16.8 C
Prizren
E enjte, 9 Maj, 2024

Qytetarët dhanë votë pakënaqësie

Zgjedhjet-ksNjohësit e rrethanave politike në vend rezultatin e raundit të dytë të zgjedhjeve e shohin si votë pakënaqësie ndaj qeverisjes lokale në çdo komunë. Behxhet Shala dhe Leon Malazogu kanë deklaruar për “Epokën e re” se humbëset më të mëdha në këto zgjedhje janë AAK-ja dhe PDK-ja, kurse fitoren e LDK-së në disa komuna e shohin si rezultat të mospunës së pushtetit aktual.

Rezultatet e balotazhit ishin befasuese. Kështu kanë vlerësuar analistët politikë. Ata kanë thënë se vota e qytetarëve më 1 dhjetor ishte votë pakënaqësie ndaj qeverisjes lokale nëpër komuna.

Behxhet Shala dhe Leon Malazogu kanë deklaruar për “Epokën e re” se humbëset më të mëdha të kësaj gare janë AAK-ja dhe PDK-ja, kurse fitoren e LDK-së në disa komuna e shohin si rezultat të mospunës nga pushteti aktual. Pas këtij procesi zgjedhor problem, sipas tyre, do të jetë integrimi i kandidatëve të listës “Srpska”, e cila ka fituar 9 komuna, kurse është përkrahur nga Beogradi. “Në këto zgjedhje ka pasur rezultate befasuese. Befasia më e madhe ka qenë Mitrovica e jugut, ku ka fituar Agim Bahtiri, i cili ka qenë ‘aucajder’. Befasi ka pasur edhe në Ferizaj dhe në komunat ku ka garuar AAK-ja. Më së shumti janë ndëshkuar AAK-ja dhe PDK-ja, kurse fituese janë LDK-ja, AKR-ja, Shpend Ahmeti dhe Lista ‘Srpska’”, ka thënë analisti Behxhet Shala.

Për humbjen e PDK-së dhe të AAK-së në disa komuna, sipas Shalës, kanë dikuar disa procese. “Krahun e luftës e ka dobësuar shumë edhe ardhja e James Rubinit, i cili ka thënë se krahu i luftës duhet të shkojë në shtëpi. Besoj se ka qenë një sugjerim i qartë se për kënd duhet të votohet apo për kënd nuk duhet të votohet. PDK-në e ka dobësuar shumë largimi i Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit, si dhe përçarja në shumë degë të PDK-së”, është shprehur ai, duke shtuar se PDK-së tani i është ofruar mundësia të distancohet nga njerëzit të cilët kanë probleme të mëdha me ligjin dhe që e dëmtojnë partinë. Sipas tij, nëse kjo parti i ndërmerr këto veprime dhe u kthehet vlerave që kanë vulosur themelimin, aktivitetin dhe fitoret e saj mund të forcohet.

Në të kundërtën, ai ka thënë se kjo parti mund t’i humbasë edhe zgjedhjet nacionale. Kurse duke folur për AAK-në, Shala ka thënë se kjo parti ka dalë humbëse në këto zgjedhje. “AAK-ja është humbëse absolute në këto zgjedhje. E ruajti pushtetin vetëm në tri qyteza, ndërsa i humbi Gjakovën, Pejën, Therandën dhe Rahovecin. Përkrahja e opozitës, pa kushte si parti opozitare, e ka dëmtuar shumë këtë subjekt politik”, ka thënë Shala. Sa i përket LDK-së, ai ka deklaruar se kjo parti ka fituar më së shumti në këto zgjedhje jo se është shquar për ndonjë punë të hairit, por për shkak të mospunës së PDK-së. Ai ka treguar se Isa Mustafa e ka humbur Prishtinën për shkak të afërsisë së përgjimeve ku është përfolur djali i tij për blerje të votave.

Shala e sheh si problem Listën “Srpska”, e cila e ka përkrahjen edhe nga Serbia. “Rrezik paraqet lista serbe, e cila nuk e njeh shtetin Kosovës dhe e cila do të jetë e ngarkuar në themelimin e bashkësisë së komunave serbe si një trup etnik dhe politik serb brenda Kosovës. Ajo në të ardhmen do t’i nxjerrë shumë telashe Kosovës”, ka thënë Shala.

Telashe me përfaqësuesit e kësaj liste parasheh edhe analisti tjetër, Leon Malazogu. Ai ka treguar për “Epokën e re” se vetëm me presion të Brukselit dhe Beogradit këtyre kandidatëve mund t’u imponohet bashkëpunimi me institucionet e Republikës së Kosovës. “Me vetë faktin që kanë marrë pjesë në zgjedhje, ata do ta pranojnë ligjshmërinë e Kosovës dhe faktin se Kosova është vendi ku ata operojnë. Mund të kemi një periudhë paksa të vështirë të bashkëpunimit, por nëpërmjet Brukselit dhe Beogradit atyre do t’u imponohet një bashkëpunim i afërt me Prishtinën. Mendoj se me kohë kjo do të vijë në vend”, ka deklaruar Malazogu. Sa i përket rezultatit të 1 dhjetorit, ai ka thënë se ky duhet të lexohet si votë e pakënaqësisë ndaj qeverisjes në çdo komunë. Ai ka bërë me dije se kjo pakënaqësi vlen për të gjitha partitë që kanë qeverisur nëpër komuna, duke shtuar se është normale që pakënaqësitë më të mëdha të shprehen ndaj partisë që ka pushtetin. “Mendoj se është një humbje e pjesshme e PDK-së, që është diçka normale për një parti që ka Qeverisë nga viti 2007, pra për gjashtë vjet. Për një parti që e ka hise më të madhe të pushtetit. Është shumë normale që kur qytetarët kanë pakënaqësi ndaj pushtetit atëherë më së shumti reflektohet tek partia në pushtet. Kjo nuk është reflektuar vetëm te PDK-ja. Më së shumti kjo është reflektuar tek AAK-ja”, ka thënë Malazogu.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se edhe LDK-ja i ka humbur të gjitha komunat ku ka qeverisur. “Sa i përket LDK-së që këtë herë ka marrë më së shumti komuna, nuk mendoj se kjo ka të bëjë me një elektorat pro LDK-së. Mendoj se kjo më shumë ka të bëjë me faktin se LDK-ja ishte opozitë në shumë komuna. LDK-ja në tri komuna ku ishte në balotazh, e që e mbronte pushtetin si në Prishtinë, Kamenicë dhe Obiliq, e humbi pushtetin”, ka thënë Malazogu, duke shtuar se qytetari u ka bërë me dije të gjitha subjekteve politike se duhet qeverisur më mirë në të mirë të tij. “Në mungesë të alternativave të partitë kryesore, qytetari dëshiron të kërkojë alternativa tjetërkund. Mendoj se sfida kryesore do të jetë që partitë kryesore të arrijnë t’i margjinalizojnë ato grupet të interesit dhe t’i promovojnë kandidatët që janë më reprezentativ, më të rinj dhe më të panjollosur”, ka thënë Malazogu.

Më Shumë

Sot kremtohen Pashkët ortodokse

Besimtarët ortodoksë sot e kremtojnë Pashkën, si njëra prej kremtimeve më të mëdha. Më meshën e Pashkëve e kremtojnë ngjalljen e Jezu Krishtit, dita më...

Në Gjonaj të Hasit sot nis festivali “Hasi Jehon”

Në Gjonaj të Hasit sot (e enjte) në ora 19:00 nis edicioni i 35-të i Festivalit Folklorik “Hasi Jehon 2024”, shkruan PrizrenPress. Festivali do të...

Lajmet e Fundit