11.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Ramadan Muja kërkon pafajësinë në Apel

Ish-kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja dhe ish-zyrtarët e kësaj komune, Minir Krasniqi dhe Avni Ademaj, po kërkojnë nga Gjykata e Apelit që të ndryshojë aktgjykimin e shkallës së parë dhe që ata t’i lirojë nga akuzat për korrupsion, për të cilat ishin dënuar.

Kurse, e kënaqur me dënimet me kusht që Gjykata Themelore në Gjilan, u kishte shqiptuar  Mujës dhe të tjerëve, ka mbetur Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSKR), e cila nuk ka ushtruar të drejtën e saj për ankesë në gjykatën e shkallës së dytë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ankesë në Apel nuk ka ushtruar as i akuzuari Sadik Paçarizi, i cili po ashtu ishte shpallur fajtor dhe ishte dënuar me kusht nga Themelorja, ndërsa Komuna e Prizrenit është ankuar në shkallën e dytë, vetëm sa i përket shpenzimeve procedurale.

Këto ankesa të palëve, janë shqyrtuar të enjten nga një kolegj i Gjykatës së Apelit, në përbërje nga gjykatësit, Hava Haliti, Tonka Berishaj dhe Burim Ademi.

Gjykata Themelore në Gjilan, më 19 dhjetor 2018, i kishte shqiptuar dënim unik prej një viti burgim me kusht, ish-kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, i cili akuzohej për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Por, dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda dy vjetësh, ndërsa për dispozitvin 1 dhe 4 të aktakuzës, Muja ishte shpallur i pafajshëm.

Fajtorë ishin shpallur edhe ish-zyrtarët e tjerë të kësaj komune, me ç’rast ish-drejtori i Administratës Publike, Minir Krasniqi, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, kurse ish-drejtori i Gjeodezisë dhe Kadastrës, Avni Ademaj, me pesë muaj burgim me kusht, ndërsa ish-drejtori i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor, Sadik Paçarizi, ishte dënuar me gjashtë muaj burgim.

Por, as ndaj tyre, dënimi nuk do të ekzekutohet nëse ata nuk kryejnë vepër tjetër penale brenda periudhës njëvjeçare.

Kurse, për dispozitivin 4, gjykata e kishte refuzuar akuzën ndaj Ramadan Mujës, Minir Krasniqit dhe Abdullah Tejeci, me arsyetimin se pas rikualifikimit të veprës penale nga neni 421, në nenin 339, si dispozitë më e favorshme, vepra penale në kohën në të cilën është kryer, ka arritur parashkrimin.

Të akuzuarit Muja, i ishin ngarkuar edhe shpenzimet e procedurës në vlerë prej 150 euro, si dhe 30 euro për fondin e viktimave, kurse të akuzuarit Krasniqit, Ademajt, dhe Paçarizi janë obliguar të paguajnë shpenzimet e procedurës në vlerë prej 100 euro si dhe 30 euro për fondin e viktimave.

Por, e pakënaqur me këtë aktgjykim, mbrojtësi i Mujës, avokati Ruzhdi Berisha është ankuar në Apel, nga e cila po kërkon që në mungesë të provave, i mbrojturi i tij të lirohet nga akuzat, apo që të paktën, lënda të kthehet në rigjykim.

“Jemi të vetëdijshëm se zhvillimi i këtij procesi ka humbur çdo qëllim shkaku edhe i disa shkeljeve që kanë ndodhur më herët, por i mbrojturi im ka qenë i vendosur të shkohet deri në fund dhe që e vërteta të del në shesh”, tha avokati Berisha në fjalën e tij.

Berisha tha se dispozitivi i dytë i akuzës, për të cilën Muja është shpall fajtor, është përpiluar si një tërësi e veprimeve inkriminuese për tre të akuzuar, duke i përshkruar edhe veprimet e tyre si në bashkëkryerje dhe duke konstatuar pastaj se siç thuhet në akuzë, “veprat e lartcekur nën 1 dhe nën 2”, mirëpo, një ndarje e tillë, sipas Berishës nuk është bërë fare.

Sa i përket kësaj akuze, Berisha tha se i mbrojturi i tij, ngarkohet se kinse ka tejkaluar autorizimet e tij në ndarjen e tokave për investime institucionit “Gulistan”, kur për një gjë të tillë ishte dashur të vendos Kuvendi Komunal i Prizrenit, e që sipas Berishës, pikërisht Kuvendi Komunal kishte marr një vendim të tillë.

“Krejtësisht gabimisht jepet një konstatim i tillë. Për dhënien e tokës “Gulistanit”, Kuvendi i Komunës ka vendos dhe atë “Gulistani” ka paraqit kërkesë për tokë me qëllim të ndërtimit para ardhjes në pushtet të subjektit politik të cilit i takon Muja, qysh në vitin 2007, më 10 gusht 2007, Kuvendi Komunal bie konkluzion për miratimin e kërkesës së “Gulistanit”, deklaroi Berisha.

