5.1 C
Prizren
E hënë, 30 Dhjetor, 2024

Rama falënderon BE-në që po i bën presion Kosovës për zgjidhjen e situatës në veri

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka vazhduar kritikat ndaj qeverisë së Kosovës për veprimet në veri.

Duke përshëndetur reagimin e sotëm të BE-së, e cila tha se do të ketë pasoja nëse nuk zgjidhet situata në veri, ai tha se Unioni nuk ka mundur të jetë më i qartë se kaq, raporton Klankosova.tv.

Madje sipas tij, vazhdimi i këtij “jo-plani absurd” për vendosjen e policisë “për të mbrojtur ndërtesat boshe në të cilat zyrtarët e zgjedhur nuk mund të hyjnë”, dhe nga ana tjetër, vendosja e trupave të NATO-s në kufirin e një vendi tjetër “nuk mund të ishte më vetëshkaktuese dhe më pak evropiane”.

Bashkimi Evropian sot ka dënuar ashpër aktet e dhunshme kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe mediave në veri të Kosovës.

Përmes këtij reagimi, u tha se “dhuna mund të ishte shmangur dhe duhet shmangur në të ardhmen”.

“Ne i bëjmë thirrje Kosovës dhe Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të marrin masa për të de-përshkallëzuar, të ndalojnë përdorimin e retorikës përçarëse dhe të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm i pakoordinuar. Qetësia duhet të rivendoset urgjentisht”, u tha në reagimin e 27 shteteve anëtare të BE-së.

Në këtë reagim, BE-ja tha se është e gatshme “zbatojë masa të vendosura” nëse Kosova dhe Serbia nuk e qetësojnë situatën në veri.

“Dështimi për të de-përshkallëzuar tensionet do të çojë në pasoja negative”, u tha më tej në reagim.

E Rama më tej në reagim, Kosovën e quajti “vëllazërore” e Serbinë “mike”.

“Shpresoj shumë që Kosova jonë vëllazërore dhe Serbia mike do ta zgjidhin këtë konflikt përpara se BE-ja të zbatojë masa të forta kundër tyre. Ata duhet të veprojnë shpejt dhe të kuptojnë se përmbushja e kërkesave të BE-së do të thotë kthim në vete si shtete evropiane përgjegjëse”, potencoi Rama në një postim në Twitter.

BE-ja ndërkaq, në reagimin e sotëm tha se presin që “Kosova të veprojë në mënyrë jo-përshkallëzuese dhe të pezullojë menjëherë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri të Kosovës”.

Shtetet anëtare kërkuan po ashtu që kryetarët e komunave t’i kryejnë përkohësisht detyrat e tyre në objekte të ndryshme nga ndërtesat komunale. “Zgjedhjet e parakohshme duhet të shpallen sa më shpejt në të katër komunat dhe të organizohen në mënyrë plotësisht gjithëpërfshirëse. Presim që serbët e Kosovës të marrin pjesë në këto zgjedhje”, tha BE-ja.

Ndër të tjera, BE-ja tha se shprehin shqetësimin për gjendjen e gatishmërisë më të lartë të Forcave të Armatosura Serbe.

“Bashkimi Evropian pret që Kosova dhe Serbia të veprojnë me përgjegjësi dhe të angazhohen menjëherë në Dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme për situatën në veri të Kosovës që garanton siguri, siguri dhe demokraci pjesëmarrëse për të gjithë qytetarët dhe hap rrugën për zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksit të saj. Kjo përfshin fillimin pa ndonjë vonesë apo parakusht të mëtejshëm të punës për themelimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe”, thanë shtetet anëtare të BE-së, raporton Klankosova.tv.

Kryeministri shqiptar që nga fillimi i trazirave në veri, ka qenë kritik ndaj veprimeve të qeverisë së Kosovës.

Më 29 maj, ai shkroi në Twitter: “Lëndimi i ushtarëve të KFOR-it ngarkon me përgjegjësi të drejtëpërdrejtë dhunuesit e tyre të verbër dhe fatkeqësisht lëndon Kosovën në sytë e aleatëve e miqve të saj të pazëvendësueshëm! Sa më shumë zgjatet ky konflikt i rrezikshëm dhe i panevojshëm, aq më shumë lëndohet Kosova”, pati thënë Rama.

Madje edhe të enjten, pas takimeve që presidentja Osmani i zhvilloi në Moldavi me presidentin Macron e kancelarin Scholz, e më pas edhe me presidentin e Serbisë Vuçiq, Rama falënderoi liderët e Francës dhe Gjermanisë për angazhimin e tyre për zgjidhjen e mosmarrëveshjes Kosovë-Serbi.

“Nuk mund të falënderoj sa duhet Emmanuel Macronin dhe Olaf Scholzin për atë që po bëjnë për të finalizuar procesin e normalizimit Kosovë-Serbi! Duke i parë ata të ulur me aq respekt me të dyja palët në përpjekje për të zgjidhur një konflikt absurd tregon gjithçka për shpirtin e tyre të madh evropian. Faleminderit”, shkroi Rama.

Ai falënderoi edhe presidenten Osmani për takimin që e zhvilloi me Vuçiqin.

Më Shumë

Përurohet sot renovimi i repartit të hemodializës në Spitalin e Prizrenit

Sot do të bëhet përurimi i renovimeve në repartin e hemodializës, në Spitalin e Përgjithshëm të Prizrenit. Në përurim do të marrin pjesë kryeministri i...

Bashkimi me transfer nga Superliga turke?

Pas largimit të Maliek White, Bashkimi është hedhur në ‘gjah’ për ta mbuluar boshllëkun e lojtarit amerikan. Siç ka mësuar AsistiOnline.com, prizrenasit janë në bisedime...

Lajmet e Fundit