13.8 C
Prizren
E enjte, 2 Maj, 2024

Ramadani: Na dëmtuan shpifjet dhe komoditeti

Burim Ramadani AAKSekretari i përgjithshëm i AAK-së, Burim Ramadani, ka thënë se komoditeti i panevojshëm në disa komuna, bashkë me gabimet e mundshme gjatë qeverisjes, një strategji e shpifjeve histerike ndaj udhëheqjes së AAK-së dhe një zbehje e rolit opozitar, ndikuan në rezultatin e AAK-së në zgjedhjet e 3 nëntorit.

“Aleanca është në fazën e vlerësimeve dhe analizimit të situatës së krijuar nga zgjedhjet e fundit lokale. Përshtypja ime është më shumë e bazuar në tri elemente kryesore: Së pari, në një komoditet të panevojshëm që kanë krijuar disa nga komunat e udhëhequra nga Aleanca, bashkë me gabimet e mundshme gjatë qeverisjes. Së dyti, ka ekzistuar për një kohë të gjatë një strategji e shpifjeve histerike ndaj udhëheqjes së Aleancës, shpifje këto që kanë pasur një ndikim të caktuar. Ne nuk kemi reaguar në mënyrën e duhur, duke besuar se këto shpifje janë të papranueshme edhe tek qytetarët. Së treti, Aleanca ka pasur një zbehje të rolit opozitar të nevojshëm, sidomos gjatë këtyre muajve të fundit. Tekefundit, nuk është zhvilluar roli i duhur i Aleancës në raport me nivelin e qeverisjes së keqe që po vazhdon të ndodhë në Kosovë”, ka thënë në një intervistë për “Epokën e re” Ramadani.

Ai e ka vlerësuar hap të gabueshëm kandidimin e Ali Berishës dhe Pal Lekajt edhe për mandatin e tretë qeverisës. “Mund të vlerësoj se kandidimi për mandat të tretë të një kryetari ka dalë të jetë veprim i gabueshëm, pikërisht për faktin se qytetarët kanë nevojë për ndryshim, për energji të reja dhe për vizion të ri”, ka thënë Ramadani.

Duke folur për humbjen në Pejë, ku kishin lidhur koalicion për balotazh me PDK-në, Ramadani ka thënë ky koalicion nuk funksionoi sepse PDK-ja nuk ka mbështetur kandidatët e Aleancës. “E vërteta është se jo vetëm në Pejë, por edhe në komunat e tjera që kemi qenë në balotazh duket se PDK-ja nuk i ka mbështetur kandidatët e Aleancës”, është shprehur ai.

Ramadani ka mohuar se rezultati i zgjedhjeve të 3 nëntorit do të ndikojë negativisht për AAK-në në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Jam i bindur se ndikimi do të jetë pozitiv, pikërisht për faktin se Aleanca ka hapur sytë dhe është shumë më e vetëdijshme për situatën në të cilën ndodhet”, është shprehur Ramadani, duke shtuar se AAK-ja do të angazhohet fuqishëm në organizimin e brendshëm, në ardhjet e reja në parti, si dhe në programin qeverisës.

Ai ka thënë se AAK-ja synon që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ta udhëheqë Qeverinë. Ramadani ka thënë se nuk mund të ketë bashkëpunim me LDK-në derisa t’i qartësojë mirë dhe saktë shpifjet histerike ndaj AAK-së.

Më Shumë

Liria shënon fitoren e dytë të sezonit

Skuadra e Lirisë ka arritur ta regjistrojë vetëm fitoren e dytë të sezonit sot, pasi që e ka mposhtur me rezultat solid 2:0 Fushë...

Nis mbulimi i fushave të tenisit në Prizren, ministri Çeku: Tenisi më nuk do të jetë sport sezonal

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka bërë të ditur se në qytetin e Prizrenit ka filluar me mbulimin e fushave të tenisit, për...

Lajmet e Fundit