Pasi që në pushtet kishte ardhur klienti i tij, Berisha tha se institucioni “Gulistan”, me 15 maj 2009, kishte përsëritur kërkesën, e ku pastaj më 18 qershor 2009, kjo kishte qenë edhe pikë e rendit të ditës, të cilën Kuvendi Komunal, me 32 vota për, 1 kundër dhe 5 abstenime e kishte miratuar kërkesën e “Gulistanit”.

Në atë periudhë, Berisha tha se kishte qenë në fuqi rregullorja e UNMIK-ut, 2005/13, ndërsa në procedurat e mëvonshme nuk ka mundur të zbatohet ligji për prokurim publik pasi që më herët veçse ishte vendos subjekti juridik nga ana e Kuvendit Komunal.

“Pas një vendimi të tillë, kryesuesi më 18.06.2009, nxjerr vendim me të cilin “Gulistanit” i jepen në shfrytëzim 6 ha për 99 vite për ndërtim të objektit shkollor. Për gjetjen e lokacionit, sipas vendimit, thuhet se do të kujdesen organet kompetente komunale”, tha Berisha.

Pasi që fillimisht ishte paraparë që kjo tokë “Gulistanit” t’i ndahet në rrugën për tek fshati Nishevc, sipas Berishës, ishte parë që në atë vend nuk ka prona shoqërore, andaj më 29 korrik 2011, Kuvendi Komunal kishte ndryshuar vendimin e mëparshëm, ashtu që toka ishte vendosur të ndahet në vendin “Boka Boka”.

“Nuk qëndron konstatimi i aktgjykimit se kjo është bërë me tejkalim të kompetencave. Muja vetëm ka zbatuar vendimet e marra nga Kuvendi. Nuk është dëmtuar Agjencioni Kosovar i Privatizimit, kjo tokë pyjore menaxhohet nga Agjencioni Pyjor pra nëse dikush ka mundur të dëmtohet këtu, është Qeveria e Kosovës”, tha avokati Berisha.

Po ashtu, avokati Berisha tha se sa i përket pikës 3 të akuzës për Mujën, lidhur me ndarjen e tokës për fabrikën e çokollatës “Camilla”, e cila tokë fillimisht kishte qenë në fshatin Lubishtë, mirëpo, siç tha Berisha, pas kundërshtimeve të banorëve lokal, kishte dështuar edhe ndërtimi i fabrikës në atë vend.

Pas kësaj, Berisha tha se ishte marr një vendim në dobi të përgjithshme ashtu që fabrikës në fjalë i ishte ndarë tokë në vendin e quajtur “Boka Boka”, e ku pastaj ishte nënshkruar edhe kontrata mes Komunës së Prizrenit dhe fabrikës.

“Përkrah ankesën e mbrojtësit”, ishin fjalët e vetme që ish-kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja, i tha gjatë seancës të së enjtes.

Lirimin nga akuzat apo rigjykim të rastit, i kanë propozuar Apelit edhe mbrojtësit e të akuzuarve Minir Krasniqi, avokati Pjetër Përgjoka dhe avokati Rexhep Hasani që në këtë rast mbron të akuzuarin Avni Ademaj.

“Tash e tetë vjet zhvillohet kjo procedurë dhe shpesh ua boj pyetjen vetes se pse është Minir Krasniqi këtu. Nëse kjo është për qëllim politike të Minirit do të ishte në rregull por nëse shikojmë provat dhe fajësinë e tij, mund të konkludojmë se Miniri është gjendur këtu vetëm si përfaqësues i një partie politike dhe jo për shkak të lëshimeve eventuale”, tha në fjalën e tij, mbrojtësi i Krasniqi, avokati Përgjoka.

Sa i përket aktit përcjellës, i cili përmendet në akuzën për Krasniqin, avokati Përgjoka tha se i mbrojturi i tij as nuk e ka përpiluar, e as nënshkruar të njëjtin dhe për këtë tha se e kanë vërtetuar edhe dëshmitarët në shkallë të parë.

Në aktin në fjalë, sipas Përgjokës, ekziston emri i klientit të tij, por vetëm si drejtor dhe jo si nënshkrues.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor në Gjykatën e Gjilanit, Përgjoka tha se kishin kërkuar veçimin e shkresave të Ymer Hoxhës dhe Ridvan Hoxhës, pasi që të njëjtin kishin qenë parashtrues të kallëzimit penal, dhe sipas avokatit, është e pakuptimtë që të njëjtit të dëgjohen edhe si dëshmitarë.

Ndërsa, në ankesën e mbrojtësit të akuzuarit Ademaj, avokatit Rexhep Hasani, thuhet se aktgjykimi është i paqëndrueshëm pasi nuk jep arsye për faktet vendimtare, duke theksuar po ashtu se, komunikimi mes Ademajt dhe të akuzuarit Minir Krasniqi ka qenë institucional.

