Lajmet e Fundit