Korrupsioni, si pasojë e manipulimeve me tenderë, do të jetë kritika më e ashpër e Raportit të Progresit për Kosovën këtë vit, i cili zyrtarisht do të publikohet nesër në orët e pasdites.
Raporti i Progresit është një dokument vlerësues për periudhën 12 mujore të vendeve që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian.
Indeksonline e ka siguruar një kopje të këtij raporti dhe në vijim do të bëj një përmbledhje të disa prej pikave kryesore të këtij dokumenti.
Raporti që hartohet nga Komisioni Evropian edhe sivjet do e kritikojë ashpër Kosovën duke vlerësuar se korrupsioni në fushën e prokurimit publik do të konsiderohet si më i përhapuri.
Sa i përket çështjes së korrupsionit, Komisioni Evropian do e kritikojë edhe Këshillin Kundër Korrupsionit pasi ai vlerësohet si jo funksional.
Raporti gjithashtu e kritikon edhe mungesën e zbatimit të strategjisë kundër-korrupsionit.
Kriza Politike
Ashtu siç pritej, mos krijimi i institucioneve pas zgjedhjeve të 8 qershorit do të përmendet si ngjarje negative, ndërsa Kuvendi i Kosovës do të kritikohet edhe për mungesë të transparencës në emërimet për autoritetet e ndryshme rregullative.
Sidoqoftë, ka disa vlerësime pozitive siç është miratimi i letrave të Presidentes së Kosovës dhe BE-së në lidhje me misionin e EULEX-it dhe miratimi i themelimit të Gjykatës Speciale, e cila do merret me hetimin e akuzave që fillimisht janë bërë në raportin e Dick Marty-t nga Parlamenti i fundit.
Qeveria
Një nga vlerësimet pozitive për qeverinë do të jetë “rritja e kapaciteteve në trajtimin e sfidave që dalin nga procesi i integrimit evropian, sidomos ato që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit”.
Mirëpo, rritja e pagave për shërbyesit civil, dhe mungesa e reformimit të Administratës Publike do të kritikohet ashpër në raportin që nesër do e publikojë komisioneri evropian për zgjerim, Stefan Fyle.
Një tjetër vlerësim pozitiv për qeverinë megjithatë përmendet edhe krijimi i një grupi këshillëdhënës për çështjet që kanë të bëjnë për pjesëtarët e komunitetit LGBT. /Indeksonline/