Sipas ankesës së avokatit Hasani, i cili nuk ishte i pranishëm në seancë, thuhet se për Ademajn nuk është vërtetuar me asnjë provë se është bashkëkryerës i veprës penale pasi i njëjti ka ndërmarrë veprime sipas institucioni që ka udhëhequr.

“Unë jam akuzuar se kam regjistruar një vendim të udhëheqësit më të lartë të Kuvendit Komunal. Unë lëndën ja kam nda në punë bashkëpunëtorit profesional i cili ka marr vendim dhe unë e kom aprovuar. Drejtori nuk mundet të merret me punët e çdo bashkëpunëtori, gjeodeti etj. ai veç e shikon a është në rregull sipas ligjit”, tha i akuzuari Ademaj në fjalën e tij.

Përfaqësuesi i Komunës së Prizrenit, Shqipron Krasniqi, aktgjykimin e shkallës së parë e ka kundërshtuar sa i përket shpenzimeve procedurale dhe ka kërkuar që të rritet paushalli gjyqësor për të akuzuarit, pasi sipas tij, paushalli që është caktuar nga Themelorja është tejet i ulët.

E këtë ankesë të përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit, e ka përkrahur përmes një parashtrese edhe Prokuroria e Apelit, e cila gjithashtu ka propozuar që të refuzohen ankesat e mbrojtësve së të akuzuarve.

Ndryshe, Prokuroria Speciale Republikës së Kosovës (PSRK) në shkurt 2013, ka ngritur aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, ish-drejtorit të Drejtorisë për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, Sadik Paçarizi dhe ish-drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrit, Avni Ademaj.

Në aktakuzën e ngritur për shpërdorim të detyrës zyrtare ishin të përfshirë edhe ish-zyrtarët e Komunës së Prizrenit, Abdullah Tejeci, Minir Krasniqi dhe Kadri Ukimeri.

Muja dhe të tjerët akuzohen nga prokuroria se kanë keqpërdorur pronat komunale të menaxhuara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.

Po ashtu, në mesin e pronave bëjnë pjesë edhe dy parcelat ku janë ndërtuar shkolla “Mehmet Akif” dhe fabrika e çokollatës “Kamila” në Prizren, të cilat sipas akuzës nuk kanë kaluar fare përmes Kuvendit Komunal, por me vendim direkt të ish-kryetarit Muja.

Më 13 mars 2014, pas rreth 30 seancave gjyqësore, Gjykata Themelore në Prizren, kishte shpallur aktgjykim dënues për ish-kryetarin Muja dhe të tjerë.

Muja  ishte dënuar me dy vjet burgim me kusht që të mos kryej vepër penale për periudhën tre vjeçare. Ndaj Mujës ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike për 30 muaj.

Gjykata Themelore në Prizren, kishte shpallur aktgjykim dënues edhe ndaj të akuzuarve të tjerë në këtë rast, Paqarizi, Ademaj, Tejeci, Krasniqi dhe Ukimeri, duke iu ndaluar edhe funksionin e tyre në administratën publike për periudha të caktuara kohore.

Gjykata e Apelit kishte anuluar një aktgjykim të tillë dhe rastin e kishte kthyer në rigjykim, por me ankesë të prokurorisë, rasti ka shkuar në Gjykatë Supreme, ku më pas Supremja kishte vendosur që lëndën sërish ta shqyrtojë Apeli.

Apeli sërish në korrik 2017, kishte vendosur që lënda të kthehet në shkallë të parë për rishqyrtim dhe rivendosje, por Gjykata e Themelore në Prizren kishte kërkuar që të përjashtohet nga ky rast.

Një kërkesë të tillë, ishte bërë me arsyetimin se njëra nga veprat për të cilat akuzohet Ramadan Muja, është kallëzim penal i parashtruar nga Gjykata Themelore në Prizren, për pengimin e punës në gjykatë, me rastin e ndalimit të pjesëmarrjes se ekspertëve – gjeodetëve në seancat gjyqësore, ku  kryetari i gjykatës dhe një gjyqtar janë dëgjuar si dëshmitarë.

Gjykata e Apelit, pas kërkesës së bërë nga kryetari i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Ymer Hoxha, me 8 gusht të vitit të kaluar kishte vendosur që rigjykimi ndaj Ramadan Mujës dhe pesë të akuzuarve të tjerë të zhvillohet nga Gjykata Themelore në Gjilan.

Kurse, ndaj Kadri Ukimerit është pushuar procedura penale pasi që i njëjti ka ndërruar jetë. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

“El Clasico” zhvillohet sot në basketbollin kosovar

Sigal Prishtina dhe Trepça do të ballafaqohen sot në kuadër të playoff-it të gjysmëfinaleve në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll. Duelin e parë...

32 vjet nga rënia e dëshmorit, Alush Kryeziu

Janë bërë 32 vjet nga rënia heroike e dëshmorit të kombit, Alush (Nezir) Kryeziu. Kryeziu ishte veprimtar i shquar i çështjes kombëtare. Ai është përkujtuar sot...

Lajmet e Fundit